2015-04-20 12:57:00

Papa: martirët na ndihmojnë të mos e shndërrojmë fenë në pushtet


Dëshmia e shenjtorëve dhe e martirëve na ndihmon të mos biem në tundimin për ta shndërruar fenë në pushtet: këtë theksoi Papa Françesku gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës.

Shumë e ndjekin Jezusin për interes, për pushtet

Duke komentuar Ungjillin e ditës, në të cilin turma e kërkon Jezusin pas shumëfishimit të bukëve e peshqve jo pse është mrekulluar nga feja, që të çon në adhurimin e Zotit, por thjesht për interes material, Papa Françesku vërejti se në fe ekziston gjithnjë rreziku i moskuptimit të misionit të vërtetë të Zotit. Kjo ndodh kur përfitohet nga Jezusi, duke shkarë drejt pushtetit.

Kjo sjellje takohet shpesh në Ungjijtë. Shumë e ndjekin Jezusin për interes. Madje deri Apostujt: i biri i Zebedeut, që donte të ishte kryeministër; e tjetri, pastaj, ministër i ekonomisë. Kishin etje për pushtet. Kështu përkushtimi për t’u çuar lajmin e mirë të varfërve, për t’u zgjidhur zinxhirët të burgosurve, për t’u kthyer dritën e syve të verbërve, për t’u dhënë lirinë të shtypurve e për të kumtuar vitin e hirit, errësohet, humbet e shndërrohet në një ndjesi, që të kujton pushtetin.

Nga tundimi për pushtet, në hipokrizi

Ky tundim për të kaluar nga mahnitja fetare, që na shkakton takimi me Jezusin, në etjen për pushtet, nënvizoi Papa, ka qenë gjithnjë. E gjithnjë e shtyn njeriun të përfitojë nga gjithçka e nga gjithkush, deri nga Zoti!

Këtë propozim ia bëri djalli edhe Jezusit, kur e tundoi. Tundimi i parë, kërkesa për t’i shndërruar gurët në bukë; i dyti, tundimi për të dhënë shfaqje: ta japim një shfaqje të bukur e kështu gjithë njerëzia do të besojë në ty! I treti, pastaj apostazia: adhurimi i idhujve. E ky është tundim i përditshëm i të krishterëve, tundimi ynë, i ne të gjithëve, që jemi Kisha: jo tundimi për pushtetin e Shpirtit Shenjt, por për pushtetin e botës. Kështu njeriu bie në amullinë fetare, ku të çon mendësia e botës, amulli që kur rritet, rritet, rritet, bëhet, së fundi, ajo që Jezusi e quan hipokrizi!

Zoti zgjohet me dëshminë e shenjtorëve e të martirëve

Në këtë mënyrë, shtoi Papa, bëhesh i krishterë për emër, i krishterë për sy e faqe, po zemrën e ke gjetiu, e ke gjithnjë te interesi, siç thotë Jezusi: “Përnjëmend, përnjëmend po ju them: Më kërkoni jo pse patë mrekullitë, por pse hëngrët nga ato bukë dhe u ngitë”. Është tundimi për të shkarë drejt mendësisë së botës, drejt pushteteve të saj, për të shkarë drejt ligështimit të fesë, sepse kështu feja meket, misioni zbehet, Kisha  ligështohet.

“Zoti na zgjon me dëshminë e shenjtorëve, me dëshminë e martirëve, të cilët çdo ditë na kumtojnë se misioni ynë është të ecim në udhën e Jezusit, të kumtojmë vitin e hirit. Njerëzit e kuptojnë qortimin e Jezusit dhe e pyesin: ‘Po çfarë duhet të bëjmë, për të kryer veprat e Hyjit?’. E Jezusi u përgjigjet atyre: ‘Vepra e kërkuar nga Hyji, është besimi në atë, që Ai e dërgoi’, domethënë, të besosh në Të, vetëm në Të e jo në gjëra të tjera të cilat, në fund të fundit, të çojnë  larg Tij. Kjo është vepra e Zotit: ‘Të besoni në Atë, që ju dërgoi, në Të’”.

Papa e përfundoi homelinë me këtë lutje, drejtuar Zotit: “Na e jep, o Zot hirin e mrekullimit të takimit me Ty e na ndihmo edhe të mos pushtohemi nga shpirti i botës, ai shpirt që, nën a mbi vernikun e krishterimit, na çon në një jetë paganësh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.