2015-04-12 11:48:00

Shenjtorët e Javës sipas kalendarit kishtar


E diel 12 prill, Kisha kremton të dielën e 2-të Pashkëve, e diele që i kushtohet Përdëllimit Hyjnor, e po me 12 prill, kalendari kishtar përkujton shenjtorët Juli I, papë, Jozef Moskati, mjek nga Napoli, Zeno ipeshkëv i Veronës. Kulti i Mëshirës Hyjnore mbetet i lidhur ngushtë me figurën e rregulltares mistike polake, Faustina Kovalska, lindur në fillim të shekullit të kaluar e vdekur në moshën 33 vjeçe, më 1938. Sot përshpirtëria e rregulltares, lartuar në nderimet e altarit nga Papa Shën Gjon Pali II, është përhapur në shumë vise të botës.

Të hënën më 13 prill, kalendari përkujton shën Martinin I, papë e martir, shën Ermenegjildën e shën Idën. Këta shenjtorë na ftojnë të përpiqemi për t’u bërë një gjë e vetme me Jezusin e me Atin Qiellor. Kështu jeta tokësore shndërrohet e njeriu kryen vepra dashurie, që burojnë nga Zoti.

Të martën më 14 prill, kalendari përkujton shën Tibrucin, Valerianin e Maksimin, martirë. Këta na kujtojnë se ta duash Zotin do të thotë të bësh vullnetin e tij në do çast të jetës.

 Të mërkurën më 15 prill, kalendari përkujton shën Abondin, Damianin De Vuester e Maronin.Këta na kujtojnë se kulmi i dashurisë ndaj Zotit është t’ua dhurosh të tjerëve gjithë vetveten me dashuri.

 Të enjten më 16 prill, kalendari përkujton shën Marinë Berndardetë Soubiroues, virgjër, Benediktin Jozef Labre. Në liturgjinë e ditës Jezusi na përsërit se dëshiron të mbretërojë në zemrat tona, duke na larguar nga shpirti çdo trazim. 
 
Të premten më 17 prill, kalendari përkujton shën Simeonin, ipeshkëv e martir, Robertin, abat.Këta shenjtorë na ftojnë të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Zotit e të kujtojmë se i krishteri është i thirrur të sjellë fryte vëllazërimi, dashurie e shenjtërie, gjithnjë i mbështetur në hirin e Zotit.

 Të shtunën më 18 prill, kalendari përkujton shën Galdinin, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal.Të krishterët e vërtetë do të urrehen ose do të kundërshtohen gjithnjë. E ka parafolur vetë Jezusi, që është e Vërteta, por kush do të vijojë të ecë në rrugën e Tij, do të shëlbohet.

Të dielën e ardhshme më 19 prill, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 3-të të Pashkëve, e po këtë ditë kalendari kishtar përkujton edhe Shën Leonin IX, papë. Të dielën e kaluar, tema qendrore ishte feja si takim me të Krishtin e Ngjallur, që e mbush jetën me të vërtetën e si pasojë, nga ky takim rrjedhë dëshmia dhe misioni. E diela e tretë e Pashkëve nënvizon faktin se si kthimi në rrugën e Zotit dhe tek Zoti, është përcaktim që i kërkohet njeriut për t’ia mbërrijë së vërtetës së jetës së vet, të vërtetës që është Krishti Gjall Zot.








All the contents on this site are copyrighted ©.