2015-04-06 16:42:00

Irak: kardinali Filoni ndërmjet të krishterëve të Irakut: janë Pashkë shprese


Kardinali Fernando Filoni, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, e kremtoi Meshën e ditës së Pashkëve në qytetin Sulejmanie, në Kurdistanin irakian, duke çuar mes njerëzve të munduar, afërsinë e Papës Françesku. Ndërsa Natën e Pashkëve, në një çadër, në kampin e refugjatëve të Erbilit. Në këtë mision e ndjek imzot Giorgio Lingua, nunc apostolik në Irak. U lidhëm me telefon me kardinalin Filoni, për një koment të këtyre ditëve festive, në një nga situatat më të vështira për të krishterët:

Përgjigje: - Kremtimi i kësaj nate ishte shumë i bukur, në një çadër, me më se një mijë vetë; liturgjia u kremtua në gjuhën kaldease. U kujtova këtyre njerëzve të munduar se nuk jemi vetëm në një çast kaq të rëndësishëm të fesë sonë, kaq të rëndësishëm, në këndvështrimin shpirtëror, edhe për të gjithë ata, që kalojnë vështirësi. Ditën e Pashkëve, pastaj, kremtova në Sulejmanie, duke i inkurajuar, me mesazhin e Pashkëve, më se 400 familje të strehuara në zonë.

Pyetje: - Si ishte situata në Sulejmanie?

Përgjigje: - Situatë e shtendosur. Autoritetet, që takova, janë të gatshme për bashkëpunim. Natyrisht të krishterët këto ditë janë në festë e besoj se po i jetojnë Pashkët në mënyrë të pashoqe. Nuk kanë ndjekur kurrë një kremtim jashtë fshatit të tyre, jashtë trojeve të tyre. E janë plot me shpresë se Pashkët e ardhshme do t’i kremtojnë përsëri në shtëpi, në fshat.

Pyetje: - Po në Erbil, si ndjeheshin të krishterët?

Përgjigje: - Të krishterët, të cilët i takova posaçërisht në Erbil, në kampin që vizitova, ishin në një gjendje mjaft të rëndë. Jetonin në një strukturë, ku ambienti dhe shërbimet lënë shumë për të dëshiruar. Për fat të mirë autoritetet na siguruan se menjëherë pas Pashkëve do të transferohen në një qendër, ku ka rulotë, që mund të shndërrohen në shtëpi të vogla, në të cilat, besoj, do të ndjehen shumë më mirë. Natyrisht, në kushte të tilla,  rreziku i sëmundjeve është gjithnjë në pritë, sidomos për të moshuarit, Sëmundjet e kanë munduar e vijojnë ta mundojnë popullsinë.

Pyetje: - Papa Françesku, në mesazhin drejtuar Romës e Botës, kërkoi paqe për Sirinë e për Irakun; u lut të marrë fund vringëllimi i armëve e të rivendoset bashkëjetesa ndërmjet grupeve. I bëri thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që të ndihmojë në këto çaste krize, posaçërisht për refugjatët…

Përgjigje: - Natyrisht tragjedia nuk ka të bëjë vetëm me të krishterët. Të krishterët janë vetëm një pjesë. Për shembull, në Sulejmanie, governatori më tha se refugjatët janë më se 220 mijë: disa vijnë nga Siria, të tjerë nga zona e Falluzhës e edhe nga veriu. Ndërmjet tyre ka edhe myslimanë, që përbëjnë shumicën. E qartë, prandaj, se ndihma ndërkombëtare, e cila deri tani nuk ka munguar – por mund të përmirësohet më tej – është e dëshiruar, posaçërisht me shpresën se vendi, si të jetë çliruar, do të mund t’u krijojë këtyre njerëzve mundësinë të rikthehen në jetën e mëparshme, në vendet e tyre, në fshatrat e tyre, në tokat prej nga vijnë e ku kanë jetuar brez pas brezi.  








All the contents on this site are copyrighted ©.