2015-04-22 15:53:00

Audienca e përgjithshme: nderim për martesën e burrit me gruan


Kisha të ruajë gjithnjë besëlidhjen ndërmjet burrit e gruas, ashtu si e mendoi dhe e krijoi vetë Zoti, që martesa e familja të kenë edhe sot gjithë nderimin e tyre të përhershëm. Është kjo, dëshira e Papës, që e përshkoi  gjithë katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit,  në praninë e më se 40 mijë vetëve, kushtuar përsëri reciprokësisë  që lidh burrin me gruan.

Skena e Edenit, rrëfyer në Bibël, tregon me hollësi projektin që pati Zoti për burrin e gruan që në zanafillë të të gjitha sendeve: deshi t’i bëjë të dy të afërt, përplotësues, të bërë një nga lidhja e fuqishme e bashkimit e, në asnjë rast, njërin me epërsi mbi tjetrën.

Përsosja e marrëdhënive reciproke

Papa Françesku rikujtoi çastet kulmore të Zanafillës, duke nënvizuar aspektin e vetmisë, që provoi burri, përballë madhështisë tronditëse të gjithësisë: bukurisë së natyrës, gjeratores së ngjyrave, jehonës së blegrimave, harmonisë së cicërimave, melodisë së valëve të detit e të  ndërrimit të stinëve… E prap se prap burri ndjente se i mungonte diçka, se nuk ishte ende i përkryer, derisa Zoti i paraqiti gruan. E vetëm në këtë çast, vërejti Françesku, ndjesia e vetmisë së plotë u zhduk e burri ndjeu se kishte gjetur gjysmën tjetër, atë, që i mungonte:

“Më në fund pa si në pasqyrë vetveten, ndjeu reciprokësinë. E kur njeriu – e unë po jap një shembull për ta kuptuar mirë këtë – dëshiron t’i japë dorën tjetrit, duhet ta ketë para vetes tjetrin: në se dikush zgjat dorën e nuk e ka para vetes tjetrin, dora mbetet e shtrirë, nuk gjen dorën tjetër për ta shtrënguar, nuk ka reciprokësi. Kështu ishte njeriu i parë, burri i parë, i mungonte diçka, për të arritur përsosurisë, i mungonte reciprokësia”.

Krijuar nga Zoti

Françesku nisi të shkelë, pastaj, në fushën e minuar të përçarjeve shoqëroro-kulturore që, në rrjedhë shekujsh, i vunë shpesh herë burrin e gruan në plane të ndryshme. Kontrast ky, zanafillën e të cilit ndokush synon ta shpjegojë si të lindur njëherësh me krijimin. Përkundrazi, shpjegoi Papa, pikërisht në këtë rrethanë “vërehet fare mirë se gruaja nuk është “përsëritje e burrit”, por e ardhur drejtpërdrejt nga gjesti krijues i Hyjit”:

“Figura e brinjës nuk tregon aspak inferioritetin ose nënshtrimin, përkundrazi, tregon se burri e gruaja janë të së njëjtës lëndë e se përplotësojnë njëri-tjetrën, reciprokërisht. E fakti, gjithnjë në shëmbëlltyrë, që Zoti e formoi gruan, ndërsa burri dremiste, nënvizon pikërisht se ajo nuk është kurrsesi krijesë e burrit, por e Hyjit. E kjo na kujton edhe një gjë tjetër: për ta gjetur gruan, e mund të themi edhe për ta gjetur dashurinë në gruan, burri më parë duhet ta ëndërrojë, e pastaj e gjen”.

Dinjiteti i larmisë

Të ndryshëm e përplotësues, pra. E të paracaktuar për një besim bujar, të dretjpërdrejt, të plotë. Hyji, pohoi Françesku, u beson krijesave të veta, të cilat, për fat të zi, i besojnë së keqes, të dehur nga dëshira për të qenë të gjithëpushtetshëm, që ndot gjithçka e rrënon harmoninë e gjithësisë. Nga ky çast, shtoi Papa, lidhja e tyre ra në grackën e mijëra formave të shpërdorimit e të nënshtrimit, të joshjeve të rreme e të prepotencës poshtëruese, që arrin deri në ditët tona:

“Të mendojmë për format e panumërta të maskilizmit, që e konsiderojnë gruan krijesë të klasës së dytë. Të mendojmë për manipulimin dhe tregtimin e trupit femëror në kulturën e sotme mediatike. Por të mendojmë edhe për epideminë e mosbesimit e të skepticizmit, madje për armiqësinë, që përhapet në kulturën tonë, duke nisur nga dyshimi i kuptueshëm i grave, në besën e lidhur ndërmjet burrit e gruas, që mund ta përsosë intimitetin e bashkimit e, njëkohësisht, të ruajë dinjitetin e ndryshimit”.

Njëri i tëri për tjetrën

Papa kërkon, atëhere, të nxitet një hov i ri simpatie, për këtë lidhje ndërmjet burrit e gruas. Përndryshe, haraçin do ta paguajnë fëmijët, gjithnjë më larg nga ky vizion unitar, që nga kraharori i nënës:

“Duhet ta rikthejmë nderimin për martesën e familjen! E Bibla thotë një gjë të bukur: burri gjen gruan e takohen e burri duhet të lërë diçka për ta njohur plotësisht. E prandaj burri do të lërë atin e nënën për të shkuar tek gruaja. E bukur, kjo! Tregon fillimin një rruge. Burri është i tëri për gruan e gruaja, e tëra për burrin!”.

Në çastin e përshëndetjeve drejtuar grupeve të gjuhës portugeze, Papa Françesku deshi t’u drejtojë përshëndetjen e tij të gjitha familjeve, posaçërisht atyre, që kalojnë çaste të vështira. “Të jenë të sigurta, tha, se janë dhuratë e Zotit e themel i jetës shoqërore”.








All the contents on this site are copyrighted ©.