2015-04-16 15:06:00

Ngushëllimet e Papës për kardinalin Tucci


Lajmi i hidhur i vdekjes së kardinalit Roberto Tucci, Rregulltar i Urdhërit të Jezuitëve, drejtor i revistës “Civiltà Cattolica” dhe i “Radio Vatikanit”, si dhe organizator i shtegtimeve papnore, tashmë ka marrë dhenë. E edhe njoftimi për homazhet në Kurien e Jezuitëve e për Meshën e Dritës, me 17 prill, në Bazilikën e Vatikanit.

Ndërkaq  sivëllezërve të tij jezuitë u arrijnë një mori telegramesh ngushëllimi për këtë Burrë të madh të Kishës Katolike, të njohur në të katër anët e botës, kudo shkeli këmba e Gjon Palit II. Papa, në mesazhin e tij të ngushëllimit,  drejtuar Eprorit të përgjithshëm të Urdhërit, atë Adolfo Nicolás e kujton me mirënjohje të thellë  ndihmesën që kardinali i nderuar i dha për dhjetra vjet Selisë së Shenjtë. Kujton, më pas, jetën e tij plot punë e gjallëri, shkrirë me koherencë e bujari, në përkim të plotë me thirrjen e tij rregulltare, me vëmendje gjithnjë të përqendruar mbi shërbimin ndaj të tjerëve. Bari besnik i Ungjillit dhe i Kishës, e quan Papa, që eci pa u lëkundur kurrë mbi gjurmët e Shën Injacit.

Rikujtojmë se Mesha e Dritës së Kardinalit të ndjerë do të kremtohet nesër, në Bazilikën e Vatikanit, kryesuar nga kardinali Angelo Sodano, dekan i Kolegjit Kardinalor. Në përfundim Papa Françesku do të kryesojë ritin e Porosive të fundme (Ultima Commendatio) e të Lamtumirës (Valedictio).








All the contents on this site are copyrighted ©.