2015-04-15 14:06:00

Ndërroi jetë kardinali Roberto Tucci


Ndërroi jetë mbrëmë, në Romë, kardinali Roberto Tucci. Të dielën e ardhshme do të kishte mbushur 94 vjeç. Salla për homazhet u hap sot, në orën 12.00, pranë Kapelës së Shoqërisë së Jezusit, në Borgo Santo Spirito 4. Ceremonia e mbylljes së arkivolit do të kremtohet të premten, 17 prill, në orën 13.30, gjithnjë në Kapelën e Kuries së Jezuitëve. Mesha e Dritës, në të njëjtën ditë,  duke nisur nga ora 15.30, në Bazilikën e Vatikanit, kryesuar nga kardinali Angelo Sodano, në Elterin e Katedrës së Shën Pjetrit. Në orën 16.30 Papa do të thotë Lutjen përfundimtare të Salikimeve.

Hapat e para

Kardinali Tucci lindi në Napoli, më 19 prill 1921. Ishte bir i Mario e Eugenia Watt Lega, të konfesionit anglikan. Pesëmbëdhjetë vjeç hyri në noviciatin e Shoqërisë së Jezuitëve, në Vico Equense (Napoli) duke kryer shkëlqyeshëm kursin tradicional të studimeve të Urdhërit. Më 1941 mori dëftesën e pjekurisë klasike, më pas, atë filozofike (Gallarate 1944), dhe diplomën në filozofi (Napoli 1947) e atë në Teologji (Luvën 1951). Më 24 gusht 1950 u shugurua meshtar. Pasi kreu, pranë Universitetit Gregorian, Doktoratën në Teologji, u caktua profesor në Fakultetin Teologjik të Shën Luigjit, në Napoli, ku dha mësim për dy vjet me radhë e, me profesorë të tjerë, nxori në dritë revistën “Digest religioso”, që më pas e ndërroi titullin në “Përmbledhje e Teologjisë”, duke u vënë në krye të kësaj veprimtarie, si drejtor i revistës

Drejtor i Civiltà Cattolica

Më 1956 u thirr për të bërë pjesë në radhët e Kolegjit të shkrimtarëve të revistës “La Civiltà Cattolica”(Qytetërimi Katolik), drejtor i së cilës u emërua tri vjet më pas. Kjo është periudha kur, përveç drejtimit të revistës së mirënjohur të jezuitëve italianë, së cilës i dha hov të ri e frymëmarrje më të madhe ndërkombëtare, Atë Roberti kreu një mori detyrash drejtuese në gji të Urdhërit të tij, në fushën ekumenike e në organizmat e Selisë së Shenjtë.

Ekspert në Koncilin II të Vatikanit

Vlerë të veçantë ka kontributi i tij në punimet e Koncilit II të Vatikanit. Që në fillim të përgatitjes, atë Tucci ishte anëtar i Komisionit Përgatitor për Apostullimin e Laikëve. Gjatë Koncilit dha një kontribut të çmuar, me cilësinë e “peritus”(ekspertit), në hartimin e Dekretit mbi Apostullimin e  Laikëve dhe të Kushtetutës Baritore mbi Kishën në botën moderne. Gjatë gjithë Sesionit të dytë, të tretë e të katërt të Koncilit, mbajti konferenca të përditshme për gazetarët e akredituar pranë Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë. Pas mbylljes së Koncilit, qe anëtar i Komisionit paskonciliar për Apostullimin e Laikëve, deri në themelimin e “Consilium de Laicis”. Mori pjesë në Sinodin e Ipeshkvijve të 1969-tës dhe të 1971-së, si anëtar i Qendrës së Shtypit Zyrtar.

Angazhimi ekumenik

Ishte zëvendës-kryetar i Bashkimit Katolik të Shtypit Italian (UCSI)  nga viti 1961, deri më 1982; Këshilltar i Sekretariatit për Bashkimin e të Krishterëve (1973-1989). Mori pjesë në shumë takime të mëdha ekumenike, si ai i Upsalës, në Suedi dhe drejtoi për shumë vjet revistën ndërkombëtare teologjike “Concilium” ndërsa, në vitin 1969, meritoi çmimin gazetaresk nga Shoqata katolike e shtypit të SHBA-ve “për artikullin që, në vitin 1968, dha më shumë kontribut në fushën e ekumenizmit”. Mori pjesë edhe në takime të tjera të rëndësishme ekumenike, si ai i mbajtur në Nairobi të Kenias (1975).  E qe edhe këshilltar i Eprorit të Përgjithshëm të Urdhërit të Jezuitëve, atë Pedro Arrupe, për ekumenizmin.  Në mars 1966 mori diplomën në drejtësi pranë Universitetit Notre Dame, Indiana (SHBA), me rastin  e Kongresit Ndërkombëtar, mbajtur atje, mbi “Tematikat teologjike të Koncilit II të Vatikanit”.

Drejtor i përgjithshëm i Radio Vatikanit

Në shtator të vitit 1973 u emërua drejtor i Radio Vatikanit, duke zënë vendin e drejtorit të përgjithshëm, atë Giacomo Martegani S.I., që  u largua nga detyra për arsye shëndetësore.  Prania e tij në drejtim, i dha hov të ri emitentes, duke e fuqizuar, sipas dëshirës së Papës Pali VI. Në këtë kohë lindën programe të reja, të nxitura edhe nga atmosfera e Vitit Shenjt 1975. Kujtojmë programin informativ në katër gjuhë për shtegtarët. Nën drejtimin e tij, Radioja e Papës u ngrit në një nivel të lartë profesional informativ. U zhvillua më tej edhe programi muzikor, i cili i bëri programet e Radio Vatikanit gjithnjë më tërheqëse edhe për publikun, që nuk është shumë afër Kishës. Paralelisht, u fuqizuan edhe strukturat teknike, si të prodhimit, ashtu edhe të përhapjes së programeve. Në shkurt 1976  atë Tuccit iu dha titulli “Ofiqar i Legjionit të Nderit” i Republikës Franceze. Nga viti 1977, deri në vitin 1983, ishte edhe anëtar i Këshillit Drejtues të Universitetit të Georgetown (Washington DC).

Organizues i shtegtimeve papnore

Me fillimin e Papnisë së Gjon Palit II, për Radio Vatikanin  nisi një stinë, që i dha frymëmarrje të re, më të gjerë, duke e çuar zërin e saj deri në skajet më të largëta të tokës, ku mund të arrinin deri asokohe valët herciane e ku Radio Vatikani nisi të shkelë edhe fizikisht, duke ecur në gjurmët e Papës Shtegtar. Me cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm  të Radio Vatikanit, e shoqëroi Papën Woltyla që në shtegtimin e parë apostolik, atë të Meksikës. E shoqëroi, më pas, në Francë, më 1980 e në Austri, më 1982, duke vijuar, kështu, deri në vitin 2001, edhe angazhimin si organizator i vizitave papnore në të katër anët e botës. Me kërkesën e tij, pas  ngarkimit me detyrën më të rëndësishme të Papnisë së Gjon Palit II, atë të shtegtimeve, u mbështet edhe nga zëvendës-drejtori i përgjithshëm i Radio Vatikanit, atë Pasquale Borgomeo S.I., që do t’ia zinte vendin, më 1985, si drejtor i përgjithshëm i Radios sonë. Po kjo nuk e ligështoi aspak lidhjen e tij të fuqishme me Radion, jo vetëm pse vijoi të kryesonte Komitetin e Koordinimit të Emitentes, e cila më 1 janar 1986 u bë Admnistratë e pavarur, por sidomos pse Radioja, në një fare mënyre, ishte një pjesë e mirë e jetës dhe angazhimit të tij. Edhe kur iu desh të mbështetej mbi shkop, në ditët e mungëta të moshës së shkuar, figura e tij shtatlartë, e shumëdashur për familjen e Radio Vatikanit, ishte e gjithëpranishme në korridoret e gjata, në redaksitë e, sidomos, në Kapelën radifonike, ku rreh zemra e Radios, me rrahje që ndjehen në mbarë Planetin!

Gjon Pali II e krijon kardinal

Shën Gjon Pali II e krijoi kardinal më 21 shkurt 2001, me titullin e Shën Injacit të Lojolës në Campo Marzio, Diakoni e lartuar nga pro hac vice, në titull presbiterial (21 shkurt 2011).

Njohës i mirë e mik i shqiptarëve

Atë Roberto Tucci ishte mik i mirë e njohës i madh i shqiptarëve. Bashkëvëlla e shok udhe me jezuitët misionarë në Shqipëri: atë Giovanni Fausti, Atë Giacomo Gardin e, sidomos, Atë Giuseppe Valentini, ai e njohu nga afër historinë e kulturën e Kombit shqiptar si dhe martirizimin e tij në rrjedhë shekujsh. E kjo njohje u thellua edhe më tepër, kur organizoi vizitën e Gjon Palit II në Shqipëri. Ç’kishte  lexuar e dëgjuar për Shqipërinë e rrethuar nga telat me gjemba, e preku me dorë në pranverën e vitit 1993, kur i hapi Gjon Palit II udhën që do ta çonte në trojet shqiptare. 








All the contents on this site are copyrighted ©.