2015-04-10 18:44:00

Këshilli kanadez i Kishave, për paqen në Irak e Siri


“Paqja në Lindjen e Afërt nuk mund të sigurohet vetëm me ndërhyrje ushtarake. Është e nevojshme një strategji ndërkombëtare më e përgjithshme”. E pohon këtë Këshilli kandez i Kishave (Cce), në një letër të përbashkët, drejtuar kryeministrit Stephen Harper, lidhur me misionin ushtarak kanadez në Irak e Siri. Në dokumentin, nënshkruar, ndërmjet tjerëve, nga kryeipeshkvi i Gatineau, imzot Paul-André Durocher, kryetar i Konferencës ipeshkvnore, shprehet shqetësimi për krizën e rëndë humanitare në të dy vendet, për shpërnguljen e detyruar, shfarosjen e bashkësive të lashta të krishtera dhe sulmet kundër pakicave fetare.

Duke vlerësuar pjesëmarrjen e gjithë anëtarve të parlamentit në diskutimin kushtuar rolit të Kanadasë në Irak e Siri, përfaqësuesit e Cce e inkurajuan qeverinë t’i mbështesë e t’i mbrojë përpjekjet diplomatike si edhe ndihmat humanitare  dhe asitencën e refugjatëve. Veç kësaj, liderët fetarë ftuan të mbështeten organizatat civile dhe nismat për kontrollin e armatimeve në zonë, si dhe të respektohen të drejtat e njeriut. Nga vera e vitit 2014, shkruhet në letër, jemi këshilluar gjerësisht me Kishat dhe me agjencitë tona në Lindjen e Afërt  për të dëgjuar shqetësimet e tyre lidhur me mënyrën përmes së cilës ne, Kishat kanadeze e Kanadaja, si komb, mund të kontribuojmë sa më frytshëm për sigurimin e paqes në Irak, në Siri e, në përgjithësi, në të gjithë rajonin. Prej këndej, edhe reflektimi mbi pasojat që mund të sjellë misioni ushtarak i Kanadasë në  në Siri. “Këndvështrimi ynë, vërehet, frymëzohet nga bindjet e thella për shenjtërinë e jetës dhe të dinjitetit të çdo njeriu, e nga rëndësia që ka mbrojtja e popullsisë së pafajshme prej mizorive. Gjithsesi përvoja e ndërhyrjeve të kaluara ushtarake në zonë na kujton se sot duhet treguar shumë maturi: “Partnerët tanë në rajon shprehin mirënjohjen për ndihmat dhe mbrojtjen, që kanë sjellë misionet ushtarake të kohëve të fundit në veri të  Irakut”. Por njëheresh me mirënjohjen, edhe vetëdijen se një ndërhyrje e tillë pati ndikime të rëndësishme  e pasoja tragjike”.

Liria e ndërgjegjes dhe e fesë e, më në përgjithësi, respektimi i të drejtave të njeriut, janë themlore në Irak për ndërtimin e një shoqërie të hapur, paqësore e demokratike. “Të krishterë, hebrenj e myslimanë besojnë në mëshirën e Hyjit. Të takohemi e në praninë e njëri-tjetrit të lutemi për paqen në Irak e në Siri. Angazhohemi të  dialogojmë me bashkësitë myslimane në Kanada, duke qenë të vetëdijshëm se shtrembërimet në kuptimin e Islamit, janë shkaku i keqkuptimeve dhe i vuajtjeve në vend për myslimanët, që angazhohen për paqen e që e respektojnë ligjin. Dënojmë, përfundojnë liderët fetarë, çdo përpjekje për ta demonizuar islamin”.

Këshilli kanadez i Kishave përfaqëson 25 bashkësi kishtare: ndërmjet tyre, anglikanët, ungjillorët, ortodoksët, protestantët, përveç katolikëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.