2015-04-19 16:20:00

Plojë emigrantësh. Evropa të ndërhyjë. Duhet një përpjekje e përbashkët


Në Kanalin e Sicilisë përvijohet masakra më e rëndë e emigrantëve në Mesdhe. Një barkë e madhe, me mbi 700 emigrantë, u përmbys natën e kaluar në veri të Libisë. Mbetën gjallë vetëm 8 vetë, të shpëtuar nga forcat e ndihmës, që vijojnë të angazhohen në vend. Qindra trupa pluskojnë mbi det. Janë orë zije e zemrimi kundër bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa shumë zëra ngrihen për të kërkuar më shumë angazhim nga ana e Bashkimit Evropian në emergjencën e emigracionit.

Anija e peshkimit, që vinte nga Egjipti me 700 emigrantë, u përmbys natën ndërmjet së shtunës e së dielës në Kanalin e Sicilisë, rreth 60 milje në Veri të Libisë. Sipas njoftimeve të para, anija e peshkimit i lëshoi dje Rojes Bregdetare një thirrje për ndihmë, për shkak të vështirësive në lundrim. Salla operative e Komandës së përgjithshme të Kapitanerive të portit i ndërroi menjëherë kursin anijes tregtare portugeze King Jakob që, si arriti pranë  barkës në vështirësi, e pa duke u përmbysur, pasi të gjithë njerëzit ishin zhvendosur në njërin krah, në pritje të ndihmës.

Ndërkaq në vend  rendën edhe shumë mjete të tjera lundrimi, italiane e malteze , që vijojnë të kërkojnë njerëzit, shumica tashmë të mbytur. Ndërkaq Komisariati i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) kërkon një “Mare nostrum” evropian. Kryeministri italian, Renzi, thirri Këshillin e jashtëzakonshëm të ministrave për në orën 17.00; komisari evropian për emigracionin Avramopoulos njoftoi se do të jetë në Romë të enjten e ardhshme, ndërsa presidenti francez Hollande, pas një bisede telefonike me kryeministrin Renzi, tha se BE-ja duhet të veprojë me urgjencë duke shtuar numrin e anijeve në operacionin Triton. Edhe Komisioni BE botoi një notë, përmes së cilës pohon se “duhet një ndërhyrje e vendosur”.








All the contents on this site are copyrighted ©.