2015-04-15 15:24:00

Papa Françesku përshëndet familjarët e Asia Bibit, në burg për blasfemi


Në mbarim të audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Vatikan, Papa Françesku përshëndeti disa anëtarë të familjes, burrin dhe njërën vajzë të Asia Bibit, gruas së krishterë pakistaneze të akuzuar për blasfemi e për këtë arsye të dënuar me vdekje. Së bashku me avokatit e tyre mbërrin dje në Romë nga Pakistani, me ndihmën e organizatës CitizenGO, për t’i kërkuar Italisë dhe Evropës mbarë të ndërhyjnë e të bëjnë gjithçka për ta liruar gruan e burgosur.
“Që gjashtë vjet, gruaja ime, Asia Bibi është e burgosur, por është e pafajshme, situata është e keqem kërkoi ndihmë nga Italia e nga Evropa”. Zëri i Ashiq Masiq është i ultë, gati gati një pëshpëritje, por i vendosur, kur flet për vuajtjet e gruas së tij Asia Bibi, për vuajtjet e familjes së tij, e të tërë komunitetit të krishterë pakistanez të munduar nga dhuna. Ashiq Masiq gjendet në Romë me njërin prej pesë fëmijëve, vajzën Eisham, 15 vjeçe, e cila me emocion përshkon faktet e ngjarjes që sollën në arrestimin e nënës, vetëm pse pati diskutuar me disa gra tjera, një diskutim i ndezur ky, që asaj si e krishterë, nuk i falet. As burrin e saj Eisham nuk e kanë falur, e edhe ajo, vetëm 9 vjeçe, qe rrahur së bashku me nënën Asia Bibi, nga ata që donin t’u impononin konvertimin në islam. Sot familjarët e Asi Bibit, kërkojnë prej nesh t’i lutemi Hyjit që t’i ndihmojë të qëndrojnë besnik e të fortë në fe, për lirimin e Asia Bibit dhe për rivendosjen e paqes e të harmonisë në Pakistan.








All the contents on this site are copyrighted ©.