2015-04-08 11:06:00

Papa: vuajtjet e fëmijëve të refuzuar apo të dhunuar janë britmë drejtuar Zotit


Papa: çdonjëri prej nesh, edhe Shtetet kanë përgjegjësi ndaj fëmijëve “Të dashur vëllezër e motra të mendojmë mirë: me fëmijë nuk luhet! Të mos i shkarkojmë  fajet tona mbi fëmijë, ju lutëm!”. Ky është qortimi që bëri sot Papa Françesku gjatë Audiencës së Përgjithshme, në Vatikan, kushtuar vuajtjeve të fëmijëve.
"Të dashur vëllezër e motra, katekizmin mbi familjen e plotësojmë sot me reflektimin për fëmijët, që janë fryti më i bukur i bekimit që Krijuesi i ka dhënë burrit e gruas. Kemi folur për dhuratën e madhe që janë fëmijët, sot duhet të flasim mjerisht për “histori plot vuajte” që jetojnë shumë prej tyre.
Shumë fëmijë qysh në fillim refuzohen, braktisën, atyre u vidhet fëmijëria dhe e ardhmja. Ndokush ka guximin të thotë, gati gati për t’u justifikuar, se ka qenë një gabim pse u është mundësuar të vijnë në botë. Kjo është turp! Mos t’i shkarkojmë fajet tona mbi fëmijë! Fëmijët nuk janë kurrë “një gabim”, një “lëshim”. Uria e tyre nuk është një gabim, ashtu siç nuk është varfëria e tyre, brishtësia e tyre, braktisja e tyre; e nuk është as injoranca e tyre apo paaftësia e tyre. Përkundrazi, këto janë arsye për t’i dashur më shumë, me një bujari më të madhe. Çka kemi bërë me deklaratat solemne të të drejtave të njeriut e të fëmijës, nëse pastaj i ndëshkojmë fëmijët për gabimet e fajet e të rriturve?
Ata që kanë detyrën e qeverisje, të edukimit, po do të thosha të gjithë të rriturit, të gjithë jemi përgjegjës për fëmijët e duhet të bëjmë atë që mund të bëhet për ta ndryshuar këtë situatë. Çdo fëmijë i mënjanuar, i braktisur, që jeton rrugëve duke lypur lëmosh e me çdo mjet tjetër të mundshëm, pa shkollë, pa kurime mjekësore , është britmë që lartohet tek Zoti dhe akuzë ndaj sistemit që e kemi ndërtuar. E mjerisht këta fëmijë janë pre dhe viktima të kriminelëve, që i shfrytëzojnë për trafiqe e tregti të padenja, apo i stërvisin për luftëra e për dhunë. Po edhe në Vende të pasura ka shumë fëmijë që jetojnë drama që ndikojnë rëndë në jetën e tyre, për shkak të krizës familjare, për shkak të mungesës së edukimit e të kushteve të jetës që nganjëherë janë çnjerëzore. Sidoqoftë janë foshnjëri të cenuara në trup e në shpirt". Presin ndihmën e mbrojtjen nga ne të rriturit.








All the contents on this site are copyrighted ©.