2015-04-12 12:55:00

Shën Faustina Kowalska: Faqe nga Ditari


Shën Faustina është dhuratë e Zotit për kohën tonë e dhuratë e trojeve të Polonisë për mbarë Kishën. Jezusi i besoi mistikes polake detyrën t’ia përcillte mbarë njerëzimit mesazhin e Mëshirës Hyjnore. Misioni i motër Faustinës na kujton të vërtetën mbi Mëshirën Hyjnore, sepse e dimë që ajo është e vërtetë e zbuluar në Shkrimin Shenjt. Motër Faustina na e kujton këtë të vërtetë në forma të reja, që i janë transmetuar nga vetë Jezusi gjatë dukjeve të Tij. Përmes Ditarit, për shembull, që u shkrua në formë kujtimesh katër vitet e fundit të jetës së saj. Në faqet e tij zbulohet thellësia e jetës shpirtërore dhe shkrirja e shpirtit të Murgeshës me Zotin, i cili i dhuroi hire mbi hire: hirin e kundrimit, të njohjes së thellë të misterit të Mëshirës Hyjnore, vegimet zbulimet, plagët e Tij të fshehta, dhuratën e profecisë e të njohjes së shpirtrave si edhe dhuratën tejet të rrallë të dasmës mistike. Në Ditarin e Shenjtores, titulluar “Mëshira Hyjnore në shpirtin tim”, Jezu Krishti i duket Faustinës e i thotë:

“Përmes teje, ashtu si përmes kësaj Hosteje, do të kalojnë rrezet e Mëshirës sime mbi botë”(Ditari,441)

E, në vijim:

“... Zemra ime është e rrëmbushur me mëshirë për shpirtrat.(...) Oh! Sikur ta kuptonin  se unë jam për ta më i miri i Etërve; se për ta gurroi nga Zemra ime Gjaku e Uji, si nga një gurrë e pashterrshme Mëshire: se për ta banoj në tabernakull e se, si Mbret i mëshirës, dëshiroj ta shuaj etjen e shpirtrave me hire, po nuk duan ta pranojnë (...). Oh, sa madhe është indiferenca e shpirtrave për gjithë këtë mirësi, për gjithë këto prova dashurie(...). kanë kohë për gjithçka: për të ardhur tek unë e për të marrë hire nuk kanë kohë...” (Ditari, 367).

“Sa të palumtur, ata që nuk përfitojnë nga mrekullia e Mëshirës Hyjnore! Do ta thërrisni më kot, kur do të jetë tepër vonë!”. (Ditari 1448).

“Thuaju mëkatarëve se askush nuk do të shpëtojë nga duart e mia. Nëse ikin  nga zemra ime përdëllyese, do të bien në duart e drejtësisë sime. Thuaju mëkatarëve se  i pres gjithnjë, se i dëgjoj edhe rrahjet më të lehta të zemrave të tyre, për t’u kujtuar menjëherë kur rreh për mua. Shkruaj se u flas me brerjet e ndërgjegjes, me mossukseset e vuajtjet, me stuhi e bubullima; u flas me zërin e Kishës...” (Ditari 1728).

E Diela in Albis (Festa e Mëshirës Hyjnore): “Sot ia ofrova përsëri veten Zotit si fli për mëkatarët. O Jezusi im, nëse po më troket ora e fundit, të lutem përvujtërisht, pranoje vdekjen time në bashkim me Ty, si therore, që unë, me vetëdije të plotë, po ta dhuroj për një qëllim të trefishtë:

Së pari, që vepra e Mëshirës sate të përhapet në botën mbarë e që festa  e kësaj Mëshire të miratohet e të kremtohet solemnisht.

Së dyti, që mëkatarët, e posaçërisht shpirtërat, në prag të shtegtimit të fundit, t’i drejtohen Mëshirës sate për shpëtimin e amshuar.

Së treti, që festa e Mëshirës të jetë strehë e mbrojtje për të gjithë shpirtrat e në atë ditë nga të katër anët të gurrojnë hiret hyjnore”.

Këto, disa fragmente nga Ditari, që na nxisin të mendojmë edhe për figuren e Mëshirës Hyjnore, që vjen nga vegimi i 22 shkurtit 1931. E pastaj, për orën e lutjen e Mëshirës, të cilën ia kërkoi e ia mësoi motër Faustinës vetë Jezusi, për  t’ia drejtuar Mëshirës së tij Hyjnore.

Për festën e Mëshirës Hyjnore, themeluar nga Papa Gjon Pali II gjatë kanonizimit të Motrës Faustina, që Kisha e kremton si "E Diela e Mëshirës Hyjnore". Mendojmë edhe për përhapjen këtij kulti, që sot vijon përmes atyre që quhen "apostujt e Mëshirës Hyjnore".

E për Kryeapostullin e kësaj mëshire, në ditët tona, Papën Françesku, që e zgjodhi pikërisht këtë ditë për të shpallur Vitin Jubilar që i kushtohet!








All the contents on this site are copyrighted ©.