2015-04-19 15:27:00

Françesku: dhimbja për kërdinë e re të emigrantëve, mjaft me tragjedi të tilla


“Bashkësia ndërkombëtare të veprojë për të shmangur rrezikun e përsëritjes së tragjedive të tilla!”. Gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, në Sheshin e Shën Pjetrit, Françesku ngriti edhe një herë fort zërin për t’i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, duke i kujtuar plojën e re të emigrantëve në Kanalin e Sicilisë, pas sa e sa tragjedive të tjera në ujërat e Mesdheut, që dalëngadalë po shndërrohet në një varrezë vigane. Përpara fjalëve kushtuar tragjedisë në bregdetin libian, Papa i nxiti të krishterët të jenë dëshmitarë gazmorë e jo njerëz që kërkojnë komoditetin e kënaqen me kotësi. Kujtoi edhe Ekspozimin e Sindonës në Torino, ku do të shkojë më 21 qershor.

Kërkonin një jetë më të mirë, gjetën vdekjen. Edhe një kërdi e re emigrantësh, me përpjestime të frikshme! Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, zëri i Papës u dridh nga emocioni, ndërsa nga Kanali i Sicilisë vijojnë të vijnë lajme të tmerrshme, që flasin për qindra viktima të mbytjes së një varke, drejtuar kah brigjet kundruall.

Mjaft më  humbje jetësh, të veprohet me vendosmëri e gatishmëri

Papa, që zgjodhi Lampeduzën si cak për shtegtimin e tij të parë apostolik, shprehu edhe një herë dhimbjen e tij të thellë dhe bëri thirrje që askush të mos qëndrojë indiferent përballë tragjedive të tilla:

“Shpreh dhimbjen time thellësisht të ndjerë përballë kësaj tragjedie, duke i kujtuar jetëhumburit e familjet e tyre në lutje. I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare të veprojë vendosmërisht, për të shmangur rrezikun e përsëritjes së  tragjedive të tilla. Janë burra e gra si ne, janë vëllezërit tanë,  që kërkojnë një jetë më të mirë: të uritur, të persekutuar, të plagosur, të shfrytëzuar, viktima të luftës; kërkojnë një jetë më të mirë… Kërkonin lumturinë… gjetën vdekjen…”.

Më pas, kur Françesku u ndalua për një çast në lutje të heshtur për viktimat e për familjarët e tyre, mbi Sheshin gazmor të Shën Pjetrit ra hija e zisë. Dhjetra mijëra vetë u zhytën në heshtje të thellë, duke u bashkuar shpirtërisht me heshtjen e Papës Françesku e duke jetuar, kështu, një çast tejet prekës, të ndjekur nga një Falemimri e dalë me të njëjtin emocion nga  mijëra zemra, që bashkonin zërin, me zërin e Atit të Shenjtë.

Gjithë të krishterët duhet të bëhen dëshmitarë të Jezusit

Para se të fliste për tragjedinë e re të emigrantëve, Papa u ndalua tek përvoja e Apostujve që, pasi e panë Krishtin të ngjallur, nuk mund të heshtnin më, nuk mund të mos e dëshmonin përvojën e tyre të jashtëzakonshme. Edhe sot, vërejti, gjithë të krishterët janë të thirrur të jenë dëshmitarë: të shikojnë, të kujtojnë, të tregojnë:

“Dëshmitar është ai, që ka parë me sy objektivë, ka parë një realitet, por jo me sy indiferent; ka parë e ka marrë pjesë në ngjarje. Prandaj edhe e kujton, jo vetëm pse është në gjendje t’i rrëfejë saktësisht faktet e ndodhura, por edhe pse këto fake i folën e ai e kuptoi thellësisht ç’i thoshin. Atëherë dëshmitari tregon, jo me ftohtësi e indiferencë, por si një, që merr pjesë në  ngjarjet, të cilat ia ndryshuan rrjedhën e jetës. Dëshmitari është njeriu, që ndryshoi jetë".

Për të qenë të besueshëm duhet dëshmia gazmore e përdëllyese

Përmbajtja e dëshmisë së krishterë, vërejti më pas Papa, nuk është teori, as ideologji, as sistem i ndërlikuar normash e ndalesash, e as moralizëm: është lajmi i shpëtimit, ngjarje konkrete, madje është një Person, një Vetje: është Krishti i ngjallur, Krishti i gjallë, i vetmi Shëlbues i gjithë njerëzve. E shtoi se çdo i krishterë duhet të jetë dëshmitar i Krishtit të ngjallur:

“Dëshmia e tij bëhet gjithnjë më e besueshme, kur i krishteri dallohet për një mënyrë jetese ungjillore, gazmore, guximtare, butarake, paqësore, përdëllyese. Por nëse i krishteri kërkon komoditetin, vrapon pas kotësive, pushtohet nga egoizimi, bëhet shurdh e qorr përballë ringjalljes së shumë vëllezërve, si do të mund ta komunikojë pushtetin çlirues të Jezusit të gjallë e dashurinë e Tij të pacak?”.

Maria, Nëna jonë, u lut Papa, na ndihmoftë që, me hirin e fesë, pavarësisht nga kufizimet tona, të bëhemi dëshmitarë të Zotit të ngjallur, duke u çuar njerëzve që takojmë dhuratën e Pashkëve të gëzimit e të paqes.

Sindona na ndihmoftë të gjejmë në Jezusin fytyrën e mëshirshme të Zotit

Në çastin e përshëndetjes së shtegtarëve, Papa kujtoi se në Torino nisi Ekspozimi i Sindonës së Shenjtë e se do të shkojë në kryeqendrën piemonteze  më 21 qershorin e ardhshëm:

“Uroj që ky akt nderimi të na ndihmojë të gjithëve të gjejmë në Jezu Krishtin, Fytyrën e mëshirshme të Zotit e ta njohim në fytyrat e vëllezërve, posaçërisht të atyre, që vuajnë më shumë”.

Së fundi Papa përshëndeti bashkësinë e Universitetit Katolik me rastin ditës së mbështetjes së ateneut. Është e rëndësishme, theksoi, që ky institucion të vijojë formimin e të rinjve me një kulturë, e cila e lidh ngushtë fenë me shkencën, etikën me aftësitë profesionale. Së fundi Papa  përshëndeti polakët, që morën pjesë në marshimin për shenjtërinë e jetës, organizuar sot në Varshavë, duke i inkurajuar ta mbrojnë gjithnjë jetën njerëzore.








All the contents on this site are copyrighted ©.