2015-04-10 15:50:00

Fetë në botë: të krishterët e myslimanët gati barabar në 2050-tën


Ndryshon gjeografia e feve në botë. Duke nisur që sot e deri në vitin 2050 popullsia e Planetit do të jetë 9 miliard e 300 mijë vetë, me shtesë prej 35%, e nëse numri i të krishterëve do të rritet me të njëjtën mesatare, ai i myslimanëve do të rritet gati dyfish, duke e kaluar 73%. Të dhënat janë të Pew Research Center, në Raportin “Ardhmëria e feve”, bazuar mbi numrin e lindjeve e të vdekjeve, por edhe të flukseve të emigrantëve e të konvertimeve.

Një fotografi e panjohur e pranive fetare, në lëvizje, por edhe me mundësinë e ndonjë gabimi në llogaritje. Nëse sot të krishterët janë 2,1 miliard, pas 35 vjetësh do të jenë 2,9 miliard,  31 % e popullsisë botërore, ndërsa myslimanët, falë përqindjeve shumë të larta të lindjeve, do të kalojnë nga 1,6, në 2,7 miliard, ose ndërmjet 23-29%. Në rritje edhe numri i hinduistëve, nga 1 në 1,4 miliard (34%) dhe i hebrenjve, nga 14 në 16,1 milion(18%) e kështu edhe fetë e tjera, me përjashtim të budizmit, pa harruar se shumë nga kishat në Kinë veprojnë në klandestinitet. Në rënie, numri i ateistëve dhe i agnostikëve, nga 16%, në 13%, sepse çiftet jo besimtare kanë mesatarisht 1,7 fëmijë, në krahasim me 2,6 të çifteve besimtare. Myslimanët mbetën 10% në Kontinentin e vjetër i cili, megjithatë, do ta humbasë përparësinë  numerike të të krishterëve në botë, duke kaluar nga 26, në 16%, në krahasim me Afrikën, që do të ngjitet me 10 pika në listë, nga 19, në 29%. Në rënie të lehtë, Amerika Latine, nga 24 në 22 %; në ngritje, ndonëse të paktë, edhe Azia, nga 17 në 20%. Sot vetëm Gjermania është i vetmi vend evropian – në vendin e nëntë, ndërmjet atyre, që kanë më shumë të krishterë, pas SHBA-ve, Brazilit, Meksikës, Rusisë, Filipinenve, Nigerisë, Kinës – që në vitin 2050 do të ketë 100 milionë të krishterë: dyfish, në krahasim me Italinë e Kongon. Do të hyjnë në listë edhe Tanzania, Etiopia e Uganda, ndërsa SHBA-të do të konfirmohen si kombi i krishterë më i populluar.








All the contents on this site are copyrighted ©.