2015-04-09 12:40:00

Çelësi i fjalëve të Kishës: Nëntëshja dhe Rruzarja e Mëshirës Hyjnore


Të dashur dëgjues, është bërë tashmë traditë, që në të Dielën II pas Pashkëve, Kisha Katolike të kremtojë festën e Mëshirës Hyjnore, lidhur pazgjidhshmërisht me figurën e murgeshës polake, shën Maria Faustina Kowalska, e cila jetoi në Poloni nga viti 1905 deri në vitin 1938, kur vdiq, në moshën 33 vjeçare. Pati hirin të ishte vegjente e mistike, së cilës Jezu Krishti i zbuloi sa e madhe është Mëshira Hyjnore e si njerëzit duhet t’i luten e t’i përkushtohen asaj. Në emisionin e sotëm, do t’ju flasim për Nëntëshen dhe për Rruzaren e Mëshirës Hyjnore.    

Nëntëshja nis me të Premten e Madhe e vazhdon deri në festën e Mëshirës Hyjnore. Vetë Jezusi i tha shën Faustinës se gjatë Nëntëshes, “do t’u japë shpirtrave çdo lloj hiri”, siç shkruan ajo vetë në Ditarin, ku tregon për takimet e saj me Krishtin. Për çdo ditë të Nëntëshes, specifikohet një ndjet lutjeje i veçantë.

Nëntëshja e Mëshirës Hyjnore

         Ditën e parë, Krishti i thotë shën Faustinës të sjellë para Mëshirës së tij Hyjnore mbarë njerëzimin e sidomos të gjithë mëkatarët; të dytën, shpirtrat e meshtarëve e shpirtrat e rregulltarëve; të tretën ditë, të gjithë shpirtrat e përkushtuar e besnikë, që e kanë ngushëlluar në Udhën e Kryqit; ditën e katërt, paganët e ata që nuk e njohin akoma, sepse – i thotë shën Faurstinës - edhe për ta kam menduar në Mundimet e mia të hidhura”; ditën e pestë të Nëntëshes, Jezusi kërkon shpirtrat e heretikëve e të skizmatikëve; në ditën e gjashtë, shpirtrat e butë e të përvuajtur dhe shpirtrat e fëmijëve. “Këta shpirtra – thotë Krishti - janë më të ngjashmit me Zemrën time”. Të shtatën ditë, ndjeti i lutjes është për shpirtrat, që e nderojnë e i thurin veçanërisht lavde Mëshirës Hyjnore. “Këto shpirtra – premton Jezusi - do të shndrisin me dritë të veçantë në jetën e ardhshme, asnjë nuk do të përfundojë në flakët e ferrit” (Ditari, 1224). Në ditën e tetë, Krishti kërkon shpirtrat e purgatorit e, në ditën e nëntë e të fundit, Jezusi e këshillon shën Faustinën të lutet për shpirtrat e vakëta (të tipit as andej, as këndej), sepse ia plagosin Zemrën më dhimbshëm se të tjerat. Për to – specifikon – “Mëshira ime është fija e fundit e kashtës, ku të kapen për të shpëtuar” (Ditari, 1228).

         Gjatë Nëntëshes thuhet ajo, që tashmë njihet si Rruzarja e Mëshirës Hyjnore. Mjeti i lutjes është i njëjtë, rruzarja e zakonshme, ndryshojnë vetëm lutjet. Mëshira ime, i pati thënë Jezusi shën Faustinës, do t’i rrethojë në jetë e sidomos në orën e vdekjes, shpirtrat që do të thonë këtë Rruzare. Me të, çdo lutje që nuk e kundërshton vullnetin e Hyjit, do të dëgjohet. Kur të thuhet pranë njerëzve, në prag të vdekjes, Krishti i pati premtuar shën Faustinës se do të vendoset ndërmjet Atit Qiellor dhe shpirtit në agoni, jo si Gjykatës i drejtë, por si Shpëtimtar i mëshirshëm.

Rruzarja e Mëshirës Hyjnore

         Siç shkruan shën Faustina në Ditarin e vet, vetë Jezusi i shpjegoi si duhet të lutej e kur. “Në fillim do të thuash një ‘Ati ynë’, një “Falemi Mari” e “Besojmën”. Pastaj, në kokrrat e “Atynës” do të thuash fjalët, që vijojnë: O Atë i amshuar, të ofroj Korpin e Gjakun, Shpirtin dhe Hyjninë e Birit tënd të dashur, Zotit tonë, Jezu Krishtit, në shpërblim për mëkatet tona e për ato të botës mbarë. Në kokrrat e ‘Falemi Marisë’, do të thuash fjalët: Për Mundimet e tij të dhimbshme ki mëshirë për ne e për botën mbarë. Së fundi, do të thuash tri herë këto fjalë: I Shenjtnueshmi Zot, Shenjt i Fortë, Shenjt i Pavdekshëm, ki mëshirë për ne e për botën mbarë”.

         Rruzarja e Mëshirës Hyjnore duhet thënë në orën 3 pasdite, ora e vdekjes së Jezu Krishtit në Kryq. Edhe për këtë, Jezusi i pati thënë shën Faustinës: “Në orën tre, përgjëroju Mëshirës sime, sidomos për mëkatarët, e, edhe për një çast të shkurtër, medito Mundimet e mia, veçanërisht braktisjen time, në çastin e agonisë. Është orë mëshire të madhe për gjithë botën. Të lejoj të hysh në trishtimin tim vdekatar. Në atë orë nuk do t’i refuzoj asgjë shpirtit, që më lutet përmes Mundimeve të Mia”.

         E Jezusi e këshillon shën Faustinën e të gjithë ata, që duan ta ndjekin në lutje në këtë orë, kur mëshira fitoi mbi drejtësinë, të marrë pjesë në Udhën e Kryqit. E nëse nuk ka mundësi, të hyjë në një kapelë e të nderojë Zemrën e Krishtit në të Shenjtnueshmin Sakrament. E nëse as këtë nuk mund ta bëjë, të lutet aty ku ndodhet, edhe për një çast të vetëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.