2015-04-15 13:22:00

Të ndalet dhuna në Halep: kjo është britma e Kishave të krishtera


Të ndalet vuajtja e dhuna: Kjo është thirrja dramatike e Këshillit të krerëve të komuniteteve të ndryshëm të krishtera të qytetit sirian Halep, të cilët përmes një komunikate i kërkojnë bashkësisë ndërkombëtare t’i japë fund tragjedisë humanitare që po konsumohet në qytetin sirian.
Mjaft me vrasje, shkatërrime e shkretime. Të ndalet shitja e armëve. Ky është rënkimi i Kishave të krishtera, të cilat kërkojnë nga bota shpëtimin e qytetit sirian martir, Halep, që në afërsi të Pashkëve ortodokse, më 12 prill, është bombardua pareshtur. Gjendja në këtë qytet është keqësuar shumë, denoncon për Asia News, vikari apostolik latino-katolik i Hapelit, imzot Georges Abou Khazen, i cili thotë se “jemi dëshmitarë të një përshkallëzimi ushtarak” përballë popullsisë civile, të krishterë e myslimanë, që “është sfilitur nga këto akte të tmerrshme dhune”. Ndeshjet me armë nuk kursejnë as shtëpi, as shkolla, as kishë e as organizata humanitare, lagjet e të krishterëve janë bombarduar me armë të rënda. Ditëve të fundit kemi pasur me dhjetëra viktima të krishtera, denoncon akoma imzot Abou Khazem, e numri i viktima rritet gjithnjë më shumë. Kemi vajtuar vdekjen e dhjetëra martirëve të çdo feje e komuniteti, shkruajnë ipeshkvijtë, të cilët kërkojnë të jetojnë në paqe, si qytetarë të ndershëm së bashku me bijtë e tjerë të Sirisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.