2015-04-04 20:14:00

Krishti u Ngjall! Aleluja! Për shumë mot Pashkët – Gëzuar, Aleluja!


Krishti, Shëlbuesi ynë, fitoi mbi vdekjen: Krishti u Ngjall! Aleluja! Me ngjalljen e tij, gjithçka nis nga fillimi. Atje ku mbretëron mëkati, tani mbretëron hiri. Kush u varros me Të në vdekje, sot me Të u ringjall, për të ecur në një rrugë të re, për të filluar një jetë të re, me vetëdijen se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua së bashku me Krishtin.

Urojmë, pra, që të gjithë të fillojmë një jetë të re, për Zotin, në Krishtin Jezus. Urime – Gëzuar – Pashkë të bardha!

Me Krishtin e Ngjallur, jeta dhe historia marrin një kuptim të ri. Ishte një Engjëll ai, që u dha zemër grave të cilat, posa arritën tek Varri i Jezusit, mbretën të habitura e të shqetësuara pa masë, sepse e gjetën të hapur e të zbrazur. E jashtëzakonshme domethënia e asaj që ndodhi. Engjëlli i tha: “Mos kini frikë!...është ngjallur, nuk është këtu, E tani, shkoni e kumtojani këtë lajm Apostujve”. Këto fjalë të Engjëllit, të cilat i dëgjojmë përsëri e gjithnjë me emocion të brendshëm, kanë vlerë të madhe edhe për ne. Me ngjalljen e Krishtit gjithçka ndryshon: jeta dhe historia fitojnë domethënie të re. Na e kujton këtë predikimi i shën Pjetrit Apostull drejtuar turmave të Jerusalemit. Thjeshtë e qartë Pjetri pohon se “Krishti i kryqëzuar është gjallë, është ngjallur dhe ne të gjithë jemi dëshmitarë!”

Që atëherë, Kisha nuk ka pushuar së shpalluri këtë Lajm të Mirë. Është urgjente që të gjithë njerëzit ta njohin e ta takojnë Krishtin, të kryqëzuar e të ngjallur, e ta lëshojnë veten plotësisht në duart e Tij. Atyre, të cilët e mirëpresin, Ai ua mbush zemrën me gëzimin e vërtetë, që e bën të re, të bukur e të pasur me shpresë jetën njerëzore.

Galdimi i Pashkëve gëzon posaçërisht Zojën e Bekuar, e cila pësoi bashkë me Krishtin provën e rëndë të Mundimeve e të vdekjen me kryqëzim. T’i lutemi Virgjërës Mari ta bëjë gjithnjë më të fortë besimin tonë në Ngjalljen e Jezu Krishtit  Zotit tonë, duke na udhëhequr që ta dëshmojmë në angazhimin e përditshëm, këtë mesazh të gëzueshëm e themelor të Pashkëve: Krishti u Ngjall! Aleluja! Vërtetë u Ngjall, Aleluja!.

Ngjallja e Krishtit është festë për ty

Eja vëlla, është për ty kjo festë,

ky agim shprese e gëzimi.
Tepër gjatë ke ecur nëpër natë.
Sytë nuk e durojnë më
këtë errësirë të dendur,
këtë terr të frikshëm që mbulon çdo gjë.
Eja, kemi bërë gati një zjarr,
eja, kemi ndezur një dritë.
Tani e tutje edhe ti e di se në Krishtin Jezus
të gjithë mund të fitojmë mbi ankthin e natës
e të gjejmë dritën për të shkuar përpara.

Eja, vëlla, për ty është kjo festë,
ky agim ku kujtimi bëhet realitet.
Tepër gjatë ke ecur në heshtje,
si dikush që ka humbur kujtesën,
e nuk di nga vjen e ku shkon.
Je takuar me rreziqe e pengesa
në vetminë tënde pa mbrojtje.
Pa një fjalë ngushëllimi,
pa një fjalë besimi,
pa një fjalë vëllazërore.
Eja, e kemi hapur Librin,
eja, duam të dëgjojmë një Fjalë jete.
Tani e tutje edhe ti e di se në Krishtin Jezus
mund të lidhim të gjithë aleancë në amshim
me Zotin e me njerëzit.

Eja, o vëlla, kjo festë është për ty,
ky agim që na bën të lindim
në një jetë të re.
Tepër gjatë ke ecur në shkretëtirë,
duke e lënë pluhurin të ngjitet
në lëkurë e në rroba, në zemër e në sy
e ta thajë e ta bëjë eshkë grykën.
Eja, këtu është uji i gjallë
që gurgullon gjithnjë për ty, uji i pagëzimit.
Tani e tutje edhe ti e di se në Krishtin Jezus
mund të ringjallemi për një jetë të re,
si bij të Zotit.

Eja, vëlla, është për ty kjo festë,
kjo tryezë e shtruar, kjo darkë ofruar për të gjithë.
Tepër gjatë ke ecur
pa bukë e pa ujë.
Të kanë lënë forcat,
energjitë janë shuar.
Tani e tutje edhe ti e di se Krishti Jezus
është Buka e Vera e jonë,
Korp i thyer, Gjak i derdhur
për jetën e botës








All the contents on this site are copyrighted ©.