2015-03-31 11:27:00

Vërshim drite: Java e Madhe parë nga një rregulltar francez


“Gëzimi e shpresa janë karakteristikat e të krishterit. E është e trishtë të takosh një besimtar, që nuk e di ç’është gëzimi”- pohoi Françesku në Meshën, kremtuar të enjten, 26 mars, në kapelën e Shën Martës. Fjalë që shumëkujt i tingëlluan si himn i gëzimit.

Po nga na vjen ky gëzim? Feja e krishterë është fe njerëzish të ringjallur, shpjegon atë André Gouzes, autor këngësh liturgjike, në të cilat shkrihet tradita e modernja. Në një shkrim të kohëve të fundit domenikani francez përshkruan gjestet dhe fjalët e Javës së Madhe, duke vënë në dukje thellësinë dhe bukurinë e “Misterit të dritës”.

Nëse ndokush, pohon rregulltari, do të më pyeste papritur : “Në çka beson? Cila është feja jote? Si i krishterë i fesë së Pashkëve, zemra do të më frymëzonte një prej përgjigjeve, që shumëkujt mund t’i dukej e pabesueshme, madje e çmendur: “Është feja e dashurisë, që fiton; që është më e fortë se vdekja”.

Përgjigje pa dëshmi racionale, me një dëshirë të vetme: dritën, ndriçimin prej saj. Gëzimi është si zjarri, që ngroh e ndrin. Ndodh prej njëzet shekujsh që burra e gra ngrihen përsëri në këmbë, pas rrëzimit, sepse të ndritur nga Ringjallja. Një mënyrë e re për të jetuar e për të vdekur. A më mirë, mënyrë e re për të vdekur, që të jetosh përgjithmonë!

Natën e Pashkëve na flet Fjala, e kryqëzuar, po, por edhe e ringjallur. Dëshiron të ringjallesh edhe ti? - është pyetja. Eja e shiko! Është një kohë e veçantë në të cilën Kisha kujton atë, që ndodhi shekuj më parë. Jetoje përsëri Javën e Madhe, por sidomos Triditëshin e Pashkëve, ditë në të cilat mund ta ndjesh thellë në shpirt atë, që ia ndryshoi jetën njerëzimit.

E rregulltari francez, duke na marrë përdore, na shoqëron në udhën e Pashkëve të krishtera, “Festës së festave”, na kujton të Dielën e Larit e, në vijim, për ta kuptuar më mirë Javën e Madhe, Triditshin e Pashkëve.

Pas Sabbat (pushimit) të Krishtit në të Shtunën e Madhe, vjen shpërthimi i gëzimit, “nata e ndritshme”, nata e lume, ngjarja, që ndryshoi historinë. E kuptimi i saj, themelor për jetën e çdo të krishteri, sepse zanafillë  edhe e Kishës, bëhet akoma më domethënës, falë liturgjisë që, pas Koncilit II të Vatikanit, përqendrohet përsëri në fillesat e jetës së krishterë: hyrjen në jetën e re, përmes Pagëzimit. Në kremtimin e misterit ndjehet fort e gjithë përsosuria e jetës: jetë njeriu të ringjallur.Vërshim drite. Që t’i ndriçon të gjitha ditët e jetës!








All the contents on this site are copyrighted ©.