2015-04-18 15:28:00

Më 18 prill kalendari kujton Shën Eleuterin, ipeshkëv i Ilirikut dhe Ancien, nënën e tij


Më 18 prill kalendari i Kishës katolike përkujton Shën Eleuterin, ipeshkëv i Ilirikut dhe Ancien, nënën e tij, shenjtorë martirë.
Aktet apo shkrimet që flasin për martirizimin e Eleuterit, si ato greke (BHG, I, fq. 173-749 , ashtu edhe ato latine (BHL, i, fq. 368, NN. 2450-52), kanë më tepër karakter legjendar. Sipas shkrimeve greke, më të vona se shekulli V, Eleuteri, biri i Ancies, vejushë e konsullit Eugjenio, u shugurua diakon ose meshtar e më pas edhe ipeshkëv nga një farë Aniçeti. I dërguar si ipeshkëv në Ilirik, qe kapur nga Feliçi i cili e çoi në Romë ku u gjykua nga Perandori Adrian. Gjykimi nisi me premtime e përfundoi me dënimin me vdekje të Eleuterit e të nënës së tij. U martirizuan më 15 dhjetor.
Përkthimi latin i tekstit grek, i realizuar aty nga shekulli VIII, na tregon se Aniçeti, pasi e shuguroi Eleuterin, e çoi të kryente shërbimin ipeshkvnor në Apuliam Aecanam civitatem, prej nga u kthye, së bashku me t’ëmën, në Romë, ku edhe u mbyt më 18 prill. Gjithsesi ai hyri në martiriologun Romak me atributin “ Episcopi Illyrici” – “Ipeshkëv i Ilirikut” . E kjo përmes veprës së Baronios, i cili u mbështet ndër librat në gjuhën greke. 
Ndërkaq nuk dimë asgjë për jetën e Eleuterit, kulti i të cilit është shumë i lashtë. Përkujtimi i Shën Eleuterit (disa herë në formën latine Liberalis), në sinasarët grekë vendoset më 15 dhjetor ose 20 korrik; në martriologun Jeronimian, më 18 prill e më pas më 5 shtator e më 24 nëntor. Në Kalendarin Marmoreo të Napolit, më 18 prill; në librat moxarabikë në të njëjtën datë. Edhe librat liturgjikë janë dëshmitarë të kultit të tij. 
Një numër i madh kishash u ngritën në Itali për nder të Shenjtit: në Romë në rrugën Labikane; më pas në Nepi, në Vasto e në Parenco d’Istria, ku kremtohej me solemnitet më 18 prill. E kështu me radhë në të gjithë Italinë. Shën Eleuterit i është kushtuar edhe Kuvendi i famshëm i Maiellës në udhën Traiane. Si përfundim mund të themi se nuk duhet përjashtuar identifikimi i tij me martirin romak Liberalis, varrosur në varrezën ad clivum Cucumeris. Tek ky varr në shekullin VII mblidheshin shumë shtegtarë për të nderuar martirin, që me sa duket s’është tjetër, veçse Ipeshkvi i Ilirikut, që derdhi gjakun për Krishtin në Romë, ku emri i tij mori trajtën latine Liberalis.








All the contents on this site are copyrighted ©.