Dhjetë vjet më parë funerali i Shën Gjon Palit II kremtuar në Vatikan nga kardinali Ratcinger: në sajë të fesë në Krishtin, mbarti një peshë përtej forcave njerëzore. Si sot, dhjetë vjet më parë, me kremtimin e Meshës së dritës në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, udhëhequr asokohe nga kardinali Jozef Ratcinger, Kisha dhe bota mbarë i dhanë lamtumirën Papës Gjon Palit I. Dhjetë vjet më parë, më 8 prill, përcillej nga kjo botë drejt shtëpisë së Atit Qiellor i dashuri Papa Shën Gjon Pali II. E sot dëshirojmë, mbi të gjitha, të falënderojmë përsëri Hyjin që na e dha për 27 vjet si atë e prijës të sigurt në fe, si bari të zellshëm e profet të guximshëm të shpresës, si dëshmitar të palodhur e shërbëtor të pasionuar të dashurisë së Hyjit. E njëkohësisht, ta kujtojmë figurën dhe veprën e tij në shërbim të Hyjit Atë e të njeriu vëlla, devocionin e madh me të cilin Papa Wojtila kremtonte Misteret e shenjte dhe adhuronte të Shenjtueshmin Sakrament të altarit, qendër e jetës së tij dhe e misionit të tij të palodhshëm apostolik për të mirën e njerëzimit mbarë.
Pra më 8 prill të vitit 2005, një turmë e jashtëzakonshme njerëzish në Sheshin
e Shën Pjetrit, i jepte lamtumirën e fundit Papës Gjon Pali II. Një ngjarje që, edhe
në sajë të mediave, mori përmasa planetare e akoma sot, mbetet e skalitur në kujtesën
e miliona njerëzve të mbarë botës.
Atë ditë të paharrueshme, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, era që shfletonte
Ungjillin! Turma e besimtarëve që thërriste “Shenjt menjëherë”! Flamujt polakë në
zi! Tingëllimi i këmbanave për mort! Purpuri i veshjeve të kardinajve, bashkremtues
të meshës! Shtrëngimi i duarve ndërmjet krerëve të Vendeve armike! Imazhe e tinguj
të pashlyeshëm të një ngjarjeje, që ishte para së gjithash, dëshmi feje, po edhe vëllazërimi.
Për çerek shekulli, Papa Vojtila kishte përshkuar rrugët e botës për të shpallur kudo
Lajmin e Mirë e vëllazërimin ndërmjet popujve e kombeve.
E tani, mbarë bota ishte mbledhur së bashku në sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan për
ta përqafuar për herë të fundit Papën e ardhur nga larg. Për të falënderuar meshtarin,
bariun, njeriu që u përsëriti të gjithëve e secilit pa u lodhur: “Mos kini frikë.
Hapjani, madje në dy kanatat, portat Krishtit”. Vetë Gjon Pali II, gjatë jetës së
tij, u bë një me Krishtin.
Kështu e kujton kardinali i atëhershëm Jozef Ratcinger, i cili kremtoi funeralin.
Gjon Pali II, tha atëherë shoku i rrugës e Papa i mëvonshëm Benedikti XVI, iu përgjigj
thirrjes së Krishtit për ta ndjekur. Këtu qëndron sekreti dhe misteri i forcës së
tij: “Dashuria e Krishtit qe forca dominuese e Atit tonë të Shenjtë; kush
e ka parë të lutet, kush e ka dëgjuar të predikojë, e di. E kështu, falë kësaj rrënjosjeje
të thellë në Krishtin mundi të bartë peshën, që shkon përtej forcave njerëzore: të
bëhej bari i grigjës së Krishtit, i Kishës së tij universale”.
Fjalët e fundit të homelisë së kardinalit Ratcinger, tejet të mallëngjyera, përshkruajnë
fort mirë ndjenjat e popullit të Zotit për Papën Shën Gjon Pali II. Duke i folur drejtpërdrejt
Karol Vojtilës, Jozet Ratcinger tha: “Mund të jemi të sigurt se Papa ynë i
dashur qëndron tani në dritaren e Shtëpisë së Atit, na sheh e na bekon. Po, na beko,
o Atë i Shenjtë. Ia besojmë shpirtin tënd Nënës së Zotit, Nënës tënde, që të udhëhoqi
çdo ditë e do të të udhëheqë tani në lavdinë e amshuar të Birit të vet, Zotit tonë
Jezu Krisht”.
All the contents on this site are copyrighted ©. |