2015-04-20 13:29:00

Lamtumirë rabinit Toaff: përqafimi me Papën në sinagogë


Ndërroi jetë mbrëmë në Romë, ish-kryerabini i bashkësisë hebraike, Elio Toaff, i cili e udhëhoqi atw nga viti 1951 deri në vitin 2001. Funerali i hebreut mik me Papët, që do të kishte mbushur 100 vjeç më 30 prill, u kremtua në Livorno, qyteti ku u lindi e studioi, nën kujdesin e të atit, Alfredit, edhe ai rabin. Më pas universiteti për jurisprudencë, pak para se ligjet racore t’ua ndalonin hebrenjve frekuentimin e shkollave të larta. Mori pjesë në Rezistencën kundër fashizmit. Në vitin 1951 u transferua në Romë, ku qe kreu shpirtëror i bashkësisë së hebrenjve, për 50 vjet me radhë. Gjatë kësaj periudhe, dialogu me të krishterët bëri hapa të mëdha përpara, që arritën kulmin me vizitën historike të shën Gjon Palit II në sinagogën e Romës, më 13 prill 1986. Vetë Elio Toaff e pati komentuar atë vizitë, në mikrofonin e Radio Vatikanit:

         Është një kujtim, që më shoqëron gjithmonë, sepse kemi pasur marrëdhënie miqësie të vërtetë. As që e imagjinoja se mund të kishte një efekt të tillë. Kemi kaluar jo një, por shumë ditë bashkë. Duhet të them se ishte një Papë i jashtëzakonshëm, që nuk mbahej rëndë, por që kishte autoritet pikërisht për këtë, pikërisht nga fakti se nuk mbahej me të madh.

         Si e shihni miqësinë ndërmjet të krishterëve dhe hebrenjve?

        Kam punuar gjithë jetën për këtë, prandaj, nuk mund të mos e shoh tjetër, veçse mirë. Secili me traditat e veta, por secili me respekt për tjetrin.

         Elio Toaff nuk i harroi kurrë fjalët e Papës Vojtila, që i quajti hebrenjtë “vëllezërit tanë të mëdhenj”, aq sa e përdori këtë frazë si titull të njërit prej librave të tij. Në vitin 1958, kur vdiq Papa Piu XII, pati thënë: “Kemi pasur mundësinë të eksperimentojmë mëshirën dhe bujarinë e madhe të këtij Pape gjatë viteve të persekutimit”. Vëllazërore, marrëdhëniet me Benediktin XVI, me të cilin shkëmbente gjithnjë urimet. “Njeri i madh i historisë, gjigant”, e quajti mbrëmë bashkësia e hebrenjve të Romës.








All the contents on this site are copyrighted ©.