2015-04-22 13:42:00

Selia e Shenjtë: bashkëfajtor, ai që hesht para tmerreve në Lindjen e Mesme


Vëzhguesi i përhershëm i Vatikanit në OKB, imzot Bernardito Auza, foli dje në Nju Jork për gjendjen në Lindjen e Mesme. “Selia e Shenjtë – tha ai – është thellësisht e shqetësuar për mungesën e përparimeve në bisedimet Palestinë-Izrael”. Imzot Auza përsëriti edhe një herë qëndrimin e Vatikanit për dy shtete të pavarura, duke e këshilluar Izraelin të mos izolohet nga vendet fqinje, nëse dëshiron të gjejë një zgjidhje të qëndrueshme për paqen.

Të kapërcehet boshllëku institucional në Liban

        Argumenti tjetër vuri në qendër të vëmendjes së debatit në Kombet e Bashkuara, Libanin, ku mbizotëron amullia politike, pasi, siç denoncoi imzot Auza, interesa të ngushta të grupit apo të fraksionit, kanë penguar zgjedhjen e presidentit në maj 2014, duke krijuar boshllëk institucional. Vëzhguesi vatikanas i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare ta ndihmojë Libanin të dalë nga kjo gjendje, por edhe të përballojë fluksin e jashtëzakonshëm të refugjatëve në territorin e tij, që e shton rrezikun e hyrjes së ekstremistëve në mesin e të ikurve.

Të parandalohet katastrofa humanitare në Siri

         Duke folur për konfliktin në Siri, prelati denoncoi se ka arritur në “një nivel të tillë barbarie, sa të lë pa frymë”. Përmendi shkatërrimin e strukturave bazë, si ato ujore dhe elektrike, spitalet e shkollat; panikun shkaktuar nga Isis në popullsi, e cila ikën nga sytë-këmbët; ankthin e pakicave etnike dhe fetare. Selia e Shenjtë, nënvizoi imzot Auza, i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të parandalojë katastrofën e vërtetë humanitare, që do të shkaktonte rrethimi dhe beteja për Halebin.

Lufta në Lindjen e Mesme kërcënon mbijetesën e të krishterëve

         Zhdukja e pakicave etnike e fetare nga Lindja e Mesme, theksoi Vëzhguesi i Vatikanit, do të shkaktonte humbjen e një trashëgimie të pasur, që ka kontribuar jashtëzakonisht në shoqëritë, ku ekziston. Imzot Auza kujtoi se muajin e kaluar, para Këshillit të OKB-së për të drejtat e njeriut, 65 vende nënshkruan një deklaratë në mbështetje të të drejtave të të krishterëve e të bashkësive të tjera. Tani, shtetet duhet të bashkohen për ta përballuar seriozisht këtë gjendje alarmante, pasi heshtja përpara tmerreve, shkaktuar nga ekstremistët islamikë në Lindjen e Mesme, të cilët persekutojnë, përzënë, vrasin, djegin, presin koka, është bashkëfajësi.








All the contents on this site are copyrighted ©.