2015-04-12 12:40:00

Françesku botoi Bulën Misericordiae vultus për shpalljen e Jubileut.


Viti Shenjt i Mëshirës, që do të fillojë më 8 dhjetor, u shpall zyrtarisht nga Papa Françesku pasditen e djeshme, e shtunë, 11 prill, duke nisur nga ora 17.30,  me kremtimin e botimit të Bulës Misericordiae vultus.

Riti

Riti i botimit nisi me leximin e disa fragmenteve të Bulës përballë Portës Shenjte të Bazilikës së Vatikanit. Më pas Françesku kryesoi kremtimin e Lutjeve të para Mbrëmësore të së Dielës së Mëshirës Hyjnore, duke nënvizuar, kështu, në mënyrë të veçantë, se kjo do të jetë tema kryesore e Vitit Shenjt.

Data, kohë  e fryte të shpresuara

Bula e shpalljes së Jubileut, “sidomos në rastet e një Viti Shenjt të jashtëzakonshëm -   përveçse tregon kohët, me datat e hapjes e të mbylljes, si dhe format kryesore të zhvillimit - përbën një dokument themelor për të njohur shpirtin me të cilin shpallet, ndjetet e frytet e shpresuara nga Papa, që e shpall për Kishën.

Bula u dorëzohet përfaqësuesve të Kishës në botë

Papa Françesku u dorëzoi gjashtë përfaqësuesve të Kishës në botë nga një kopje të Bulës për shpalljen e Jubileut të jashtëzakonshëm Misericordiae vultus, gjatë kremtimit të djeshëm në Bazilikën e Vatikanit. Përveç kryepriftërinjve të bazilikave papnore të Romës, dokumentin e morën edhe  kardinajtë Ouellet, Filoni e Sandri, përkatësisht prefektë të Kongregatave per ipeshkvijtë, ungjillëzimin e popujve, dhe për Kishat lindore; kryeipeshkvi Savio Hon Tai-Fai, sekretar i Propaganda Fides, si përfaqësues i mbarë Lindjes; ipeshkvi Barthélemy Adoukonou, sekretar  i Këshillit Papnor të Kulturës, si përfaqësues i kontinentit afrikan dhe imzot Khaled Ayad Bishay, i Kishës patriarkale të Aleksandrisë së Koptëve, si përfaqësues i Kishave lindore.

Po japim më poshtë vetëm  Kreun e parë, që e hap  Letrën papnore jubilare Misericordiae vultus dhe të njëzet e pestin, që e mbyll.

 Nga Letra e Papës

Kreu I

Jezu Krishti është fytyra e mëshirës së Atit. Në këtë fjalë përmblidhet i gjithë misteri i fesë së krishterë. Ajo u bë e gjallë, e dukshme dhe arriti kulmin e vet me Jezusin e Nazaretit. Ati, i pasur me mëshirë (Ef 2,4) pasi ia dëftoi emrin e tij Mosiut si “Hyj i përdëllyes e i butë, i durueshëm e shumë i mëshirshëm e i pasur me dashuri e me besnikëri” (Es 34,6) nuk pushoi duke e bërë të njohur në mënyra të ndryshme e në një mori çastesh, natyrën e vet hyjnore. Kur u përmbush koha (Gal 4,4), e kur gjithçka ishte gati, sipas planit të Tij të shëlbimit, Ai dërgoi Birin e vet të lindur prej Virgjërës Mari për të na e zbuluar të gjithëve, përfundimisht, dashurinë e tij. Kush e shikon atë, shikon Atin (cfr Gjn 14,9). Jezusi i Nazaretit, me fjalën e tij, me gjeste e me gjithë vetjen e tij, zbulon mëshirën e Hyjit.

Në kreun e 25-të e të fundit, shkruhet:

Një Vit Shenjt i jashtëzakonshëm, pra, për ta jetuar në jetën e përditshme mëshirën, të cilën Ati e shtrin gjithnjë përmbi ne. Në këtë Jubile ta lëmë Zotin të na mrekullojë! Ai nuk lodhet kurrë duke i hapur portat e zemrës së Tij, për të na përsëritur se na do e dëshiron ta ndajë me ne jetën e vet. Kisha e ndjen fuqimisht urgjencën e kumtimit të mëshirës së Hyjit, jeta e saj është e vërtetë dhe e besueshme kur e kumton mëshirën me bindje të plotë. Ajo e di se detyra e saj e parë, posaçërisht në një çast si ky yni, plot me shpresa e edhe me kontradikta të forta, është pikërisht çasti për t’u prirë të gjithëve kah misteri i madh i mëshirës së Hyjit, duke kundruar fytyrën e Krishtit. Kisha është e thirrur e para të jetë dëshmitare e mëshirës, duke e praktikuar e duke e jetuar si qendër e Zbulesës së Jezu Krishtit. Nga zemra e Trinisë, nga thellësia më e madhe e misterit të Hyjit, gurron e rrjedh pa u ndaluar kurrë lumi i madh i mëshirës. Ky burim nuk mund të shterrojë kurrë për të gjithë ata, që i afrohen. Sa herë që ndokush ka nevojë, mund të hyjë në të, sepse mëshira e Hyjit është e pambarim. Sa i pashqyrtueshëm është misteri, që përfshin, aq e pashterrshme, pasuria që vjen prej tij.

Në këtë Vit Jubilar Kisha t’i bëjë jehonë Fjalës së Hyjit, që të kumbojë fort e bindshëm si fjalë e si gjest i faljes, i mbështetjes, i ndihmës, i dashurisë. Të mos  lodhet kurrë së ofruari mëshirën e të jetë gjithnjë durimtare në ngushëllim e ndjesë. Kisha të bëhet zë i çdo burri e çdo gruaje e të përsërisë me besim të paprerë: “Të  bjerë në mend, për mëshirën tënde, o Zot, e për dashurinë tënde, që është e amshuar” (Ps. 25,6).

Dhënë në Romë, pranë Shën Pjetrit, më 11 prill, Nata e Festës së Mëshirës Hyjnore, Viti i Zotit 2015, i treti i papnisë. 








All the contents on this site are copyrighted ©.