2015-04-16 15:14:00

Këshilli i kardinajve: konsolidohet lindja e dy dikastereve


Reforma e Kuries. Kjo ishte tema, në qendër të takimit të Këshillit të nëntë kardinajve këshilltarë, nisur të hënën e kaluar. Në punimet e këtij sesioni takimesh, që përfunduan dje pasdite, mori pjesë edhe Papa Françesku. Drejtori i Sallës  vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, i përmblodhi rezultatet gjatë një takimi të shkurtër, kushtuar veprimtarisë së Këshillit të të nëntëve.

Atë Lombardi shpjegoi se reforma e Kuries Romake do të shikojë dritën aty nga fundi i 2016-tës, kur, saktësoi, nëse nuk do të jetë përfunduar akoma Kushtetuta e re apostolike, do të jenë përcaktuar, të paktën, vijat operative. Gjatë takimeve të këtyre ditëve, shtoi atë Lombardi, u trajtua posaçërisht çështja e krijimit të dy dikastereve të reja.

“Në përgjithësi, mund të thuhet se vija e themelimit të këtyre dy dikastereve të reja, për të cilat është folur: dikasterit  Bamirësi, Drejtësi, Paqe – dhe Laikët, Familja, Jeta- është vijë e konsoliduar mjaftueshëm”.

Reforma e mediave të Vatikanit

Temë tjetër, që u prek, ishte ajo e mediave të Vatikanit, duke u nisur nga plani i formuluar më parë. Një, në veçanti, kërkesa, që iu drejtua Papës: “të emërohet një grup, një komision, mund ta quajmë edhe kështu, që të ketë përgjegjësinë t’i studiojë mirë hapat për vënien në jetë të kësaj skeme tashmë të miratuar.

Mbrojtja e të miturve

Një pikë tjetër interesante, lidhur me mbrojtjen e të miturve, ishte ajo e përgjegjësisë së Kishës, domethënë, çështja sesi të përballohen, tha atë Lombardi, e me çfarë procedurash e kompetencash, rastet që nuk janë aq ato të krimit të shpërdorimit seksual mbi njerëzit - këto janë rregulluar tashmë në një farë mënyre nga normat ekzistuese – por rastet e shpërdorimit të zyrës, të moskryerjes së detyrës, posaçërisht nga ana e personave që kanë përgjegjësi në Kishë, qofshin meshtarë, ipeshkvij, eprorë rregulltarë ose të tjerë.

Martirizmi armen dhe “genocidi”

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari, lidhur me përdorimin, nga Papa, të dielën e kaluar, të termit “genocid”, atë Lombardi shpjegoi se fjalët e Françeskut radhiten në një vijë të saktë e koherente, në hullinë e dialogut.

Ajo, që tha Papa, më duket e qartë si drita e diellit. E tha, e sqaroi, citoi Deklaratën e përbashkët të Gjon Palit II e Karekinit II. Termin “genocid” e përdori pikërisht në sa citonte këtë Deklaratë, duke shtuar edhe shprehjen, që vihet pas kësaj fjale, sa herë përdoret: “i quajtur përgjithësisht ‘genocidi i parë i shekullit XX’”. Pastaj duhet theksuar edhe vizioni shumë interesant i Papës, që mua më duket vërtet gjenial, kontekstualizimi historik. Nuk tha “Të vijojmë e të diskutojmë për genocidin e armenëve”. Vëmendje, ky është i pari. E pastaj në shekullin e kaluar e kështu me radhë, kanë ndodhur edhe krime të tjera të tmerrshme e po vijojnë të ndodhin edhe sot e kësaj dite, kështu që duhet t’i kushtohet kujdes asaj, që ndodhi në histori, në mënyrë që më pas të kemi vlerësime të ngjashme për të ecur përpara në udhët e një historie më të mirë, në të cilën këto ngjarje nuk do të përsëriten kurrë më”. Kjo ishte tejet e qartë për atë, që dëshironte ta kuptonte, e edhe shumë e pasur me këtë referim pozitiv në fund, me dëshirën e pajtimit e të dialogut ndërmjet popullit turk e popullit armen. Një perspektivë, pra, tejet pozitive”.

Atë Lombardi njoftoi edhe se takimet e ardhshme të Këshillit të kardinajve janë në program për 8 deri më 10 qershor, 14 deri më 16 shtator dhe 10 deri më 12 dhjetor.  








All the contents on this site are copyrighted ©.