2015-04-05 10:26:00

Homelia e Papës Natën e Pashkëve (Tekst i plotë)


Natë e pa gjumë, kjo natë.

Nuk fle Zoti, rri zgjuar Rojtari i popullit të vet (cfr Sal 121,4), për ta nxjerrë nga skllavëria e për t’i hapur rrugën e lirisë.

Zoti rri zgjuar e me pushtetin e dashurisë së tij e bën popullin të kalojë përmes Detit të Kuq; e bën të kalojë Jezusin përmes honit të vdekjes e të nëntokës.

Natë e pagjumë qe kjo për dishepujt e dishepullet e Jezusit, natë dhimbjeje, frike. Burrat mbetën mbyllur në çenakull. Ndërsa gratë, në ag të ditës pas së shtunës, shkuan tek varri për ta vajuar korpin e Jezusit. Zemra e tyre ishte plot me përmallim e pyesnin: “Si t’ia bëjmë për të hyrë? Kush do të na e rrotullojë gurin e varrit? ...”. Por, ja shenja e parë e Ngjarjes së madhe: guri i rëndë ishte flakur tutje e varri, i hapur!

“Si hynë në varr, panë një djalosh, ulur më të djathtë, veshur me petka të bardha....” (Mk 16,5). Gratë qenë të parat që e panë këtë shenjë të madhe: varrin e zbrazur; e qenë edhe të parat që hynë brenda...

“Hyni në varr”.  Na bën mirë këtë natë  të pagjumë, të ndalemi e të reflektojmë për atë që ndjenë dishepullet e Jezusit. Na takon edhe ne. Prandaj edhe jemi këtu; për të hyrë, për të hyrë në Misterin që Zoti  kreu me natën e tij të pagjumë të dashurisë.   

Nuk mund të jetohen Pashkët, pa hyrë në mister. Nuk është fakt intelektual, nuk është diçka, që duhet ditur, që duhet lexuar... është shumë më tepër, shumë, shumë!

“Të hysh në mister” do të thotë të kesh aftësi të mahnitesh, të kundrosh; aftësi t’ia vësh veshin heshtjes e të dëgjosh një fill heshtjeje tingëlluese përmes së cilës Zoti na flet (cfr 1 Mbr 19,12).

         Të hysh në mister, do të thotë të mos kesh frikë nga realiteti. Të mos ndryhesh në vetvete, të mos i mbyllësh sytë përballë problemeve, të mos i mohosh, të mos i shlyesh pikëpyetjet, që burojnë prej tyre.

         Të hysh në mister do të thotë të shkosh përtej sigurisë së rehatisë sate. Përtej përtacisë e indiferencës, që frenojnë, e të vihesh në kërkim të së vërtetës, të bukurisë të dashurisë, të kërkosh kuptimin, që nuk gjindet lehtë; përgjigjen, jo të rëndomtë, për pyetjet, që e vënë në krizë fenë tonë, besnikërinë tonë, arsyen tonë.

         Për të hyrë në mister duhet përvujtëri, përvujtëri për t’u ulur, për të zbritur nga piedestali i vetvetes sonë tejet krenare, të pretendimeve tona; përvujtëri për t’u ridimensionuar, për të ditur vërtetësisht kush jemi; krijesa, me vlerë e pa vlerë, mëkatarë nevojtarë për ndjesë. Për të hyrë në mister duhet kjo ulje, që është pafuqi, zbrazje nga idhujtaritë, adhurim. Pa adhuruar, nuk mund të hysh në mister.

Gjithë këtë na  e mësojnë gratë dishepulle të Jezusit. Ata ndenjën zgjuar atë natë, me Nënën. E ajo, Virgjër e Nënë, i ndihmoi të mos e humbisnin fenë, as shpresën. Kështu nuk mbetën të mbyllura në frikë e në dhimbje, por, sapo shkrepi rrezja e parë, dolën me vajrat erëmira e me zemrën e vajosur nga dashuria, dolën e e gjetën varrin të hapur, e hynë, e ndenjën zgjuar, dolën e hynë në mister. Të mësojmë prej tyre për të ndenjur zgjuar me Hyjin e Marinë, Nënën tonë, për të hyrë në misterin, që të bën të kalosh nga vdekja, në jetë!








All the contents on this site are copyrighted ©.