2015-04-20 14:10:00

Papa ipeshkvijve të Gabonit: të bashkuar, në mbrojtje të jetës e të njeriut


“Mos ngurroni, kur është fjala për të ngritur zërin në mbrojtje të njeriut dhe të shenjtërisë së jetës!”. Është një nga këshillat, që u dha Papa Françesku ipeshkvijve të Gabonit, në Vatikan për vizitën “ad Limina Apostolorum”. Në fjalimin dorëzuar ipeshkvijve, kryesuar nga imzot Mathieu Madega Lebouakehan, kryetar i Konferencës ipeshkvnore të vendit afrikan, Papa i porositi prelatët t’i kushtojnë vëmendje të posaçme të rinjve, që të mund t’u bëjnë ballë ideologjive, sekteve, joshjeve të rreme të modernizmit, mirazhit të pasurive materiale të botës së sotme.

Bashkim e vëllazërim

“Një Kishë ‘familje e Hyjit’, e bashkuar rreth kumtimit të Ungjillit, si mesazh i paqes, i gëzimit, i shëlbimit, që e çliron njeriun nga forcat e së keqes, për t’i hapur udhën kah Mbretëria e Hyjit”. Në fjalët e Papës, kjo është figura e Kishës në Gabon, 170 vjet pas themelimit të saj.

Duke kujtuar misionarët  guximtarë, që predikuan në trojet e Gabonit si dhe të krishterët e parë të vendit afrikan, Françesku i porositi ipeshkvijtë të   punojnë me frymën e bashkimit e të vëllazërimit, për t’u imunizuar nga  qëndrimet fisnore dhe etnike diskriminuese, që janë mohim i Ungjillit. Ndësa, vijoi t’u kujtojë, mesazhi i krishterë ndihmon fuqimisht për ndërtimin e një bote gjithnjë më të drejtë e më vëllazërore. Në këtë kuadër u përurua, më 2001, në Liberville, një qendër studimesh për doktrinën shoqërore dhe dialogun ndërfetar.

Mbrojtja e njeriut dhe e jetës

Papa i inkurajoi prelatët gabonezë të mos ngurrojnë të ngrenë zërin për të mbrojtur njeriun dhe shenjtërinë e jetës, posaçërisht në fushën edukative, me instutucionet katolike që, falë marrëveshjes ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës gaboneze, e çojnë përpara mbrojtjen e njeriut, duke e përqendruar vëmendjen ndaj më të varfërve. Vëmendje vël1azërore duhet t’i kushtohet edhe jetës e misionit të meshtarëve, përmes dialogut, pa ngurruar, megjithatë, në dënimin, me drejtësi e shenjtëri të rasteve, të cilat e kërkojnë këtë. Kandidatët për meshtari, që me entuziazëm, e nganjëherë edhe me ndonjë çast dyshimtar, duan t’ia kushtojnë jetën Zotit, kanë nevojë për inkurajim e formim të bazuar mbi Ungjillin dhe vlerat kulturore të vendit tuaj, pa harruar ndershmërinë dhe përgjegjësinë, vijon porosia e Papës. 

Të përballohen iluzionet e mirazhet

Lidhur me të rinjtë, Papa i nxiti ipeshkvijtë t’u paraqesin Fytyrën e vërtetë të Krishtit, mikut e prijësit të tyre, në mënyrë që të gjejnë në Të guximin për të mos u joshur nga ideologjitë, sektet e iluzionet e modernizmit të rremë si dhe nga mirazhi i pasurive materiale. Mendimi i Papës shkoi, në përfundim, tek familjet, lidhur me Sinodin e ardhshëm, që u kushtohet.








All the contents on this site are copyrighted ©.