2015-04-17 13:44:00

Më 17 prill kalendari kishtar përkujton Shën Simeonin Bar Sabbà dhe Usthazade e shokët, martirë në Persi


Shën Simeoni, i njohur ndryshe me emrin Bar Sabbà, që do të thotë ‘biri i dërstilarit”, u emërua ‘catholikos’ – ‘ipeshkëv’ i Seleuçisë në Persi, menjëherë pas ipeshkvit të mëparshëm, që u shkarkua nga detyra në vitin 324. Në vitin 340 mbreti persian Sapori II, që rifilloi persekutimin e egër kundër të krishterëve, nuk ngurroi t’i detyronte që të paguanin dyfishin e taksave e të mbyllte të gjitha ndërtesat e kultit. Duke parë varfërinë e thellë të njerëzve, Simeoni nuk pranoi t’i mblidhte taksat. I vunë menjëherë prangat.

E hoqën, pastaj, zvarrë para mbretit dhe deshën ta detyrojnë të përulej para e tij e më pas të adhuronte zotin diell. Natyrisht nuk pranoi. E ky mospranim u përdor si pretekst për ta mbajtur në burg, së bashku me njëqind të krishterë të tjerë. Në birucën e burgut, i ngarkuar me zinxhirë, ipeshkvi shenjt arriti të kthente në fenë e krishterë Ustazaden, eunuk i sallës mbretërore dhe edukator i mbretit, i cili më pas do të martirizohej së bashku me atë që e ringjalli për një jetë të re në gurrën e Pagëzimit. 

Simeoni kaloi shumë kohë në burg, së bashku me njëqind shokët e tij, ipeshkvij, meshtarë e anëtarë të urdhrave të ndryshme rregulltare. Iu pre koka, pasi i therën para syve të tij, një nga një të gjithë shokët e fesë e të mjerimit, të cilët ai i kishte përforcuar në fe aq, sa ta pësonin me guxim të pashoq martirizimin për Krishtin. Në Martiriologun e mëparshëm Romak përmendeshin me emër disa nga shokët e martirizimit të Simeonit, e pikërisht meshtarët Abdaikla e Hanania si dhe zyrtari mbretëror Pusaik. Simeoni kujtohet si kryetar i këtij grupi martirësh në Shkurtoren siriane të vitit 412 si dhe në Martiriologun Romak, që e shënon përkujtimin e martirëve të Persisë më 17 prill. Po në këtë datë kalendari katolik përkujton edhe Ustazaden, që pësoi martirizimin së bashku me shumë të krishterë të tjerë nga të katër anët e Persisë, gjithnjë me urdhër të mbretit Sapori II.








All the contents on this site are copyrighted ©.