2015-04-03 16:38:00

Pavarësisht nga lufta në Siri, kishat plot për Pashkë


“Janë ditë të vështira, sidomos pas rënies së Idlibit” në duart e lëvizjeve islamike; qyteti “nuk është larg nga Halebi e njerëzit kanë frikë se mos po ndodh e njëjta gjë këtu. Pavarësisht nga frika e tmerri, të krishterët marrin pjesë në ritet e Javës së Madhe e kishat janë gjithnjë plot”. Kështu pohon për agjencinë AsiaNews, vikari apostolik i Halebit të latinëve, imzot Georges Abou Khazen, i cili tregon se të Dielën e Larit, prania e besimtarëve e mallëngjeu, kaq të shumtë ishin. Nën goditjet e mortajave, njerëzit morën pjesë në meshë e në procesion, së bashku me fëmijët. “Për më të vegjlit – vijon prelati – qe festë e veçantë. Ishin ata, që mbanin qirinjtë e zbukuruar të procesionit… feja qe vërtet më e fortë se frika”.

Për të krishterët feja është më e fortë se frika

Vikari apostolik i Halebit konfirmon gjendjen e frikës e të vështirësisë, jo vetëm për të krishterët, por për të gjithë popullsinë e vendit, e shqetësuar nga arritja e mundshme e xhihadistëve. Gjatë ditëve të kaluara, fundamentalistët morën në dorë qytetin e Idlibit, në veriperëndim të vendit, duke sekuestruar një meshtar greko-ortodoks. Por, pavarësisht nga ky realitet lufte, persekutimi e dhune, bashkësia e krishterë e Halebit po e përjeton Javën e Madhe me gjithë shpirt.

Ndihma e Karitasit, pa dallim feje

Vikari apostolik i Halebit tregon se myslimanët kanë treguar solidaritet të madh. Edhe Karitasi luan rol të jashtëzakonshëm në ndihmën për refugjatët, të krishterë e myslimanë, pa dallim feje. Janë shpërdarë ushqime e veshje, duke u mundur të lehtësohet disi jeta e njerëzve.

Të krishterët e jetojnë këtë Udhë Kryqi, në dritën e Ringjalljes

         Në nivelin baritor “kemi promovuar kremtime fetare, predikime dhe takime në kisha të ndryshme, duke ngulur këmbë në pendesë e në kthimin në udhën e Zotit”, pohon më tej, imzot Georges. Ngjarjet e Idlibit janë të frikshme, por “pavarësisht nga kjo, ne e jetojmë me guxim Udhën tonë të Kryqit, në dritën e Ringjalljes e, kjo na jep shumë shpresë”. Vikari apostolik u ka dërguar besimtarëve një letër baritore ku shkruan: “Krishti i ringjallur nuk u hakmorr, por dërgoi të vetët të predikojnë Lajmin e Mirë, duke u mësuar të tjerëve dashurinë e faljen”. Ky është mesazhi im për Pashkët, përfundon imzot Georges, dhe besimtarët e kanë kuptuar ftesën. Janë formuar grupe takimi, për të medituar mbi të. Shpresojmë që Zoti të na përdorë si shenjë e dëshmi paqeje. 








All the contents on this site are copyrighted ©.