2015-04-03 12:04:00

Marrëveshje bërthamore e Iranit, por Izraeli, skeptik


SHBA-të dhe fuqitë më të mëdha botërore, mbledhur në Zvicër, arritën më në fund një marrëveshje mbi përdorimin e energjisë bërthamore nga ana e Iranit. “Marrëveshje historike”, e cila, nëse zbatohet plotësisht, do ta pengojë Teheranin të ndërtojë bombën atomike, theksoi presidenti amerikan Barak Obama. Ndërkaq, Izraeli tregohet skeptik.

         Për marrëveshjen përfundimtare duhet pritur 30 qershori, megjithatë hapi i djeshëm garanton natyrën paqësore të programit bërthamor iranian. Në dokument përcaktohet se Teherani nuk mund të ketë struktura të tjera për pasurimin e uraniumit, përveç asaj të Natanzit, ku ndodhen rreth 5.000 centrifuga. Impianti-bunker i Fordow-t do të kthehet në qendër për punë kërkimore-shkencore. Reaktori me ujë të rëndë në Arak do të modifikohet dhe plutoni i prodhuar do të transferohet jashtë vendit. Në këmbim, Iranit do t’i hiqen të gjitha sanksionet.

         Për Izraelin, grupi “5+1” i fuqive botërore ka ulur kokën para kërkesave iraniane e marrëveshja do të çojë pa dyshim në krijimin e bombës bërthamore të Teheranit.








All the contents on this site are copyrighted ©.