2015-04-16 18:47:00

Simpozium mbi ndryshimet klimatike dhe fetë në Vatikan


“Të mbrohet Toka, të fisnikërohet njerëzimi. Përmasat morale të ndryshimeve klimatike dhe zhvillimi i mundshëm”. Kjo është tema e Simpoziumit që do të zhvillohet në Vatikan të martën më 28 prill, organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave në bashkëpunim me “Religion for peace”. Punimet e simpoziumit do të hapen nga Sekretari i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, nga Presidenti i Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe, kardinali Peter Kodwo Appiah Turkson, e nga kancelari i Akademisë Papnore imzot Marcelo Sànchez Sorondo.
Në takim – njofton agjencia Sir – do të marrin pjesë 60 të ftuar si përfaqësues të botës së shkencës, të diplomacisë, ekspertë të zhvillimeve akademike e 20 liderë fetarë.
Simpoziumi zhvillohet në “vigjilje" të botimit të enciklikës së Papa Françeskut mbi mjedisin dhe të Summitit mbi ndryshimet klimatike të Parisit, që në dhjetor, do të ketë për detyrë të përcaktojë me shkrim, në një dokument, angazhimin e të gjitha kombeve dhe fuqive ekonomike për luftimin dhe reduktimin e gazrave dhe ruajtjen e temperaturës globale brenda normave të përcaktuara.
Simpoziumi i Vatikanit – lexohet në paraqitjen e Akademisë Papnore të  Shkencave – synon të “sensibilizojë e krijojë një konsensus mbi vlerat e zhvillimit në koherencë me vlerat e traditave të feve kryesore, me një vëmendje të veçantë ndaj atyre që janë më të cenueshëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.