2015-04-15 19:21:00

Besëlidhja e Lezhës një mesazh i bashkimit


Bashkia e Lezhës, me datë 2 mars 2015, në përkujtim të 571- vjetorit të Kuvendit të Lezhës, njëra prej ngjarjeve më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar, ka organizuar veprimtarinë kulturore artistike me temë: “Rron në shekuj Besëlidhja e Lezhës”. Në këtë përvjetor të Kuvendit historik erdhën për të festuar në Lezhë qytetarë, nxënës shkollash, personalitete të politikës, historianë, studiues dhe akademikë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Në pritjen e rezervuar nga kreu i Bashkisë Viktor Tushaj, përfaqësuesja e Shoqërisë Civile Nertila Marku, ndër të tjera bëri të ditur kërkesat e një peticioni të përgatitur dhe të firmosur nga intelektualë, historianë, akademikë dhe shqiptarë të diasporës me kërkesën për ta shpallur 2 Marsin Festë Kombëtare. Po ashtu ky peticion kërkonte shkrimin e emrit në pllakën e vitit 1962 Gjergj Kastrioti dhe rikonceptimin e vendvarrimit të heroit në origjinalin e vitit 1468. Më pas në memorialin që ruan vendvarrimin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, bënë homazhe e vendosën kurora me lule drejtues të pushtetit vendor, të arqipeshkvisë Shkodër-Pult dhe të dioqezës së Lezhës. Në fjalën e tij përshëndetëse kreu i Bashkisë Tushaj ndër të tjera tha edhe se ne jemi krenarë që identifikohemi me Gjergj Kastriotin Skënderbeun, këtë kalorës legjendar, që për 25 vjet mbrojti atdheun e vet dhe u bë mburojë e qytetërimit evropian. Sot duke qenë të bindur se shprehim edhe vullnetin dhe dëshirën e historianëve, të shoqërisë civile, por edhe të të gjithë shqiptarëve, është vendi dhe koha të kërkojmë nga Shteti dhe nga Parlamenti Shqiptar që data 2 Mars të shpallet Ditë Feste Përkujtimore Kombëtare. Me krenarinë që i përkasim këtij qyteti, përfundoi fjalën e tij Tushaj, qyteti i cili 571 vjet më parë pati nderin të mikpriste dhe të shënonte Besëlidhjen e parë të shqiptarëve në histori, të punojmë për ta ruajtur këtë qytet si simbol të bashkimit, të unitetit, të harmonisë dhe të mirëkuptimit njerëzor. Vetëm të bashkuar shqiptarët, si çdo komb tjetër në historinë e vjetër dhe moderne të botës, theksoi në fjalën e tij përshëndetëse Prefekti i Lezhës Ndrec Deda, kanë dëshmuar se mund të jenë të fortë, se mund t’i realizojnë aspiratat e tyre. Në këtë 2 Mars përcollën mesazhet e tyre të paqes, të mirëkuptimit, të tolerancës, të vëllazërimit, të bashkimit dhe të harmonisë mes shqiptarëve edhe Arqipeshkvi i ShkodërPultit Imzot Angelo Massafra dhe Imami i xhamisë së Lezhës Agim Terziu. Në vazhdim përshëndetja e Imzot Massafra: “Ju përshëndes të gjithëve dhe falënderoj Kryetarin e Bashkisë që më ftoi. Përshëndes Ipeshkvin e Lezhës Imzot Ottavio Vitale dhe Myftininë e Lezhës, të gjitha autoritet civile, ju të dashur fëmijë, miq, burra e gra. Është gjithmonë gëzim për mua që të kthehem në vendin ku kam qenë frat e pastaj ipeshkëv dhe ju falënderoj për respektin që keni ndaj meje. Kjo ditë është një ditë historike dhe fryma që ka pasur heroi ynë Gjergj Kastrioti Skënderbeu me gjithë krerët e fiseve dua që të ngjallet edhe sot mes nesh.

Mesazhi i kësaj dite është mesazhi i bashkimit për të luftuar kundër armiqve, si atëherë kur luftuam ushtritë otomane. Edhe sot unë lus dhe e bëj këtë thirrje në emër të kësaj dite, me qëllim që të gjithë, duke vlerësuar atë që jemi, pavarësisht fesë dhe ideve politike, domethënë faktin që jemi bij të Hyjit dhe që kemi një Zot që na do të gjithëve, të angazhohemi më shumë që të jemi më të bashkuar për të ngritur shortet e Lezhës dhe të Shqipërisë sonë. Edhe tani që jemi në rrugë drejt Evropës duhet të japim kontributin tonë. Në atë kohë këtë kontribut e kemi dhënë duke qenë një pengesë e fortë për të ndaluar që Otomanët të mos shkonin deri përtej Romës e Parisit. Sot në kulturën tonë, me angazhimin dhe guximin tonë, si edhe me vlerat që kemi, ndër të cilat është edhe bashkëjetesa fetare, do të shkojmë përtej Adriatikut, duke hyrë kështu në Evropën politike dhe atë gjeografike me vlerat tona. Ky është urimi im, që t'i themi jo dhunës, jo analfabetizmit, jo të keqes, jo drogës, por po të Mirës, po bashkimit, po kulturës dhe po angazhimit të përditshëm. Urime e faleminderit për vëmendjen”. Në fund, grupet artistike të Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri” dhanë një program artistik me këngë kushtuar Gjergj Kastriotit dhe Besëlidhjes së Lezhës. Rrok Lelçaj

Nga Fjala e Paqes faqe 8 Nr. 2 (121) Viti XVII SHKODËR 2015








All the contents on this site are copyrighted ©.