2015-04-17 15:56:00

Salikimet për kardinalin Tucci: Madhështia e jetës dhe e vdekjes në Krishtin


Sot, salikimet në Bazilikën e Vatikanit dhe varrosja e kardinali Roberto Tucci, që ndërroi jetë më 14 prill.  Të dielën e ardhshme do të kishte mbushur 94 vjeç. Salla për homazhet u hap të mërkurën, në orën 12.00, pranë Kapelës së Shoqërisë së Jezusit, në Borgo Santo Spirito 4. Ceremonia e mbylljes së arkivolit u kremtua sot, në orën 13.30, gjithnjë në Kapelën e Kuries së Jezuitëve. Mesha e Dritës, në të njëjtën ditë, duke nisur nga ora 15.30, në Bazilikën e Vatikanit, kryesuar nga kardinali Angelo Sodano, në Elterin e Katedrës së Shën Pjetrit.

“Natën ndërmjet së martës e së mërkurës së kaluar, në heshtjen e infermierisë së Shtëpisë së Përgjithshme të Shoqërisë Jezus, kardinali Tucci i mbylli sytë për skenën e kësaj bote. Përfundoi, kështu, jeta e gjatë e këtij biri të Shën Injacit e u hapën për të portat e amshimit”. Kështu u shpreh, në fillim të homelisë kardinali Angelo Sodano, dekan i Kolegjit Kardinalor, pasi citoi fjalët profetike të Shën Gjonit Apostull, shkëputur nga Libri i Zbulesës (14,13): “Lum ata që vdesin në Tënzonë!”. Të vdesësh në Zotin - ishte edhe lajtmotivi i gjithë homelisë, mbajtur në këtë Meshë Drite ku, veç personaliteteve  të ndryshme e sivëllezërve të atë Tuccit, ishin të pranishëm edhe një mori nga “bijtë”, që punuan përkrah tij në Radio Vatikan.

“Sa qe mbi këtë tokë, ai deshi të ishte anëtar i Shoqërisë së Jezusit, vijoi predikatari, e në këtë shoqëri besojmë se do të bëjë pjesë përgjithnjë edhe në qiell. Kjo është shpresa e çdo të krishteri, që vdes në Zotin, pohoi Dekani i Kolegjit Kardinalor, duke cituar veprën “Vdekja e krishterë” të sivëllait jezuit të kardinalit të ndjerë, atë Karl Rahner. 

Me të drejtë i krishteri shpreson ta gëzojë këtë lumni, sepse gjatë jetës  u përpoq të jetojë në Tënzonë. Në të vërtetë, në jetë besimtari ka një “ars Deo vivendi”, e prandaj për të mund të ketë edhe një “ars Deo morendi”, duke i zbuluar botës gjithë madhështinë e të jetuarit e të vdekurit në Krishtin. Ungjilli i kësaj Meshe, shtoi kardinali Sodano, vijon të na kujtojë se “të vdesësh në Zotin”, është pasojë e të jetuarit në Zotin, që u bë për ne “udha, e vërteta, jeta”. Këto fjalë duhet ta kenë ndriçuar udhën e jetës së kardinalit të ndjerë e duhet t’i ndriçojnë edhe jetët tona. Në Krishtin ai gjeti udhën e sigurt që të çon kah shtëpia e  Tij. Në Krishtin edhe ne gjejmë të njëjtën udhë.

Në përfundim kardinali Sodano citoi letrën e ngushëllimit, që Papa i dërgoi eprorit të përgjithshëm të jezuitëve, me rasin e vdekjes së kardinalit të ndjerë: “Ai na lë kujtimin e një jete plot veprimtari e gjallëri, të shkrirë me koherencë e bujari, në përkim të plotë me thirrjen e tij rregulltare, me vëmendje gjithnjë të përqendruar mbi shërbimin ndaj të tjerëve. Bari besnik i Ungjillit dhe i Kishës, që eci pa u lëkundur kurrë mbi gjurmët e Shën Injacit”.

Ky është trashëgimi që i ndjeri  Kardinali Robero Tucci na lë pas, Zoti i dhëntë çmimin, të cilin e ruan për shërbëtorët e tij besnikë”, shkruante Papa.

E ishte pikërisht Papa Françesku që, në orën 16.30, kryesoi ritin përfundimtar të Salikimeve: atë të “Porosive të fundme” (Ultima Commendatio) e të “Lamtumirës” (Valedictio).

Pushoftë në paqe!








All the contents on this site are copyrighted ©.