2015-04-16 12:42:00

Papa Françesku: kush nuk di të dialogojë, do t’i bëjë të tjerët të heshtin


Kush nuk di të dialogojë, dëshiron t’i bëjë të heshtin ata, që predikojnë risinë e Zotit: këtë pohoi Papa në Meshën e mëngjesit, kremtuar në Kapelën e Shtëpisë së Shën Martës,

T’i bindesh Zotit është guxim për të ndërruar rrugë

Liturgjia e ditës flet për bindjen, dëgjimin e zërit të Zotit. Bindja, vërejti Papa, shumë herë na çon në një udhë të ndryshme, nga ajo që mendonim. Të bindesh do të thotë të kesh guximin për të ndërruar rrugë, kur Zoti ta kërkon këtë. Kush bindet, ka jetën e pasosur, ndërsa ai që nuk bindet, e ka mbi kokë zemrimin e Zotit. Papa shtjelloi kështu Leximin e parë, shkëputur nga veprat e Apostujve, ku tregohet se priftërinjtë dhe krerët u japin urdhër dishepujve të Jezusit të mos ia predikojnë më Ungjillin popullit; tërbohen, janë përplot me zili, sepse para syve të tyre ndodhin mrekulli e populli i ndjek e numri i besimtarëve rritet nga dita në ditë. I mbyllin në burg, por natën Engjëlli i Zoti i liron e të nesërmen shihen përsëri udhëve duke kumtuar Ungjillin. I ndalojnë rishtas e i pyesin e Pjetri u përgjigjet kërcënimve të kryepriftit: “Duhet dëgjuar Zoti, jo njerëzit”. Priftërinjtë nuk arrinin ta kuptonin:

“Po këta ishin doktorë, kishin studiuar historinë e popullit, kishin studiuar profecitë, kishin studiuar ligjin, e dinin në majë të gishtërinjve teologjinë e popullit të Izraelit, zbulesën e Zotit, dinin gjithçka, ishin doktorë, e megjithatë të paaftë për ta njohur shëlbimin e Zotit. Po si është e mundur gjithë kjo ngurtësi zemre? Sepse nuk është ngurtësi koke, nuk është kokëfortësi. Këtu qëndron ngurtësia. E nuk mund të mos pyesësh: si është e mundur gjithë kjo ngurtësi, ngurtësi e plotë, koke e zemre?”.

Kush nuk di të dialogojë, nuk i bindet Zotit

Historia e kësaj kyeneçësie, udha e saj, nënvizoi Papa, është ajo e mbylljes në vetvete, e paaftësisë për të dialoguar, e mungesës së dialogut:

“Këta nuk dinin të dialogonin, nuk dinin të dialogonin me Zotin, sepse nuk dinin të luteshin e të dëgjonin zërin e Zotit e, prej këndej, nuk dinin të dialogonin me të tjerët. ‘Por pse janë kështu interpretuesit?’. Ata vetëm sa e shpjegonin si ishte ligji, për ta bërë sa më të saktë, po nuk arrinin t’i kuptonin shenjat e Zotit në histori, e kishin zemrën të mbyllur për Zotin e për popullin. Ishin të mbyllur. Të mbyllur! Mungesa e dialogut, kjo mbyllje e zemrës, i bëri të mos i binden Zotit”.

E kjo është drama e këtyre doktorëve të Izraelit, këtyre teologëve të popullit të Zotit: nuk dinin të dëgjonin, nuk dinin të dialogonin. Dialogu bëhet me Zotin e me vëllezërit.

Kush nuk dialogon, dëshiron t’ua mbyllë gojën predikatarëve të risisë së Zotit

Shenja që tregon se një njeri nuk di të dialogojë, nuk e dëgjon zërin e Zotit, nuk i shikon shenjat që bën Zoti në gjirin e popullit të vet, pohoi Papa, është tërbimi e dëshira për t’ua mbyllur gojën të gjithë atyre që predikojnë, në këtë rast, risinë e Zotit, domethënë Jezusin e Ngjallur. Nuk kanë arsye, por arrijnë deri këtu. Është udhë e dhimbshme. Janë po ata, që paguan rojet e varrit për të thënë se dishepujt e kishin vjedhur korpin e Jezusit. Bëjnë ç’është e mundur për të mos ia hapur zemrën zërit të Zotit:

“E në këtë Meshë, të lutemi për mjeshtrat, për doktorët, për ata që mësojnë popullin e Zotit, që të mos mbyllen në vetvete, që të dialogojnë e kështu të shpëtojnë nga zemërimi i Zotit pse, po të mos ndërrojnë rrugë, do të mbetet mbi kokat e tyre”.








All the contents on this site are copyrighted ©.