2015-04-03 13:48:00

Udha e Kryqit – Udhë e Dritës


E Premtja e Madhe. Në liturgjinë e kësaj dite meditojmë misterin e vdekjes së Krishtit e adhurojmë Kryqin. Në çastet e fundit të jetës, para se ta lëshonte shpirtin në duart e Atit, Jezusi tha: “U krye!”(Gjn. 19.30). Ç’deshi të thotë Jezusi me këto fjalë “U krye”? Deshi të thotë se vepra e shëlbimit u krye me Flijimin e tij, se të gjitha Shkrimet e Shenjta u përmbushën plotësisht në dashurinë e Krishtit, Qengjit të flijuar. Jezusi me flijimin e tij, e shndërroi padrejtësinë më të madhe, në dashurinë më të madhe! E për ta kuptuar këtë, ndihmojnë shumë ritet liturgjike, rrëfimi i historisë së Mundimeve të Krishtit e edhe manifestimet e përshpirtërisë popullore, si Udha e Kryqit, që sonte ju ftojmë ta ndiqni në të katër anët e botës, nga Toka Shenjte, pas të krishterëve të martirizuar të atyre viseve, në Koloseum, pas Papës Françesku... 

Gjithçka nis atje, në vendin që quhet Kalvar. Simbol terri e drite. Fjalë që ka hyrë në të gjitha gjuhët njerëzore, simbol i kacafytjes së përjetshme të së mirës me të keqen, fjalë në të cilën ndeshen drita me errësirën, në shekuj, deri te fitorja e Dritës. Nis atje e atje edhe vijon. Çdo vit. E jo thjesht si kujtim. Sepse atje, ku mbaron Kalvari i një Zoti, nis kalvari i njeriut, gjithnjë në kërkim të dritës.

Në këtë Natë të jashtëzakonshme, kur Kisha merr hije zije e trishtimi, zhvesh elterët në shenjë dhimbjeje, vajton me fjalët e Jeremisë Profet, e mbart të Shenjtnueshmin në Kapelën e posaçme të Varrit të Shenjtë, përfytyrimi ynë sillet rrotull Globit, për të ndjekur turmat e besimtarëve, që ecin pas Krishtit në drejtim të Kalvarit, nga Toka Shenjte e martirëve të lashtë e të rinj, tek Koloseumi i martirëve të parë. Nga Italia, tokë e vërshimit të emigrantëve, në Filipinet e përmbytura prej ujërash, nga Kanadaja, tek  Shqipëria, kombi evropian ende jashtë Evrope.

Ecim së pari kah Kalvari, kah vendi i rrashtës, jashtë Jeruzalemit, ku, sipas  Ungjijve, Jezusi u ngjit me kryq në krah e u kryqëzua. Në Golgota. Në qytetin e vjetër. Vend shkëmbor që sot përfshihet brenda Bazilikës së Varrit Shenjt. Mbi të është Kapela e kryqëzimit e  katolikëve e kapela e vdekjes e ortodoksëve. Mund të shihet e edhe të preket, shkëmbi ku u ngul Kryqi, te këmbët të cilit shtrëngohen sonte rreth Marisë, të krishterët e botës mbarë që, simbolikisht a fizikisht si shtegtarë, e ndjekin Krishtin në udhën e mundimshme mbi kodrën, ku romakët kryqëzonin të dënuarit me këtë vdekje tejet poshtëruese!

Udha  e Kryqit mbi Kalvar na propozon të meditojmë mbi kryqin, si përçues i paqes.

Kryqi, që ndjekim në Tokën e kryqëzimit, është kumt, padi, mospranim: këto janë fjalët kryesore, që përsëriten në  të 14 stacionet e Udhës së Kryqit, në Tokën Shenjte. Kumt ligështie, po jo poshtërsie; butësie, por jo frike, mohim i vetvetes, për të pohuar jetën e pamort. Kryqi i ndjekur në Tokën e kryqëzimit, është  padi për vuajtjet e gjithë njerëzve të pafajshëm, posaçërisht për padrejtësitë e dhunën, që vijojnë ta trandin Tokën Shenjte, si në ditët tragjike të kryqëzimit, kur besohej se gjithçka kishte marrë fund...

Kryqi, që ndjekim sonte në Tokën e kryqëzimit, është mospranim. Është heqje dorë  nga të gjithë idhujt, personalë e kolektivë, për të marrë mbi vete kryqin e shërbimit e të ndihmës, të vuajtjeve e të padrejtësive që në Tokën Shenjte rëndojnë posaçërisht mbi popullin palestinez. E Kryqin tënd, për të ecur me të pas turmës, që ngjitet sonte mbi Kalvar, duke përsëritur, me emocione të papërballueshme, ngjarjen që ia ndërroi rrjedhën historisë, duke hapur epokën e re, mbas Krishtit...

“Udha e fesë, udhë e solidaritetit”: këto, titujt  e 14 Stacioneve të Udhës së Kryqit, që po kremtohet në Ottawa të Kanadasë, kushtuar kryesisht paqes në Lindjen e Mesme. Besimtarët po reflektojnë e po luten edhe për shumë vende të varfëra në jug të Planetit. Në 14 stacionet kujtohet drejtësia e dhunuar në shumë vise të botës, kujtohen njerëzit e lënë pas dore, të përjashtuar nga shoqëria, të flakur si hedhurina. Njerëzit pa zë, të krishterët, që përndiqen për shkak të fesë së tyre, që detyrohen të ikin e të vdesin rrugash. Kujtohen bashkësi të tëra të kërcënuara, kujtohet Kisha, që po vuan në mbarë botën: vuan në Tokën Shenjte, ku duhet të shemben muret e armiqësisë e të ndarjes. Vuan në Lindjen e Mesme, ku vdiset çdo ditë me një vdekje që përsërit kryqëzimin e Krishtit. Vuan në Afrikë, ku njerëzve vijon t’u lëkundet toka nën këmbë. Këto vuajtje ia kujtojnë sonte Krishtit në Udhën Kryqit besimtarët kanadezë, duke iu lutur t’i marrë mbi vete edhe plagët e botës së sotme e t’i ndihmojë mbarë njerëzit të ndërtojnë një botë me drejtësi, solidaritet, paqe. Me kasnecë të shpresës së re. Që mbrojnë ambientin. Luftojnë për të drejtat e respektojnë detyrat. Kërkojnë  tregti të ndershme e zhvillim të përgjithshëm.

Në Udhën kanadeze të Kryqit, çdo stacion u kushtohet vendeve, që kalojnë kohë të vështira: Filipineve të dëmtuara nga tufani hajan; Kolumbisë, ku popujt  e varfër  dëbohen nga tokat e tyre, për t’ua lëshuar prodhuesve të agrokarburantëve. E njerëzve  të braktisur: fëmijëve, që vdesin nga uria në jugun e botës, bujqëve të vegjël të Brazilit që krijuan bankën e farëve, duke shpëtuar nga tregu i shoqërive të mëdha,  me çmime tepër të larta.

Lutja shoqërohet edhe me plane për t’ua shtrirë dorën vendeve nevojtare: Etiopisë, Zambies, Kamboxhias, Sierra Leones. E duke u lutur për këtë të fundit, kujtohet edhe virusi ebola si dhe të gjithë punonjësit e shndetësisë, që po flijojnë jetën e vet, për jetën e të tjerëve. E lutja shoqërohet edhe me plane për mbrojtjen e gjithësisë, me shpresë se njeriu do ta kuptojë sa rëndësi ka për ardhmërinë e Planetit e të banorëve të tij.

Ç’ barrë e rëndë, mbi shpinën e Zotit për udhë drejt Golgotës....Zë që ngrihet, në lutje, nga Kanadaja, për t’u dëgjuar në Jeruzalem. E nga Kanadaja, kalojmë në Palermo, për të ndjekur një Udhë Kryqi me meditime në dhjetë gjuhë. Të duket si të ishte dyndur bota mbarë në këtë vend, ku 14 Stacionet janë shkruar nga emigrantë të ardhur nga 14 vende të ndryshme e në gjuhë të ndryshme, si në kohën kur shembej Kulla e Babelit. Për t’iu lutur Zotit të munduar  t’u japë hirin e paqes së shpirtit e të bashkëjetesës paqësore, në vendet prej nga vijnë e në vendin ku jetojnë. Organizator i saj është atë Sergio Natòli, drejtues i zyrës baritore të kryedioqezës për emigracionin:

Përgjigje: - Kjo formë e përshpirtërisë popullore jetohet nga të gjithë katolikët  e ne vendosëm ta kremtojmë si formë dëshmie publike të ndjekjes së Krishtit, që ngjitet mbi Kalvar. Të krijohet përshtypja e një udhe kryqi universale, kur shikon  përfaqësues të popujve të  ndryshëm, që ecin pas Krishtit. E kryqi kalon nga dora e afrikanit të Bregut të Fildishtë, në atë ganezit, tamilasit, cingalezit, peruvianit, ekuadorianit, filipinasit... Pastaj në duart e nigerianit, të togolezit, beninasit e të kombeve të tjera që, bashkë me kryqin e Krishtit, mbartin edhe të vetin, kryqin e rëndë të emigrantit...

Pyetje: - Tema që zgjodhët për këtë Udhë Kryqi?

Përgjigje: - Paqja, parë si aftësi për krijimin e marrëdhënieve ndërmjet njerëzve, popujve, kombeve, duke pasur mirë parasysh atmosferën e vendeve mesdhetare në këtë çast, kur paqja kërcënohet më shumë se kurrë. Tek ne sot, pas kryqit, ecin 12-13 mijë emigrantë, ndërmjet të cilëve, edhe budistë, hinduistë e besimtarë të feve tradicionale. Merret me mend ç’meditojnë e për  çka i luten Krishtit në këtë natë mundimesh.

Pyetje: - A mund ta quajmë këtë nismë shumëkulturore, shumetnike, apo ju pëlqen ndonjë terminologji tjetër?

Përgjigje: - Më pëlqen të përdor një terminologji, që përkon më shumë me realitetin ndërkulturor. Duke folur me gjuhën e Kishës, do të thosha se jemi para bashkimit të Kishës e të katolicitetit të saj. Jezusi e derdhi gjakun për të gjithë e, atyre që e pranojnë, u jep gëzimin e bijve të  Hyjit. Ky është mesazhi që sjell, ndërmjet qindra Udhëve të Kryqit nëpër botë, kjo udhë palermitane, në të cilën njerëz të kulturave të ndryshme  dëshmojnë  fenë e vetme në Jezu Krishtin.

Nga Palermo, në Manilë, ku filipinasit po e ndjekin Krishtin në një udhë  kryqi  shtatë kilometra, përgjatë kryeqytetit, për të kërkuar çlirimin nga fatkeqësitë natyrore dhe dhuratën paqes në vend. Nisma organizohet për herë të dytë, në bashkëpunim me “Radio Veritas” . Kryeipeshkvi i Manilës, kardinali Luis G. Tagle i fton ndjekësit e Krishtit të reflektojnë për Mundimet, të kërkojnë falje, ta përtërijnë jetën, duke ndihmuar viktimat e katastrofave të panumërta natyrore, që i dëmtuan rëndë Filipinet në këto vite. Pa harruar viktimat e korrupsionit, të padrejtësisë, të mashtrimit e të egoizmit njerëzor. “T’i hapim sytë e zemrat, të bëjmë diçka për të lehtësuar pasojat e katastrofave  natyrore, që shkaktohen nga njeriu e që nuk premtojnë asgjë të mirë për të ardhmen”- është ftesa e kardinalit, i cili kujton edhe një mori kryqesh të tjerë që rëndojnë mbi jetën e vendit: fëmijët e rrugës, trafikun e njerëzve, konfliktet, korrupsionin tejet të përhapur... e i fton besimtarët të mos shikojnë vetëm fajet e të tjerëve, por, duke ecur mbi gjurmët e Krishtit, të kërkojnë falje për mëkatet e veta, me premtimin për të mos i përsëritur më kurrë!

Udha e Kryqit e Manilës vijon në lagjet e barakave, duke iu afruar dalëngadalë Bazilikës së Zojës së Papërlyer, në zemër të kryeqytetit  që, për filipinasit, simbolizon sonte majën e Kalvarit. “Po flasim për ekonominë pa etikë; globalizimin, të pushuarit nga puna, të ikurit  larg vatrave, në kërkim të një strehe të re”, na thotë don Klaudio Magro, famullitar i Kishës së Familjes Shenjte, një nga katër famullitë e rrethinave të Sirakuzës,  udhëve të së cilës sonte shpaloset Udha e Kryqit e punëtorëve të papunë. Njerëz të dëshpëruar, që nuk kanë më guxim as të kërkojnë cak. Ecin pas Krishtit duke ngritur fort zërin në çdo Stacion, me shpresën se Zoti do ta dëgjojë britmën e tyre, që nuk po e dëgjon njeriu. Bashkë, pas Krishtit, për të mos u izoluar, sepse izolimi sjell dëshpërim e dëshpërimi është kryq tepër i rëndë për shpatullat e njerëzve, në kërkim të punës.  

Besimtarët shqiptarë ndjekin sonte Udhën e Kryqit, në kalvaret e tyre, të viseve e të shpirtit. Shkodranët, ngarkuar me Kryqin e problemeve të rënda të qytetit të shpërfytyruar, ngjiten ngadalë, në meditim, në majë të Taraboshit.  Besimtarët e Sapës, në  Malin e Shën Markut. Besimtarët e dioqezës së Tiranës, të Lezhës, të Rrëshenit, të Shqipërisë së Jugut, në kalvaret e tyre, me Kryq, pas Zotit. Ç’t’i kërkojmë, në lutje, Krishtit për shqiptarët e shpërndarë në të katër anët e botës, në këtë natë të pazakontë? Ta mendojë secili në zemër të vet - na kujton nga Koloseumi Papa Françesku.

Në Tokën Shenjte përfundon Udha e Kryqit, në Koloseum nis kremtimi, kryesuar nga Papa Françesku.

Në qendër të kësaj udhe, edhe viktimat e pedofilisë. Me peshën e mijëra syve mbi supe! Të rëndë, sa pesha e kryqit. Në qendër, të krishterët e persekutuar. Fëmijët ushtarë. Skllevërit e kohëve tona. E dhe gratë duar-forta, me “gjeninë e tyre femërore” . Në meditimet e Udhës së Kryqit, që Papa po e kryeson sonte në Koloseum, është mbarë bota sotme, me vuajtjet, dritë-hijet, me kryqet e veta. Udha që çon në Kalvar është një nga  pikat kulmore të Javës së Madhe, që u hap me Meshën e së  Dielës së Larit, kryesuar prej Françeskut, Papës që nuk i harron të rinjtë e shpërdoruar, edhe nga njerëzit e kishës. Nuk i harron plagët e shoqërisë së sotme, që i prekim me dorë në Stacionin X të kësaj Udhe Kryqi, kompozuar nga imzot Renato Korti, sipas dëshirës së Atit të Shenjtë. Pasuar nga pyetjet tragjike të Stacionit XI: “Kur do të marrë fund dënimi me vdekje i njeriut nga njeriu, që vijon, ndoshta, edhe në çastin kur Krishti, duke ia besuar shpirtin Atit, ndër qindra Udhë Kryqi rreth e rrotull botës së madhe, lëshon britmën që përqeth koren e tokës, ku jetojmë: “Atë, pse më lëshove dore?”. Thua t’i ketë lëshuar dore Ati krijues, këto krijesa? A nuk  u kryqëzua edhe për ta Krishti mbi Kalvar? E pyetja tjetër: “Kur do të marrë fund tortura?”. Një nga format më të tmerrshme të së cilës është kryqëzimi, që vijon edhe sot kundër të krishterëve? Nuk është simbol i një kohe të perënduar, kryqi. Vijon të jetë mjet torture, për të gjithë ndjekësit besnikë të Krishtit mbi Kalvaret e kohëve që s’kanë turp të quhen moderne! Skena të trishta, ku çdo këngë e humbet melodinë e vet.

Udhë Kryqi prekëse, kjo e imzot Kortit, që ua jep fjalën edhe protagonistëve të Mundimeve, Jezusit, Marisë, miqve të Zotit poshtë kryqit. Flasin sot, na flasin ne, duke na kujtuar sa vërshimin e dhimbjes pa cak, aq edhe të dritës e të gëzimit, që vjen pas, me të Dielën e Ngjalljes.

Ndjekim “Udhën e Kryqit” në Koloseum

Stacioni X : “Jezusit ia zhveshin petkat” Nga Libri i Psalmeve (21,19) “Petkat e mia mes tyre i ndajnë, mbi petkun tim hedhin short”.

Ndjenjat e mendimet e Jezusit

Hesht! Ndjehem i poshtëruar nga një gjest kaq i ulët. Më zhveshën disa orë më parë. E mendja më shkoi menjëherë tek nëna, e gjithëpranishme. Poshtërimi im është edhe i nënës. Edhe kështu i shporohet zemra. Ajo ma endi tunikën, që ma zhveshën,  simbol i dashurisë së saj për mua.

Jehona jonë:

Petku yt, o Zot, na bën të mendojmë për çastin e hirit e njëherësh, për ngjarjet që e shkelin me këmbë dinjitetin e njeriut. Hiri është ai i Pagëzimit. Fëmijës, që sapo bëhet i krishterë, i thuhet: “U bëre krijesë e re, u veshe me Krishtin! Ky petk i bardhë të jetë shenjë e dinjitetit tënd të ri; me ndihmën e me shembullin e të dashurve të tu, ruaje pa njolla për jetën e pasosur”. Kjo është e vërteta më e thellë e jetës njerëzore. E njëkohësisht, dashuria me të cilën zemra jote e ruan çdo krijesë, na bën të mendojmë për situata të tmerrshme, krijuar nga njerëz pa zemër: për trafikun e qenieve njerëzore, për fëmijët-ushtarë, punën që kthehet në skllavëri, fëmijë e të rinj, që u grabitet pafajnia, të plagosur në thellësinë e shpirtit, të dhunuar mizorisht.

Ti na nxit t’i lypim përvujtërisht falje atyre, të cilët i pësojnë këto poshtërime e të lutemi për zgjimin e ndërgjegjeve, që errësuan qiellin mbi jetët njerëzore. Përballë teje, Jezus, përsërisim premtimin për ta mundur të keqen me të mirë! Njeriu ka përpara dy udhë. Na e kujton Psalmi(Ps.1) “Lum ai, që nuk ndjek këshillën e të mbrapshtëve, në rrugë të mëkatarëve nuk ecën e s’rri në shoqëri të arrogantëve, por kënaqet me ligjin e Zotit, ligjin e Tij e kujton ditë-natë. Zoti rri zgjuar mbi rrugën e të drejtit. Ai do të jetë si pema në brigje të ujit; do të japë fryt në kohë të caktuar e gjethet e tij s’do të bien kurrë; veprat e tij do t’ia arrijnë qëllimit”.  

Udha e Mundimeve vijon! Sonte, prej Kryqit, Shëlbuesi ynë na thotë përsëri: “Kam Etje!”. Jezusi ka etje për shpirtin tonë, për shëlbimin tonë, për kthimin te gurra e jetës, tek Sakramentet. Jezusi na thërret e na mbart pezull kah drita. E drita  e madhe e ndërron tingullin e vajit në himn ngadhënjimi.  Njeriu ngre kokën lart e ndjen se nuk është vetëm, në sa vëren si druri i vdekjes shndërrohet në pemën e frytshme të jetës. Udha e Kryqit vijon: ta ndjekim Zotin në Kalvar, që të jemi me Të edhe të Dielën e Ngjalljes. Ringjallja e Krishtit shpërthen si agim, reshet si rigu i shiut të parë, si shiu i butë, që e mbulon tokën me blerim. 








All the contents on this site are copyrighted ©.