2015-04-09 10:52:00

Save the Children: me rëndësi, thirrja e Papës për fëmijët


Organizata ndërkombëtare “Save the Children” (Shpëtoni Fëmijët) vlerëson fjalët e Papës Françesku për fëmijët, gjatë audiencës së djeshme të përgjithshme. “Vlerësojmë shumë dhe jemi dakord plotësisht me ç’tha Papa për fëmijët e për vuajtjet e jashtëzakonshme, që kalojnë akoma shumë prej tyre, për shkak të përgjegjësisë së të rriturve, të cilët nuk janë në gjendje t’u garantojnë ushqim të përshtatshëm, shkollë, një vend e një ambient të sigurtë e të mbrojtur, kushte jete dinjitoze”, komenton drejtori i përgjithshëm i “Save the Children” për Italinë, Valerio Neri.

650 milion fëmijë jetojnë akoma në varfëri të jashtëzakonshme

         Që nga Konventa e OKB-së për të drejtat e fëmijëve dhe të adoleshentëve, nënshkruar 25 vjet më parë, “ligjet dhe masat në favor të fëmijëve janë shtuar – vijon Valerio Neri – e megjithatë, në botë, 650 milion fëmijë jetojnë akoma në varfëri të jashtëzakonshme, 58 milion nuk mund të shkojnë në shkollë e, prej tyre, 28 milion jetojnë në zona konflikti. Mëse 6 milion fëmijë, nën 5 vjeç, vazhdojnë të vdesin nga sëmundje të shërueshme e të parashikueshme, si diarrea, ose bronkopolmoniti e, gjysma e këtyre vdekjeve shkaktohen nga një vrasës i heshtur, siç është ushqimi i keq. Ndërkaq, janë 5,5 milion, të miturit-viktimë e trafikëve dhe e punës së detyruar”.

Objektivat e reja për çrrënjosjen e varfërisë, brenda vitit 2030

         Pas denoncimit e statistikave, thirrja e drejtorit të “Save the Children”: “Nëse ndodh e gjithë kjo, do të thotë se nuk kemi bërë sa duhet, prandaj mund e duhet të bëjmë shumë më tepër për ta përmirësuar e për ta ndryshuar rrënjësisht jetën e miliona fëmijëve. Nga kjo pikpamje, viti 2015 është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse OKB-ja do të vendosë objektivat e reja për çrrënjosjen e varfërisë dhe të pabarazisë, që duhen arritur brenda vitit 2030. Të punojmë së bashku për t’i plotësuar ato e për të përmirësuar të tashmen e të ardhmen e fëmijëve e të mbarë njerëzimit”, përfundon Valerio Neri.








All the contents on this site are copyrighted ©.