2015-03-30 14:22:00

Papa Vojtila: mijëra shtegtarë në gjurmët e Shenjtit, dhjetë vjet pas vdekjes


Kaluan dhjetë vjet nga 2 prilli i 2005-sës, kur Papa Gjon Pali II u kthye në shtëpinë e Atit Qiellor. Shkoi, duke lënë pas gjurmë të pashlyeshme,  mbi të cilat vijojnë të ecin miliona njerëz, besimtarë e jo besimtarë. Në dhjetëvjetorin e vdekjes, Papa polak kujtohet me një sërë nismash, jo vetëm në Poloninë e tij, por edhe në të katër anët e botës.

Besimtarë nga të pesë kontinentet organizojnë shtegtime në gjurmët e Vojtilës. Nisen drejt vendlindjes së Gjon Palit II, për të vijuar vizitat në viset që i shkeli e i deshi. Të tjerë shtegtojnë drejt Romës, për t’u gjunjëzuar tek Varri i tij, në Bazilikën e Shën Pjetrit.  Çdo ditë radhë të gjata mbushin përplot Sheshin e Shën Pjetrit, në pritje për të hyrë në Bazilikë, për të ndjekur një Meshë pranë Varrit të Shenjtit, për t’u gjunjëzuar disa minuta në meditim e në lutje, për të kujtuar veprën e madhe të Papës polak, gjithnjë mes njerëzve.

Dhjetëvjetori i vdekjes së Gjon Palit II kujtohet edhe përmes një mori botimesh e ribotimesh të veprës së tij voluminoze si dhe të disa titujve të librave të shumtë, që i janë kushtuar. Ndërmjet tyre, drama e rinisë së Karolit, titulluar “Dyqani i argjendarit”, botuar nga Shtypshkronja e Vatikanit.

Po e kujtojmë shkurtimisht jetëshkrimin e këtij Njeriu të jashtëzakonshëm, meshtari të rrallë, ipeshkvi të guximshëm, Pape të dashur nga bota mbarë, Shenjti, të kujtuar me të njëjtin përkushtim edhe dhjetë vjet pasi i pushoi zemra e madhe.

Karol Józef Wojtyla, që u bë Gjon Pali II me zgjedhjen e tij në Selinë Apostolike, më 16 tetor 1978, lindi në Wadovice të Polonisë, më 18 maj 1920. Duke nisur nga viti 1942, pasi Zoti e thirri për udhën e meshtarisë, ndoqi kurset e formimit në seminarin e madh klandestin të Krakovit, drejtuar nga kryeipeshkvi i vendit, kardinali Adam Stefan Sapieha.

Pas luftës, vijoi studimet në seminarin e madh të Krakovit dhe në Fakultetin e Teologjisë pranë Universitetit Jagellonica, deri në shugurimin meshtarak, në Krakov, më 1 nëntor 1946. Më 13 janar 1964 u emërua Kryeipeshkëv i Krakovit nga Papa Pali VI.

Kardinajtë e zgjodhën Papë më 16 tetor 1978. Më 13 maj 1981, ndërsa përshkonte Sheshin e Shën Pjetrit me papamobil, me rastin e audiencës së përgjithshme, u plagos rëndë nga turku Mehmet Ali Agçà, që e qëlloi tri herë me pistoletë.

Papnia e tij është një nga më të gjatat në histori, gati 27 vjet. Gjon Pali II vdiq në Vatikan, më 2 prill 2005. U shpall shenjt, së bashku me Gjonin XXIII, më 27 prill të vitit të kaluar, gjatë një ceremonie të paharrueshme, në të cilën morën pjesë qindra mijëra besimtarë nga të katër anët e botës.

Ndërmjet datave të panumërta të jetës së tij të mbushur përplot me një veprimtari të gjithanshme: nga  kremtimet në Vatikan, tek  vizitat  baritore; nga botimet, tek takimet e panumrta  kishtare; nga themelimet e reja, tek përtëritja e të vjetrave; nga shtegtimet në Itali e nëpër botë, tek Ditët Botërore të Rinisë, për shqiptarët një datë e jetës së Shenjtit mbetet e paharruar: 25 prilli  1993, kur e shkeli dhe e puthi tokën shqiptare. Hyri kështu, në historinë e Shqipërisë, si Papa i parë që e vizitoi vendin, por edhe si Papa i parë që i dhuroi Kishës katolike të shqiptarëve hjerarkinë e parë kishtare të pas diktaturës, kardinalin e parë, Mikel Koliqin e të Lumen e parë Nënë Terezën.








All the contents on this site are copyrighted ©.