2015-04-14 11:19:00

Françesku: thirrja meshtarake është "eksod" drejt Zotit dhe të varfërve


Veprimtaria misionare dhe ungjillëzuese e Kishës është në qendër të Mesazhit të Papës Françesku për Ditën e 52-të Botërore të Lutjes për Thirrjet meshtarake e rregulltare. Thirrja e krishterë, shkruan Françesku, karakterizohet nga përvoja e eksodit, e daljes. Këtu e ka bazën edhe tema e sivjetme e mesazhit, që titullohet “Dalja, përvojë themelore për thirrjen”. Që këndej, ftesa drejtuar të rinjve për të mos pasur frikë të dalin nga vetvetja e të vihen për udhë, gjithnjë me vështrimin ngulur mbi nevojtarët.

Të dalim nga vetvetja

         Në një Kishë misionare, vijon Ati i Shenjtë, “thirrja e krishterë nuk mund të lindë përveçse brenda përvojës së misionit”. Kjo është e mundur vetëm nëse jemi të aftë të dalim nga vetvetja, duke përjetuar një “eksod” të vërtetë, të krahasueshëm me Eksodin biblik të Popullit të Zotit për t’u çliruar nga skllavëria e për të gjetur një jetë të re në Krishtin. Për Papën, kjo është shembëlltyra e krejt historisë së shëlbimit e të dinamikës së fesë së krishterë.

         Në bazën e çdo thirrjeje të krishterë, shpjegon Françesku, është dalja nga “rehatia e ngurtësia e vetvetes për ta vënë Jezu Krishtin në qendër të jetës sonë”. Kjo dalje nuk do të thotë se nuk na pëlqen jeta jonë, përkundrazi. Vokacioni, citon Papa enciklikën “Deus caritas est” të Benediktit XVI, është thirrje dashurie, që na tërheq e na nxit të shkojmë përtej vetvetes, në një eksod të përhershëm drejt lirisë e dhurimit të vetvetes.

 Gjithë Kisha “në dalje”

         Kjo dinamikë, vëren Ati i Shenjtë, nuk ka të bëjë vetëm me personin e veçantë, që ndjen thirrjen e Zotit, por me gjithë veprimtarinë misionare dhe ungjillëzuese të Kishës. Është fjala për një Kishë “në dalje”, të aftë të “takojë bijtë e Hyjit në gjendjen e tyre të vërtetë dhe të vuajë bashkë me ta për plagët e tyre”. “Kisha që ungjillëzon – thekson Papa Bergoglio – del të takojë njeriun, shpall fjalën çliruese të Ungjillit, kujdeset, me hirin e Zotit, për plagët e shpirtit e të korpit, ndihmon të varfërit dhe nevojtarët”. Thirrja e krishterë përfaqëson një impenjim konkret, në shërbim të ndërtimit të Mbretërisë së Zotit mbi tokë dhe nxit pashmangshëm drejt solidaritetit, sidomos me të varfërit.

Të rinjtë të mos kenë frikë

         Të rinjve, Papa u drejton një thirrje të zjarrtë që të mos kenë frikë nga pasiguritë dhe të papriturat e përditshme, të cilat ka rrezik t’ua frenojnë ëndrrat. Duhet të dalin nga vetveteja e të vihen për udhë gjurmëve të Jezusit, siç pati bërë Shën Maria Virgjër, model për çdo thirrje. Si ajo, të mos kenë frikë t’i thonë “po” Zotit e t’ia kushtojnë gjithë jetën Atij.








All the contents on this site are copyrighted ©.