2015-04-06 13:11:00

Papa: tepër të krishterët e persekutuar, bota mos të shikojë gjetiu


 “Krim i papranueshëm, shpresoj që bashkësia ndërkombëtare të mos e kthejë kokën nga ana tjetër”. Në lutjen e Mbretëreshës Qiellore të së Hënës së Engjëllit, Papa Françesku u kërkoi përsëri shteteve të gjithë botës më shumë angazhim në mbrojtje të të krishterëve të persekutuar. Mbarë Kishës, pastaj, i bëri thirrje ta çojë kudo gëzimin e Ngjalljes, me fakte, më shumë se me fjalë.

“Heshtje bashkëfajtore” e quajti Papa në Koloseum, duke u kujtuar të gjithëve, përmes Udhës së Mundimeve të Krishtit, mllefin antikristian, që ka shpërthyer në të katër anët e botës, me pamje nga më tragjiket, të cilat ua kalojnë edhe atyre të martirizimit të të krishterëve të parë. Në lutjen e Mretëreshës Qiellore, një ditë pas Pashkëve, britma alarmuese e Françeskut u lartua përsëri, këtë herë për të shkundur nga plogështia këdo, që mund të bëjë diçka  në mbrojtje të të krishterëve të persekutuar.

Larg plogështisë

Për thirrjen e tij të fuqishme, Papa shfrytëzoi rastin e pranisë, në Sheshin e Shën Pjetrit, të një delegacioni të Lëvizjes Shalom, që arriti në etapën e fundit të stafetës solidare për sensibilizimin e opinionit publik lidhur me persekutimet e të krishterëve në botë.

“Ata janë martirët tanë të sotëm e janë shumë; mund të themi se janë më të shumtë se në shekujt e parë. Uroj që bashkësia ndërkombëtare të mos rrijë e heshtur, e palëvizur përballë një krimi të tillë të papranueshëm, që përbën një shkelje të palejueshme të të drejtave më fillestare të njeriut. E uroj edhe që bashkësia ndërkombëtare të mos e kthejë kokën nga ana tjetër!”.

Më shumë me jetë sesa me fjalë 

Këtë thirrje Papa e bëri në përfundim të reflektimit, përqendruar, para lutjes, mbi shpresën e Ngjalljes, që lind nga varri i zbrazët në agimin e Pashkëve e që riniset, nënvizoi, nga periferia e Gelilesë. Françesku i kërkoi tri herë rresht turmës poshtë dritares ta pësërisë këtë nënë të të gjitha  kumteve: “Krishti u ngjall!”. Kumt që, shtoi, duhet të duket në fytyrën tonë, në ndjenjat tona, në sjelljet tona, në mënyrën si sillemi me të tjerët”.

Ne e kumtojmë  ngjalljen e Krishtit, kur drita e Tij i shndrit çastet e errëta të jetës sonë. Këtë dritë mund ta ndajmë edhe me të tjerët, kur dimë të qeshim me kë qesh, të qajmë me kë qan; kur ecim përkrah njeriut të trishtuar, që rrezikon ta humbasë shpresën, kur ia tregojmë përvojën tonë të fesë atij, që është në kërkim të kuptimit të jetës e të lumturisë.

Shtatë ditë, një ditë e vetme

Si u uroi të gjithëve një javë nën shenjën e “gëzimit të Ngjalljes, e si përsëriti ftesën për të lexuar çdo ditë një fragment nga Ungjilli, lidhur me këtë ngjarje themelore të krishterimit, Françesku e përfundoi lutjen duke  kujtuar se liturgjia e shikon Tetëditshin e Pashkëve si “një ditë të vetme”, me qëllim që, shpjegoi, hiri i misterit të lërë gjurmë të pashlyeshme në zemrën tonë e në jetën tonë.

“Pashkët janë ngjarje, që e ringjall plotësisht çdo njeri, e përtërin historinë, e rinon botën: është ngadhënjimi i jetës mbi vdekjen, është festa e rizgjimit dhe e rilindjes. Ta lëmë jetën tonë të pushtohet e të shndërrohet nga Ngjallja e Zotit”

Kështu u shpreh Papa në lutjen mariane të Mbretëreshës Qiellore që, në Kohën e Pashkëve, zëvendëson Engjëllin e Tënzot.








All the contents on this site are copyrighted ©.