2015-04-10 16:21:00

Bienalja e Artit në Venedik: Kardinali Ravasi: feja e arti, motër e vëlla


Për herë të dytë Selia e Shenjtë paraqitet në Bjenalen e Artit në Venedik. Tre, artistët e zgjedhur, ardhur nga Afrika, Amerika Latine dhe Evropa. Përqendrohen mbi temën: “Në Zanafillë, Fjala u bë njeri”. Sot paradite Pavijoni i Selisë së Shenjtë u paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit.

Nga Zanafilla, tek prologu i Ungjillit të Gjonit. Tema e Pavijonit të Selisë së Shenjtë në Bjenalen e 56-të të Artit në Venedik kalon përmes Biblës, që i frymëzoi tre artistët e zgjedhur: përfaqësues breznish të ndryshme e shprehjesh të ndryshme artistike, me përmasën e dyfishtë: e mbinatyrshme-e natyrshme. Me këtë sy soditet vendosja e figurave të kolumbianes Monica Bravo, frymëzuar nga natyra, gjeometria e Shkrimi Shenjt; çadra sugjestive prej pëlhure e maqedones Elpida Hadzi Vasilieva dhe fotografia, poetike, aspak gazetareske, e Mario Macilau-t nga Mozambiku me temë fëmijët e rrugës. Kisha beson në lidhjen frymëzuese art–fe, këputur, në një farë mënyre, në shekullin e kaluar, siç pohon kardinali Gianfranco Ravasi, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës e përfaqësues i Pavijonit të Selisë së Shenjtë:

“Për fat të keq ky dialog mbi artin e fenë – vëlla e motër - fuqimisht të lidhur me njëri-tjetrin, ky dialog, siç dihet mirë, në shekullin e kaluar u këput në një farë mënyre. E dëshira jonë është ta endim përsëri, posaçërisht përmes kësaj shprehjeje të artit. E dëshira ime është të rilidhemi edhe me artet e tjera, për shembull, me muzikën. Për mendimin tim ky angazhim nuk ka të bëjë me parimet rinashimentale, nuk është si ai i kardinajve të asokohshëm, por i përket kohëve tona, edhe papnisë së Françeskut. Unë vijoj të pohoj se të varfërve nuk u duhet dhënë vetëm bukë, por edhe bukuri. Një fjalë e urtë indiane thotë: ‘Nëse ke dy bukë, njërën jepja të uriturit, tjetrën shite e blej një lule zymbyl e jepja edhe atë të varfërit’. I varfëri, pra, ka të drejtë jo vetëm për bukë por edhe për bukuri”.

Të shkojë përtej realitetit, është element themelor për artin e për fenë. Artisti është në lidhje të ngushtë me krijimin, thekson Paolo Baratta, president i Bjenales:

“Ekziston një konflikt i përhershëm në shpirtin e artistit: ndërmjet asaj, që i diktohet nga brenda e gjuhës, që duhet të përdorë për ta komunikuar. Është logos i konfliktit të artistit”.

400 mijë euro, kostoja e Pavijonit, mbështetur nga sponsor me bindjen se të reflektosh për kulturën, do të thotë të investosh për të ardhmen.   








All the contents on this site are copyrighted ©.