Për shumë Mot kjo Natë e Shenjtë e Pashkëve, kjo Natë e Shenjtë e Krishtit
të Ngjallur, juve dëgjues të Radio Vatikanit e shqiptarë të nderuar kudo
që jeni. Drita, bekimi e paqja e Krishtit të Gjallë qofshin përherë në zemra e në
familje tuaja.
Këtë të Shtune ndalemi te liturgjia e Natës së Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit,
Natës së Pashkëve në të cilën Kisha mbarë i kumton njerëzimit Ngjalljen e Krishtit.
Kjo e vërtetë e fesë së krishterë është pika kulmore e tërë Vitit të Liturgjisë Kishtare
dhe thelbi i fesë sonë të krishterë, e për këtë arsye solemniteti i Pashkëve quhet
me të drejtë festa e të gjitha festave, e kjo Natë tejet e Shenjtë e Pashkëve, ‘nëna
e të gjitha netëve, nëna e të gjitha festave’ të krishtera. Në këtë Natë të Shenjtë,
gjithçka përkon, gjithçka përmblidhet e merr kuptim të ri në Dritën Shpëtimprurëse
të Jezusit të Ringjallur.
Pra, në këtë Natë të Shenjtë të Ngjalljes së Jezu Krishtit, kremtojmë ngjarjen e madhe
e vendimtare që ia ndryshoj rrjedhën historisë së njerëzimit: kremtojmë fitoren e
Krishti mbi vdekje e këndej më Krishtin e në Krishtin edhe ngadhënjimin e njerëzimit
mbi të keqen e vdekjen.
Në këtë Natë të Shenjtë të Pashkëve “kumtojmë fenë tonë në Krishtin e kryqëzuar, të
vdekur e të ringjallur. Kumtojmë shpresën tonë në njerëzimin e shëlbuar e të bërë
“bir” të Zotit. Shpallim sot dashurinë që na shpëtoj e që bëri të lindë në ne dashuria”.Prezenca
në Eukaristi, nata e lutjes në Gjetsemani, falja e armiqve, feja në Krishtin, të Birin
e njeriu, përcaktimi mes të mirës e së keqes që çdo njëri duhet të bëj me përgjegjësi
të ndërgjegjes së vet, kryqi i Krishtit, shenjë e dashurisë dhe e lavdërimit: në këtë
vështrim duhet t’i përshkojmë orët e mbramë të Jezusit, jo si një përkujtim thjesht
të një riti fetar por të një afërsie të besimit e të liturgjisë pashkore në dashurinë
Ngadhënjimtare të Zotit të Jetës.
Vigjilja e Pashkëve sot përmban këto katër pjesë:
Shtuna e Madhe e Pashkëve është ditë kundrimi dhe heshtjeje të madhe, ditë të cilën
të krishterët ftohen ta kalojnë në lutje deri në kumtin e Ngjalljes së Krishtit. Në
inflacionin e fjalëve që kaq shumë dëgjojmë çdo ditë, është tepër e nevojshme kjo
ditë heshtjeje. Shën Gregori i Madh Papë një herë pati thënë: ‘Duke mos folur, mësojmë
të heshtim, por duke heshtur, në qetësi të plotë, mësojmë të flasim më mirë”. Nata
e Pashkëve, me ritet liturgjike të veta të bekimit të ujit, të zjarrit dhe të shpalljes
së Ngjalljes së Krishtit, bën të shndrisë fytyra gjithnjë e re dhe e bukur e Kishës,
e cila u kujton besimtarëve se Treditëshi i Pashkëve nuk është kujtim i realitetit
të së kaluarës, por është realitet aktual. Krishti edhe sot, me dashurinë e tij fiton
mbi mëkatin dhe mbi vdekjen. E keqja, në të gjitha format e veta, nuk do ta thotë
fjalën e fundit. Në fund të fundit do të ngadhënjejë Krishti, e vërteta, dashuria.
Në se jemi gati të vuajmë e të vdesim me Të, siç na tregon shën Pali në liturgjinë
e Fjalës të kësaj Nate të Shenjtë të Pashkëve, jeta e Tij do të bëhet jeta jonë. Mbi
këtë siguri mbështetet dhe ngrihet feja dhe jeta jonë e krishterë.
Pra, Treditëshi i Pashkëve arrin kulmin pikërisht në Natën që kremtohet ndërmjet
së Shtunës së Madhe e të Dielës së Ngjalljes së Jezu Krishtit. E Shtuna, e treta ndër
ditët e shenjta të Pashkëve është, ndër të gjitha, më e pasura me rite, simbole, fjalë
e shenja, që shprehin fitoren e Jezu Krishtit, Zot e Shpëtimtar mbi vdekjen dhe forcat
e errëta të së keqes. Është shpresë që u ofrohet të gjithë atyre njerëzve që besojnë
në Zotin e Kryqëzuar e të Ngjallur. E Shtuna e Madhe është pra një ditë lutjeje e
agjërimi, jo si pendesë, por si pritje e dëshirë për bukën e vetme që ushqen me të
vërtetë: bukën e të Ringjallurit. Nata e Pashkëve dallohet nga e Shtuna e bën pjesë
në ditën e Pashkëve; është festa e vërtetë, është një Natë “nëna e të gjitha netëve”.
Katër janë simbolet e liturgjisë së natës së Pashkëve, e cila kremton ringjalljen
e Zotit: drita, fjala, uji dhe buka. Të gjitha shpjegohen me mënyrat me të cilat Jezusi
e ka paraqitur veten: Jezusi është drita e botës, është fjala e fundit e Atit. Është
uji që shuan etjen e përtërin, është buka e jetës.
Nata e Pashkëve na bën të hyjmë në plotësinë e misterit të tij: na bën të takojmë
Jezusin si i Ringjalluri, i Gjalli, Ai që, duke na treguar fytyrën e vërtetë të Atit,
mund të na mbushë me gëzim e shpresë. Nata e Pashkëve është rrënja e çdo shprese dhe
e kuptimit të krishterë të jetës. Kush ndjek Jezusin për jetë, kush ka jetuar në ditët
e mëparshme solidaritetin në dhimbje, tani mund të jetojë me gëzim festën.
Nëse gjatë Krezhmëve kemi reflektuar mbi peshën e mëkateve e mbi rrezikun e dështimit
në jetë, këtu fillon shpresa për një ndihmë nga lart, që i jep vlerë ekzistencës,
megjithëse në mes të errësirës e dhimbjes. Bashkësive të krishtera, Nata e Pashkëve
duhet t’u japë guximin për ta dëshmuar këtë shpresë, guximin për ta arsyetuar shpresën
e jetës, që mbajnë në zemër. T’u japë aftësinë për të ndërmarrë impenjime e iniciativa,
që i thonë botës sa e mbushur me të ardhme e me mundësi pozitive është feja në Jezusin. E
tani të përshkruajmë e të përshkojmë së bashku ritet dhe simbolet liturgjike të Natës
së Shenjtë të Pashkëve.
Liturgjia e dritës
Çasti i parë i Natës së Pashkëve e përqendron vëmendjen mbi dritën: zjarri i ndezur
në errësirë kujton Shpirtin dhe ngrohtësinë e Zotit, forcën e tij ripërtëritëse, por
edhe dashurinë njerëzore, që i jep ngrohtësi e kuptim jetës.
Imazhi i qiriut në procesion drejt kishës e thërret popullin e besimtarëve të ndjekë
Jezusin, dritën e botës. Qiriu që jep dritë duke u konsumuar, si Jezusi, u thotë të
krishterëve se askush nuk mund të jetë dritë për të tjerët, pa flijuar e hequr dorë
nga vetvetja. Do të ishim të kënaqur nëse nga sakrificat tona të vogla, të tjerët
të përfitonin ngrohtësi e jetë. Për disa aspekte, bota është akoma e zhytur në errësirë.
Lajmi i Mirë i Pashkëve nuk mund të mbetet vetëm në një himn fjalësh të bukura. Kulti
i vërtetë i të krishterit është jeta e Krishtit të Gjall.
Ja me fjalë tjera Shërbesa e Dritës: Bashkësia gjendet afër qiriut të Pashkëve që
është simbol i Krishtit, dritës së botës. Në shërbesën e dritës të kësaj nate duhet
të veçohen momentet si bekimi i zjarrit që është shenjë e jetës që shndritë dhe ngrohë.
Më pas në qiriun e Pashkëve meshtari gdhendë një kryq. Mbi të vihet shkronja greke
Alfa ndërsa nën të shkronja Omega. Në katër anët e kryqit vihen katër numrat e vitit
vijues, pastaj mundë të vihen pesë kokrrat e kemit po kështu në formë kryqi. Prej
zjarrit të bekuar ndizet qiriu i Pashkëve që simbolizon Krishtin e Ngjallur.
Pasi të jemi nisur drejt kishës, në hyrje të saj të gjithë ndezin qirinjtë që bartin
në dorë nga qiriu i Pashkëve (Populli i Zotit udhëton në këtë botë i shndritur me
dritën e Krishtit). Atëherë xhakoni, ose nëse ai nuk është, meshtari duke e lartësuar
qiriun e Pashkëve këndon në hyrje të kishës, në mes dhe te altari: Drita e Krishtit,
në çka të gjithë përgjigjen: Falënderojmë Hyjin.
Pasi të vihet qiriu në shandan këndohet himni i qiriut të Pashkëve. Ky himn përmban
pesë tema: 1) Ngjallja është krijim i ri; b) Dalja; Qiriu si udhëtregues i popullit
(Dalja nga Egjipti); c) Qiriu është dritëza e Kishës e cila pret të Fejuarin e vet;
d) Domethënia e paraqitjes së dritës dhe karakteri flijues i Pashkëve; dhe e) Simbolika
e bletëve. Pasi të ketë përfunduar himni të gjithë fikin qirinjtë dhe ulen, vazhdon
shërbesa e fjalës.
Liturgjia e Fjalës
Liturgjia ofron mundësinë e shumë leximeve: zgjedhja e të gjithave ose vetëm e disave
prej tyre duhet të japë kuptimin e domethënien e një historie të përshkuar nga iniciativa
e Zotit. Fjala bëhet histori e përgatitet të presë Jezu Krishtin.
Fjala është në fillim të krijimit, nëpërmjet të cilit Zoti dhuron të qenit, pra i
jep kuptim gjithçkaje ekziston. Në veçanti, krijon njeriun në përngjasim me Të, duke
vendosur tek ai farën e një prirjeje të natyrshme drejt Krijuesit të vet.
Fjala e Zotit udhëheq rrugën e çlirimit e të rithemelimit të popullit, që bëhet popull
i Zotit nëpërmjet mundit e kërkimit, gabimit e kthimit drejt Zotit.
Deri tek Ungjilli, ku tregimi i grave që gjejnë varrin e Jezusit bosh e çon besimtarin
tek Ai, që nuk duhet kërkuar ndër të vdekurit, tek i Gjalli, që duhet takuar në historinë
e përditshme.
Ja me fjalë tjera Shërbesa e Fjalës së Zotit: Kur mendojmë mbi veprat e mrekullueshme
të cilat që nga fillimi Zoti i ka bërë në popullin e vet. Për shërbesën e fjalës janë
të paraparë shtatë lexime prej Besëlidhjes së Vjetër dhe dy prej Besëlidhjes së Re.
Leximet e BV mundë të reduktohen në më së paku dy por asnjëherë nuk guxon të lihet
leximi mbi daljen prej Egjiptit (Leximi i tretë). Pas leximit të fundit të BV dhe
lutjes meshtari këndon Lavdi… Vijon lutja dhe leximi i letrës nga Besëlidhja e Re.
Kur ky përfundon solemnisht pas shtatë javësh këndohet Aleluja. Vazhdon Ungjilli
dhe Homelia apo komenti i leximeve biblike.
Liturgjia e Pagëzimit
Është çasti që na çon tek jeta e re e marrë përmes Pagëzimit: është pra momenti-kujtesë
i ngjarjes themelore të qenies sonë si Kishë. Përtëritja e impenjimeve, që të tjerët
i kanë marrë për ne në momentin e Pagëzimit do të thotë një vetëdije e re për përgjegjësinë
tonë në histori. Ja me fjalë tjera Shërbesa e Pagëzimit:: Sakrament ky përmes të cilit
kemi kaluar nga vdekja në jetë. Bëhet përsëritja e premtimeve të pagëzimit, dhe nëse
ka katekumen ( kandidat të rritur për pagëzim apo fëmijë) bëhet paraqitja dhe e nunave,
e pastaj kremtohet pagëzimi i tyre. Nëse nuk ka asnjë kandidat për pagëzim, bashkësia
e besimtarëve ftohet në lutje dhe bëhet bekimi i ujit. E pastaj bëhet përtëritja
e premtimeve të pagëzimit, e më këtë rast nuk thuhet Besojma.
Liturgjia Eukaristike
Eukaristia e Natës së Pashkëve është një “akt falënderimi” krejt i veçantë: “Pashkët
ishin momenti në të cilin e pati fillesën Eukaristia e vërtetë! Prandaj edhe misteri
i natës së Pashkëve përqendrohet tek Eukaristia, të cilën Krishti nuk e paraqet i
vetëm, por së bashku me Kishën e vet. Ajo merr pjesë në Eukaristinë e tij, që përuron
solemnitetin e madh të Rrëshajëve, në të cilat bashkësia e krishterë e shëlbuar falënderon
Atin së bashku me Birin”.
Ja me fjalë tjera Shërbesa Eukaristike: Populli i Zotit i rilindur me pagëzim paraqet flijen në Përkujtim të Krishtit, si shenjë falënderimi dhe ushqehet me korpin e gjakun e Krishtit të Gjallë. Shërbesa Eukaristike është kulmi i këtij kremtimi me të cilën shprehet kuptimi themelor i saj: me praninë e Krishtin të Gjallë kalojmë nga vdekja në jetë të vërtetë. Kremtimi i Meshës vazhdon si rëndomtë me lutjet përkatëse e të përshtatshme të kësaj të Kremte, sipas Mesharit Romak. Kremtimi i Natës së Pashkëve nuk duhet të përfundojë para mesnatës, “sepse duhet të presim deri në atë çast të saktë kthimin e Hyjit”. Ajo Natë është e mbushur me misterin e pritjes. Qiriu qëndron pranë ambonit, i cili përfaqëson Varrin bosh. Ai është simbol i të Ringjallurit. Gratë që në mëngjes herët, shkojnë te varri për ta mbështjellë “trupin e vdekur” të Jezusit me një vaj të përmortshëm gjejnë Fjalën e ngjallur. Nata e Pashkëve kremton krejt Misterin e festës e në çdo pjesë të saj kryhet kalimi nga vdekja në jetë. Kulmi i Natës është Eukaristia: buka e të Ngjallurit për bashkësinë e vet. Më shumë mbi liturgjinë e Natës së Ngjalljes së Jezu Krishtit, Zot e Shpëtimtar, mund të dëgjoni edhe këto emisionin tonë të së shtunës...
All the contents on this site are copyrighted ©. |