2015-04-20 19:11:00

Papa do të shpallë shenjt Junipero Serrën, themelues i kundërshtuar, i SHBA


Më 24 shtatorin e ardhshëm, në Washington, Papa Françesku do të shpallë shenjt françeskanin Junipero Serra, që konsiderohet si një nga themeluesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E, më 2 majin e ardhshëm, Ati i Shenjtë do të përfundojë, me një Meshë, Ditën e studimit pranë Kolegjit  Veriamerikan, në kodrën romake të Gianicolos. Dita do t’i kushtohet    njohjes së jetës, të misionit dhe të dëshmisë së shenjtërisë së vëllait Junipero, për të përhapur, kështu, devocionin  ndaj shenjtit të ardhshëm, në përgatitje të shtegtimit apostolik në SHBA. Vendimet, të dy të njoftuara sot nga drejtori i Sallës vatikanase të shtypit, atë Federico Lombardi, ishin një përgjigje e forte përballë propozimeve të disa politikanëve amerikanë për ta hequr portretin e atë Serrës nga parlamentet e ndryshme, ku është ekspozuar, posaçërisht në Washingtn e Los Angeles. “Ç’kuptim ka kjo përpjekje për ta zhdukur të vetmin hispano-amerikan nga  Kapitoli i Washingtonit, kur Papa i parë hispanik dëshiron ta lartojë në elter? Nuk tingëllon bukur si urim për mirëseardhjen! Por gjithsesi, besojmë se kujtimi i tij nuk do të zhduket, mbasi kemi bindjen se do t’ia ruajë  Konferenca Episkopale e SHBA-ve, në të cilën, faleminderës Zotit, nuk mungojnë ipeshkvijtë hispanikë”, komentoi profesor Guzman Carriquiry Lecur, sekretar i ngarkuar me zëvendës-presidencën e Komisionit Papnor për Amerikën Latine. Françeskani Serra, mbrojtës i amerikanëve të lindur në këto troje, mbajti gjithnjë qëndrim të prerë kundër dënimit me vdekje, pohon kapuçini Vincenzo Ceriscuolo, referues i përgjithshëm i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, duke pranuar, ndërkaq, se në kohën e  tij, atë Serra nuk i përjashtoi dënimet fizike në fushën e edukimit  e se këto pohime  lexohen edhe në letrat e tij, të cilat sot po publikohen me qëllime polemike. Figurë e ndërlikuar, pra, por, siguron profesor Carriquiry, kjo nuk  pengon aspak që ky misionar i jashtëzakonshëm, që do të jetë pajtor qiellor i hispanikëve të Amerikës, të bëhet shumë më i njohur se më parë gjatë këtyre muajve, të cilët i paraprijnë vizitës së Papës, e, natyrisht, edhe pas saj. 

 








All the contents on this site are copyrighted ©.