2015-04-14 17:11:00

Viti Shenjt: ç’kuptim ka e pse quhet kështu


Viti Shenjt është vit i hirit të Zotit për ty, për ne, për mbarë Kishën e për gjithë botën.

Viti Shenjt i ka rrënjët e veta në Shkrimin Shenjt, në Bibël, si në Besëlidhjen e Vjetër, ashtu edhe në të Renë. Moisiu vendosi, me ligj, që çdo 50 vjet të kremtohej një vit i jashtëzakonshëm. Gjatë këtij viti duhet të faleshin fajet, të çliroheshin skllevërit (Lev 25,8), por, mbi të gjitha, duhet të ishte Viti në të cilin, në emër të Zotit, duheshin kryer vepra mëshire e vepra të tjera me karakter ekonomiko-shoqëror për të bërë, kështu, që të gjithë ta shikonin se Hyji është Zoti i mbarë njerëzimit. Viti Shenjt quhet edhe Vit Jubilar. Ka shumë mundësi që ky emër të ketë rrjedhë nga fjala hebraishte “yôbel”, emri i bririt, me tingujt e të cilit kumtohej fillimi i Vitit të Hirit.

Në Besëlidhjen e Re, Krishti e filloi lajmin e Shëlbimit me të njëjtat fjalë, me të cilat Profetët, shumë kohë më parë, e paralajmëruan ardhjen e Mesisë porsi kohë  hiri:

“… e erdhi në Nazaret, ku ai ishte rritur e të shtunën hyri, si e kishte doke, në Sinagogë. U çua në këmbë për të lexuar. I dhanë pergamenën e Izaisë Profet e ai, mbasi e zhvilloi, u ndal në rreshtat, ku thuhet: ‘Shpirti i Perendisë është mbi mua, prandaj Ai më shuguroi duke më lyer me bagëm; më dërgoi t’u kumtoj lajmin e shëlbimit të varfërve; të shpall çlirimin e të burgosurve, t’u kthej dritën e syve të verbërve, të liroj skllevërit e të kumtoj Vitin e Hirit të Zotit. Më pas e mbështolli gyp pergamenën e, mbasi ia dorëzoi shërbëtorit, u ul ndenjur. Sytë e të gjithëve në Sinagogë qenë drejtuar nga Ai. Atëhere Jezusi filloi shpjegimin, duke thënë: ‘Sot ky shkrim, të cilin e dëgjuat me veshët tuaj, u plotësua’” (Lk 4, 16-22).

Viti i fundit Shenjt u shpall nga Papa Gjon Pali II: ishte Jubileu i Madh i dymijëvjetorit të krishterimit, i kushtohej ditëlindjes së dymijtë e Krishtit.

Ndërsa ky Vit i jashtëzakonshëm, i shpallur nga Françesku, që titullohet “Misericordiae Vultus”, Fytyra e Mëshirës është Jezu Krishti, i kushtohet Mëshirës Hyjnore.

Mos harro: Viti Shenjt është vit i hirit të Zotit për ty, për ne, për mbarë Kishën e për gjithë botën. Na kërkon të bëjmë atë, që bënin besimtarët që në kohë të Moisiut e, sidomos, në kohët e Krishtit!








All the contents on this site are copyrighted ©.