2015-04-11 19:13:00

Jubileu i Mëshirës: fjalët e Gjon Palit II e të Françeskut


Sot, duke nisur nga ora 17.30, në Bazilikën e Vatikanit u lexua dhe u dorëzua  Bula për shpalljen e Jubileut të Mëshirës. Papa Françesku nënvizoi temën themelore të Vitit Shenjt të jashtëzakonshëm, duke kremtuar Lutjet e para Mbrëmësore të së Dielës së Mëshirës Hyjnore, themeluar nga Gjon Pali II, në vitin 2000.

Një emër i dytë i dashurisë.  E mori shtytjen nga enciklika “Dives in Misericordia” e vitit 1980, Papa Gjon Pali II kur, njëzet vjet më pas, më 30 prill të vitit 2000, shpjegoi kuptimin e mëshirës, duke shpallur shenjte Faustina Kowalskën:

“Përmes Zemrës së Krishtit të kryqëzuar Mëshira Hyjnore arrin tek njerëzit: ‘Bija ime, thuaju të gjithëve se unë jam Dashuria e Mëshira’, i kërkoi Jezusi Motër Faustinës. Kjo mëshirë e Krishtit dikohet mbi njerëzimin  përmes  dërgimit të Shpirtit Shenjt që, në Trini, është Vetja-Dashuri”.

Karol Wojtyla ftoi për ta pranuar aspektin më të thellë e më të dhimbsur të dashurisë, prirjen për të marrë mbi vete çdo shërbim e, posaçërisht, aftësinë e pakufishme për të falur. Në ndjekje të Krishtit, Faustina Kowalska u bë Apostulle e kësaj Dashurie. Duke e lidhur me murgeshën polake “dritën e Mëshirës Hyjnore” që Zoti i botës ua dorëzoi rishtas njerëzve, Shën Gjon Pali II e nxiti njerëzimin ta pranojë “në çenakullin e historisë Krishtin e Ngjallur”.

Ka rëndësi, prandaj, ta pranojmë të plotë mesazhin, që vjen nga Fjala e Zotit, në këtë të Diel II të Pashkëve, e cila tani e tutje në mbarë Kishën do të marrë emrin “E Diela e Mëshirës Hyjnore”.

“Mëshira nuk fal vetëm mëkatet, por u përgjigjet të gjitha nevojave të njerëzve. Jezusi u përkul mbi çdo mjerim njerëzor, material e shpirtëror. Kështu edhe Kisha, dëshmitare e mëshirës”. E nënvizoi Papa Françesku i cili, më 13 marsin e kaluar, duke kremtuar në Bazilikën e Vatikanit,  pyeti sesi mund ta bënte më të dukshëm këtë mision: është një udhë, shpjegoi, që nis me kthesën shpirtërore.

Duke ftuar për ta përshkuar këtë udhë, Françesku vendosi të shpallë Jubileun e jashtëzakonshëm që, shtoi,  ka në qendër Mëshirën e Hyjit. Do të jetë një Vit Shenjt i Mëshirës, për t’u jetuar në dritën e Fjalës së Zotit: “Të jini të mëshirshëm, si Ati”!

Pa harruar të shtojë se Zoti fal gjithçka, Zoti fal gjithnjë. Të mos lodhemi kurrë duke kërkuar falje, prandaj:

“Jam i bindur se mbarë Kisha, që ka  shumë nevojë për mëshirë, sepse jemi mëkatarë, mund të gjejë në këtë Jubile gëzimin për ta rizbuluar e për ta bërë frytdhënëse mëshirën e Zotit, me të cilën të gjithë jemi të thirrur t’i japim ngushëllim çdo burri e çdo gruaje të kohës sonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.