2015-04-08 14:54:00

Kenia: strategjia e Shabaab kundër të krishterëve


“Shabaab-ët kanë kundër shumicën e popullsisë somaleze - e cila është krejtësisht e fesë islamike - për shkak të masakrave kundër vetë myslimanëve. Prandaj, tani, Shabaab-ët në Kenia, kur sulmojnë një vend të populluar, bëjnë dallim ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, duke mos i vrarë këta të fundit”. Kështu e shpjegon gjendjen për agjensinë katolike Fides, ipeshkvi ndihmës i Garissa-s, ku të Enjten e Madhe, më 2 prill, Shabaab-ët somalezë vranë 148 vetë në Kampusin universitar, duke i zgjedhur mbi bazën e përkatësisë fetare.

Shabaab-ët duan të rimarrin në dorë territoret e trafikëve të tyre

         Imzot Joseph Alessandro thekson se pavarësisht nga arsyeja, që i nxit Shabaab-ët të sulmojnë e që ka të bëjë me praninë e ushtrisë keniote në Somali, viktimat janë gjithnjë të krishtera. Trupat e Kenias kanë luajtur një rol të madh në zmbrapsjen e Shabaab-ëve nga bregdeti, duke ndërprerë kështu, trafikët me të cilët financohej lëvizja integraliste dhe vjeljen e taksave nga popullsia vendase. Shabaab-ët shpresojnë ta detyrojnë Kenian të tërhiqet, duke rimarrë në dorë territoret e dikurshme e sidomos, Mogadishon.

         U godit një zonë e injoruar nga qeveria

         Duke goditur universitetin, Shabaab-ët deshën të shuanin shpresën për zhvillimin e një zone të injoruar nga qeveria qendrore. “Pjesa më e madhe e mësuesve – shpjegon ipeshkvi i Garissa-s – vijnë nga anë të tjera të Kenias e nuk ndjehen si në shtëpinë e tyre. Kjo, sepse, historikisht, zona e Garissa-s bënte pjesë në Somali. Anglezët hoqën një vijë të drejtë për të caktuar kufirin ndërmjet Somalisë dhe Kenias, duke ndarë një fis somalez më dysh. Në të vërtetë, njerëzit kalojnë kufirin me lehtësi”.








All the contents on this site are copyrighted ©.