2015-04-07 11:31:00

Papa Françesku dërgon dhurata për të varfrit e Romës


Të Premten e madhe të Pashkëve, në kohën kur po kremtohej Udha e Kryqit, Lëshmotari i Papës, kryeipeshkvi imzot Konrad Krajewski, u shpërndante të varfërve të Romës një dhuratë, në shenjë të afërsisë së Atit të Shenjtë Bergoglio me skamorët. Për të dytin vit me radhë,  afër 300 të varfër e të pastrehë të Romës morën një dhuratë nga Papa. “Një përkëdhelje të vogël” nga Ati i Shenjtë , u tha atyre imzot Konradi, duke u dorëzuar zarfat me një letër urim të Pashkëve, me fotografi të Papës, dhe një shumë parash. Gëzimi i të varfëve u shndërrua në befasi, emocion, entuziazëm.

Shumë prej tyre e puthnin fotografinë e Papa Françeskut, duke kërkuar ta falënderonin personalisht, të tjerë të mahnitur nga ky kujtim i Papës, vraponin tek të varfrit e tjerët që ende nuk kishin marrë dhuratën për t’i informuar për këtë dhunti të Papës. Të tjerë akoma e fshihnin mirë shumën e parave në petkat e të tyre të varfra, për ta ruajtur këtë thesar të çmuar. “Nuk u besova syve, tha më pas me emocion të thellë njëri prej të varfërve. Kurrë në jetën time nuk më ka bërë kush për Pashkë një dhuratë më të pëlqyer e më të çmuar”.

Në të gjitha stacionet e mëdha të Romës e në afërsi të Shën Pjetrit (Vatikanit) regjistroheshin të njëjtat pamje, deri në mesnatë, kur automobili i Lëmoshtarit u kthye në Vatikan. “Duke ndjekur pas Krishtin në udhën e dashurisë, ne mbjellim shpresën”: këto fjalë të Papa Françeskut, jehonin në vërtetësinë më fisnike në këtë natë, si shembull për të gjithë ne, për të vijuar dëshminë e dashurisë me gjeste konkrete ndaj skamnorëve që takojmë në realitetin e jetës sonë të përditshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.