2015-04-11 17:20:00

Botohet Bula e Jubileut. Papa: mëshira, arkitrau i Kishës


“Mëshira është arkitrau, që e mban jetën e Kishës”: kështu, përmbledhtas, shprehet Papa Françesku në Bulën e shpalljes së Jubileut të jashtëzakonshëm të Mëshirës, titulluar “Misericordiae Vultus” – "Fytyra e Mëshirës”. Dokumenti u botua sot pasdite, gjatë kremtimit të Lutjeve të para Mbrëmësore të së Dielës së Mëshirës Hyjnore. Në Bulë, edhe njoftimi për hapjen e një Porte Shenjte në të gjitha Kishat e veçanta dhe mundësia që meshtarët t’i zgjidhin edhe mëkatet, që i besohen Selisë Apostolike.

Një Portë Shenjte në çdo Kishë të veçantë e në  Shenjtërore  

“Mëshira”: është udha që bashkon Zotin me njeriun, që i mbush zemrat me shpresën se dikush i do përgjithmonë, pavarësisht nga caqet e vëna prej mëkatit.

Ishte imzot Leonardo Sapienza, Regjent i Shtëpisë Papnore e Protonoter Apostolik, që i lexoi, në treme të Bazilikës së Vatikanit, përballë Papës Françesku, disa nga fragmentet më domethënëse të Bulës për shpalljen e Jubileut të jashtëzakonshëm  të Mëshirës,  me moton: “Të mëshirshëm, si Ati”, shkëputur nga Ungjilli i Lukës. Hapja e Portës Shenjte të Bazilikës së Vatikanit, shpjegohet në Bulë, do të kremtohet më 8 dhjetor, në Solemnitetin e Zojës së Papërlyer e në përkim me 50-vjetorin e përfundimit të Koncilit II të Vatikanit, “ngjarje e madhe që, shkruan Papa, shembi muret të cilat për shumë kohë e patën mbyllur Kishën në një kështjellë të privilegjuar, duke e nxitur ta predikojë Ungjillin në një mënyrë të re”.

Më 13 dhjetor, e Diela III e Kohës së Ardhjes, do të hapet Porta Shenjte e Bazilikës së Lateranit e, pas saj, portat e bazilikave të tjera papnore, ajo e Shën Marisë së Madhe dhe e Shën Palit jashtë Mureve. Po Papa Françesku vendosi që edhe në çdo Kishë të veçantë e në Shenjtërore të hapet, për gjithë Vitin Shenjt, një Portë e Mëshirës, që Jubileu të kremtohet  në të gjithë botën, në bashkim me mbarë Kishën.

Rrëfyesit t’i presin besimtarët si ati i djalit plangprishës

Pika tjetër e rëndësishme e Bulës Jubilare ka të bëjë me faljen e mëkateve: Papa uron që rrëfyesit të jenë shenjë e vërtetë e mëshirës së Atit Qiellor, të aftë për t’i pritur besimtarët “si ati i shëmbëlltyrës së djalit plangprishës”, ai, që rend drejt të birit, edhe pasi ia shkapërderdhi të gjitha pasuritë rrugash. Ata janë të thirrur t’i përgjigjen kërkesës së pendestarëve për ndihmë e ndjesë e, në çdo rast, të jenë shenjë e epërsisë së mëshirës.

Meshtarë të autorizuar për zgjidhjen e mëkateve rezervuar për Selinë Apostolike

Në këtë këndvështrim Papa njoftoi se “në Kreshmët e Vitit Shenjt do të dërgojë ‘Misionarë të Mëshirës’, apo meshtarë, të cilëve do t’u jepet autoriteti për të zgjidhur edhe mëkatet, që rezervohen për Selinë Apostolike”. “Shenjë e kujdesit amtar të Kishës për mbarë popullin e Hyjit”, shpjegon Papa, ata do të jenë mjeshtra të një takimi plot me humanitet, burim çlirimi, ngarkuar me përgjegjësi për t’i kapërcyer pengesat e për të rinisur  jetën e  re të Pagëzimit”. Njëkohësisht Françesku kërkon që në dioqeza të organizohen “misione në popull”, në mënyrë që këta misionarë të jenë kasnecë  të gëzimit e të faljes.

Mëshira, arkitrau, që mban jetën e Kishës

Papa nëvizon se mëshira është “trau i kulmit”, “që mban gjithë jetën e Kishës”, “ideal jete e kriter besueshmërie për fenë tonë”. Është cilësi e gjithëpushtetit të Zotit e kurrsesi shenjë ligështie, kriter për të kuptuar cilët janë bijtë e vërtetë të Hyjit. Të gjithë jemi të thirrur të jetojmë me mëshirë, sepse ne vetë u mëshiruam të parët. Falja e fyerjeve, prandaj, është urdhër, të cilit besimtarët nuk mund të mos i binden. Shpesh na duket e vështirë të falim, nënvizon Papa, ndonëse falja është mjet i vënë në duart e brishta të njeriut, për të fituar paqen e zemrës, për të jetuar i lum.

Në Bulë Papa thekson edhe se besueshmëria Kishës kalon përmes mëshirës e përdëllimit, se duhet shembur muri i indiferencës, që i rrethon periferitë ekzistenciale, duhet luftuar kundër varfërisë dhe formave moderne të skllavërisë. Shpjegon edhe kuptimin e ndjesës e u bën thirrje kriminelëve dhe njerëzve të korruptuar të ndërrojnë jetë, të nisin një udhë e një jetë të re, sepse paraja nuk e bën njeriun as të lum e as të pavdekshëm.

Në përfundim të dokumentit, pasi theksohet se duhet favorizuar dialogu ndërfetar, duke zhdukur dhunën e diskriminimet, Papa kujton figurën e Marisë, Nënën e Mëshirës, Arkën e Besëlidhjes ndërmjet Zotit e njerëzve, Atë, që dëshmon se mëshira e Birit të Hyjit nuk njeh kufij.  

Kujtojmë se Papa u dorëzoi nga një kopje të Bulës Jubilare përfaqësuesve të Kishës përhapur nëpër botë dhe Protonoterëve apostolikë.

Viti Jubilar do të përfundojë më 20 nëntor 2016, në Solemnitetin e Krishtit Zot i Universit. Duke e lënë udhën hapur për Mëshirën Hyjnore për vitet, që do të vijnë…. Por më hollësisht me Bulën do t’ju njohim në të ardhmen, pa harruar se me Vitin Shenjt do të jetojmë “një vit të tërë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.