2015-04-15 16:41:00

Françesku: gender, hap mbrapa. Burri e gruaja kanë të njëjtin dinjitet


Teoria e “gender”, në vend që të jetë zgjidhje për problemet e marrëdhënieve të burrit me gruan, rrezikon të jetë një hap mbrapa. E pohoi Papa Françesku, në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në praninë e 50 mijë vetëve. Papa ripohoi se burri e gruaja u menduan nga Zoti me karakteristikat përplotësuese e u pajisen të dy me të njëjtin dinjitet.

Mashkull e femër i krijoi e për Hyjin të dyja krijesat i ngjasonin Atij e u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Tij, për të plotësuar njëri-tjetrën. Ishin, pohoi Papa, kryevepra e Hyjit, kulmi i krijimit hyjnor. Problemet lindën më vonë, me njeriun, kur gjatë historisë, nisi t’i shikonte ndryshimet si kundërvënie e i pëlqeu nënshtrimi reciprok, deri në ditët tona, ditët e të drejtave të kërkuara e madje, edhe të imponuara, që në vise të ndryshme të botës janë një fjalë gjysëm e njohur e edhe e shkelur me këmbë.

Gender, hap prapa

Françesku niset pikërisht nga kultura moderne e bashkëkohore, për të ripohuar, në hapësirën ndërmjet dy Sinodeve, vizionin e krishterë për çiftin e për martesën. Niset nga hapësirat e reja të lirive individuale në marrëdhëniet burrë-grua, që po krijojnë, ashtu si teoria e “gjinisë”, shumë dyshime e skepticizëm.

“Unë pyes, për shembull, thua nuk është e ashtquajtura teori e “gender”  shprehje e dështimit dhe e dorëzimit, që synon t’i zhdukë ndryshimet seksuale, sepse nuk është më në gjendje të ballafaqohet me to? Po, më duket se rrezikojmë të bëjmë një hap mbrapa. Sheshimi i ndryshimeve, në të vërtetë, është problemi, jo zgjidhja e tij”.

Reciprocitete për të kuptuar ndryshimin

Françesku mbështetet në përvojën konkrete e të përditshme, që na e mëson realiteti i dukshëm:

“Për t’u njohur mirë e për t’u rritur harmonikisht, qenia njerëzore ka nevojë për marrëdhëniet reciproke të burrit me gruan. Kur kjo nuk ndodh, shihen qartë pasojat. U krijuam për të dëgjuar e për të ndihmuar njëri-tjetrin. Mund të themi se pa pasurimin reciprok në këtë lidhje, në mendim, në veprim, në ndjesi, në punë, e edhe në fe, të dy nuk mund as të kuptojnë deri në fund ç’do të thotë të jesh burrë e të jesh grua”.

Të duhemi më shumë

Burrin e gruan, vijoi, Hyji i krijoi sipas shëmbëlltyrës së vet jo vetëm individualisht, por edhe si çift, e, prej këndej, ndryshimi ndërmjet tyre duhet parë si “bashkim” e “krijim breznish”. Nuk mund të mos i bëj vetes pyetjen, vijoi akoma Françesku, nëse kriza e besimit kolektiv në Zotin, që na bën aq keq, që na bën të sëmuremi e t’i nënshtrohemi mosbesimit e cinizmit, është e lidhur edhe me krizën e besëlidhjes ndërmjet burrit e gruas:

“Për t’i zgjidhur problemet e marrëdhënieve ndërmjet tyre, burri e gruaja duhet të flasin më shumë, të dëgjojnë më shumë, të njihen më shumë, të duhen më shumë. Duhet ta trajtojnë nëri-tjerin me respekt e të bashkëpunojnë me mirësi. Me këtë bazë njerëzore, mbështetur nga hiri i Hyjit, është e mundur të projektohet bashkimi martesor e familjar për gjithë jetën. Lidhja martesore e familjare është diçka tejet serioze, për të gjithë, jo vetëm për besimtarët.

Të dëgjohen më shumë gratë

Papa i fton edhe intelektualët të mos  e lënë mënjanë këtë temë, por që zëri i tyre të ketë peshë reale, autoritet të njohur, në shoqëri e në Kishë. Nuk e kemi kuptuar akoma thellësisht cilat janë gjërat, që mund të na japë gjenia femërore, gjërat që gruaja mund t’i dhurojë shoqërisë, e edhe ne, sepse di t’i shikojë gjërat me sy të tjerë, që e përsosin mendimin e burrave. Është udhë, e cila duhet përshkuar me frymë më të thellë krijuese e me më shumë guxim.

Mjaft me padrejtësi kundër grave!

Katekizmi përfundoi me një shtojcë domethënëse, kur Françesku rikujtoi konceptin e barazisë dhe të dinjitetit të njëllojtë të burrit me gruan në çastin e përshëndetjes së grupeve të gjuhës arabe, ardhur nga Libani e nga Lindja e Mesme. Zoti krijoi njeriun, mashkull e femër, sipas shembëlltyrës së Tij, duke u dhënë të dyve të njëjtin dinjitet e të njëjtën barazi, tha Papa, duke porositur, më pas: të punojmë në Kishë e në shoqëri, që kjo barazi të respektohet, duke  refuzuar çdo formë të nëpërkëmbjes e të padrejtësisë, posaçërisht kundër grave. Zoti ju bekoftë të gjithëve e ju mbrojtët nga i keqi!








All the contents on this site are copyrighted ©.