2015-04-17 16:54:00

Serbi-Vatikan: Nikoliç kërkon falje për shtyrjen e vizitës tek Papa


Presidenti serb Tomislav Nikoliç do të pritej sot në Vatikan nga Papa Françesku, me synimin që t’i fliste Atit të Shenjtë për qëndrimet e Kishës ortodokse serbe, me interes reciprok. Njoftimin e dha presidenca e Beogradit, në prag të nisjes për Romë.

Por pikërisht sot, kur duhet të ishte në Vatikan, presidenti serb i dërgoi Papës një letër, në të cilën i kërkon falje për anullimin e vizitës së parashikuar në Vatikan, duke shtuar se data e ardhshme do të caktohet në një kohë shumë të shkurtër. Shkaku, avaria e njërit nga motorët e avionit qeveritar, me të cilin shtegtonte Nikoliçi, gjë që e detyroi të rikthehej në Beograd, pas një fluturimi të shkurtër mbi Adriatik.

Sipas saktësimit të vetë presidentit Nikoliç, dje, para nisjes kreu i shtetit serb u takua me patrikun ortodoks Irinej, ndërsa sot do t’i përcillte Papës  qëndrimet e Kishës ortodokse me interes të përbashkët për të dyja Kishat.

Përveç Papës Françesku, Nikoliç do të takohej në Vatikan, edhe me sekretarin e Shetit, kardinalin Pietro Parolin, me sekretarin për marrëdhëniet me shtetet, kryeipeshkvin Peter Gallagher si dhe me kryetarin e departamentit për Ballkanin lindor.








All the contents on this site are copyrighted ©.