2015-04-05 17:39:00

Imzot Lucjan Avgustini: Ka më shumë rëndësi se kush jemi në Krishtin, e jo çka kemi.


Mesazhi radiofonik i Pashkëve nga ipeshkvi i Sapës, imzot Lucjan Avgustinit, për Radio Vatikan e më poshtë mesazhi shkruar që është shpërndarë të gjitha komuniteteve kishtare të dioqezës së lashtë..

Të rrezatojmë në jetën tonë me shkëlqimin e Krishtit të ngjallur

Porosia e ipeshkvit të Sapës për Pashkë 2015

Shumë të dashur vëllezër meshtar, rregulltar dhe rregulltare, seminarista

të dashur besimtarë e njerëz vullnet mirë të Dioqezit të Sapës,

Lajmi se Krishti është Ngjallur jehon fuqishëm në botën mbarë; është lajmi i gëzuar i engjëllit dhe njëkohësisht është thirrje që u drejtohet gjithë atyre që besojnë në Krishtin për ta pranuar dhe për të jetuar në këtë të vërtetë.

Ngjallja e Krishtit nuk është një ngjarje historike vetëm për ta kujtuar, por është ngjarje shëlbimprurëse  e cila duhet jetuar. Të kremtosh Pashkët do të thotë të fitosh me Krishtin, mbi çdo të keqe, mbi vdekjen, vuajtjen, trishtimin. Krishti vdiq për dashuri ndaj njeriut në këtë mënyrë bëri të mundur të jetojmë ne. Vdekja u shkatërrua në kryq, dashuria u bë më e fortë se vdekja.

Me vështrimin dhe mendjen te Krishti i Ngjallur, le të përballojmë çdo formë apo çdo frymë vdekjeje që transmeton mëkati, smira e padrejtësia, dhe le të bëhemi rreze ngjalljeje në mesin tonë. Kur ne jemi në shoqëri me Krishtin aty nuk sundon vdekja, sepse Ai është "Ringjallja dhe Jeta" (Gjn 11,25), dhe këtë Jetë u dhuron të gjithë atyre që bashkohen me Te. Të përfshirë me këtë ngjarje, jemi të thirrur që të jemi persona që rrezatojmë në jetën tonë me dritën e Krishtit të Ngjallur. Prej të gjitha mendimeve dhe fjalëve tona, prej të gjitha veprave tona të rrezatojë drita e Krishtit të Ngjallur. Oh, sikurse kishte për tu vërejtur ky rrezatim i Krishtit të Ngjallur në fytyrën dhe në jetën tonë!

Pashkët, me kremtimin e Ngjalljes së Krishtit, na tregojnë udhën për të ndryshuar, shndërruar vetveten dhe botën, për t’i dhënë një fytyrë të re që favorizon zhvillimin e njeriut e të shoqërisë sipas logjikës së solidaritetit, të mirësisë, dashurisë, faljes, në respekt të dinjitetit të çdonjërit.

Po ju drejtohem juve të kushtuar Zotit. Meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare të Dioqezit të Sapës, kemi për detyrë ta zgjojmë njeriun prej gjumit të dembelisë shpirtërore. Papa Françesku me rastin e vitit të jetës së kushtuar na porositë: “Pres nga ju ta zgjoni botën! “Zgjojeni botën! Ndriçojeni me dëshminë tuaj profetike, kundër rrymës”.

Po. Dëshmia e jonë e kushtimit të jetës duhet të jetë dritë mbi pishtar, për ta ndriçuar e për ta ngrohur mbarë popullin e Hyjit. Takimi personal me Krishtin, që e ushqen kushtimin tonë, duhet të dëshmohet me gjithë forcën në gjithë jetën tonë dhe ti ndihmojmë të tjerët për të gjetur rrugën e Zotit e të njerëzisë. Ta ndihmojmë njeriun e sotëm për ta rrokullisur gurin e varrit që është pengesë për të parë se ku gjendet gëzimi dhe lumturia e vërtetë. Lumturia e vërtetë është në Krishtin e ngjallur.

Po ju drejtohem juve familje të dashura të kësaj dioqeze, kudo që jetoni, brenda apo jashtë territorit të Ipeshkvise. Familja ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe në jetën e njeriut. Në qoftë se familja është e shëndoshë krejt shoqëria do të jetë e shëndoshë. Mentaliteti konsumit, materialist dhe mënyra e të jetuarit larg Zotit dhe e plogësht për nga besimi është duke u bërë shkak i shkatërrimit të shumë familjeve. Nuk mund të ndahet familja duke u ndarë burri dhe gruaja.

Duhet për tu lutur në familje, të bashkuar rreth tryezës, është e lehtë, është shumë gjë e bukur, jep shumë forcë! Të lutemi për njëri-tjetrin: burri për gruan, gruaja për burrin, të dy për fëmijët. Fëmijët të luten për prindërit, për gjyshërit..., lutja në familje, e bën më të fortë familjen.

Familje e Sapës, rrezato me dritën e Krishtit të Ngjallur. Në familje duhet ta ruajmë fenë tonë. Ti mësojmë fëmijët që ta jetojnë fenë, besimin. Mësimi më i mirë dhe më i sigurt është duke e dhënë vetë prindërit shembullin e urtës dhe të pjesëmarrjes në meshë dhe në jetën sakramentale. Nëse prindërit prijnë me shembull dhe me uratë familjare të përbashkëta, fëmijët dhe të gjithë që jetojnë në gjirin familjar kanë për ta gjetur më lehtë rrugën e njerëzisë, te shëlbimit e të shenjtërisë.

Nuk na nevojitet pasuria kur shkatërrohet familja. Ka më shumë rëndësi se kush jemi e jo çka kemi. Në një situatë ekonomike që është e vështirë, që të mund të përballohet duhet të jemi të bashkuar, Bashkimi forcon, ndërsa përçarja e bën të papërballueshme krizën ekonomike e familjare.

Në jetën tonë familjare ka gëzim e vuajtje; ka gëzim e lot. Kështu është jeta tokësore. Por, Krishti u Ngjall, jeton dhe ecë me ne. Prandaj duhet të ecim në këtë botë, me sytë drejtuar kah Ai që është shpresa e jonë.

Krishti i Ngjallur na dërgon ne familje të dashura, që të jemi dëshmitarë të shpresës së tij, dhe na siguron: “Unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës” (Mt 28,20). Të lejojmë që të na ndriçojë drita e shkëlqyer e Krishtit të Ngjallur e të bëhemi shpërndarës të lumturisë së tij..

Të rinj të Sapës, rrezatoni në jetën tuaj me dritën e Krishtit të Ngjallur. Nuk duhet kurrë të harrojmë se kush jemi. Se jemi pasardhësit e atyre që prej viteve të para të krishterimit, e kanë pranuar dhe ruajtur besimin në Krishtin Zot. Nuk guxojmë të biem në kurthe, që në forma të ndryshme na imponohen me mënyrën e të jetuarit të ashtu quajtur jetë postmoderne , e cila ka për qëllim ftohjen, dobësimin apo edhe largimin prej besimit në Krishtin Zot. Duhet të jemi krenar për atë çka na është lënë trashëgim dhe për atë se kush jemi. Por duhet që edhe sot, besimin në Krishtin, me krenari e guxim të dimë ta jetojmë  dhe ta dëshmojmë, përballë të gjitha vështirësive.

Hyji ka etje për fenë tonë dhe dëshiron që ta gjejmë në Të burimin e lumturisë sonë. “Me

Mishërimin e tij, jetën, vdekjen dhe Ngjalljen, Ai na shëlbon prej mëkatit dhe na i hap horizontet e reja. Kështu në Krishtin, të rinj të dashur, gjendet plotësia e ëndrrave tuaja mbi mirësinë dhe lumturinë. Vetëm Ai mund të kënaqë pritjet tuaja të cilat shpesh janë të tradhtuara prej premtimeve mashtruese të botës”, porositë Papa Françesku në moesazhin e tij drejtuar të rinjve në këtë vit.

Që të gjithë të dimë në jetën tonë të rrezatojmë me dritën e Krishtit të Ngjallur, me këtë thirrje dhe angazhim për ta realizuar ju bekoj dhe uroj nga zemra

Për shumë vjet Pashkët !

Bariu i juaj

Imzot Lucjan Avgustini

 








All the contents on this site are copyrighted ©.