2015-03-29 14:07:00

“Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve. Udha e Kryqit e Françeskut


Në rubrikën e sotme “Ruaje zemrën!”: me Papën, drejt Pashkëve, edhe meditimi ynë niset pas Krishtit, kah maja e Kalvarit. Gjithnjë me Atin e Shenjtë. Me meditimet e Françeskut, shkëputur nga libri i botuar këto ditë, titulluar “Logjika e dashurisë” . Botimi i ri përmbledh meditimet e Bergoglios, para se të zgjidhej Papë, për 14 Stacionet e Udhës së Kryqit. Ne do të ndalemi vetëm tek 5 prej tyre.  Për të ndjekur, të Premten e Madhe, më 3 prill, të 14 Stacionet e Udhës së Kryqit në Koloseum, kryesuar nga Papa Bergoglio, duke nisur nga ora 21.15.

Librit, që i përmban meditimet, i prin një parathënie, shkruar nga atë Antonio Spadaro, drejtor i revistës “Civiltà Cattolica”, themeluar në Napoli, nga një grup jezuitësh italianë, numri i parë i së cilës u shtyp më 6 prill 1850.

Atë Spadaro citon fjalët e Bergoglios: meditimi ynë nuk mund të jetë vetmitar. Në të duhet të jenë të pranishëm gjithë ‘krishtët” e varfër që, me djersë e gjak, gatuajnë historinë e njerëzimit. “Në Kryq është historia e botës. E në këtë histori dëgjohet zëri i Engjëllit: ‘Nuk është këtu, u ngjall!’”.

Pse ka shumë rëndësi të meditohet mbi kryqin? Sepse pa kryqin nuk mund të kuptohet Ringjallja, përgjigjet Bergoglio. E pa ringjalljen, as ajo që ngjet gjatë Udhës së Kryqit. Papa Françesku, që ballafaqohet me historinë,  me vuajtjet, me dhimbjet, me  vdekjen, i shikon të gjitha nën dritën e ngjalljes së Krishtit. Nuk tutet nga soditja e varreve të panumërta, që mbështjellin globin! Varre të hapura, të mbuluara e të harruara në historinë e shpirtit njerëzor. Përkundrazi. Kumton, brenda territ të tyre, lajmin e madh të dritës: vdekja u mund! O besojmë në varrin e mbyllur nga guri, e pranojmë si formë jete dhe e ushqejmë zemrën me trishtimin e gropës, ose guxojmë ta pranojmë kumtin e Engjëllit: “Nuk është këtu. U ngjall!” duke e bërë tonin gëzimin e ëmbël e ngushëllues të ungjillëzimit. Guri o e mbyll varrin përgjithmonë  e jetës, ose flaket tutje: këtu është zemra e fesë. Ta ndjekim, pra, Papën, në meditimet e tij për “via crucis” (udhën e kryqit) , në sfondin  e “via lucis”(udhës së dritës),  misterit të gurit të rëndë të varrit, që duket si kurth i jetës dhe i historisë njerëzore. Por që forca e Pashkëve e rrotullon dhe e flak larg varrit.

Ecim pas Bergoglios në Stacionin e parë:

“Kryqi i Krishtit është fjala, me të cilën Zoti iu përgjigj së keqes në botë! Nganjëherë na duket sikur Zoti nuk i përgjigjet së keqes, se hesht.  Po ai nuk hesht kurrë. Ai flet, Ai foli, u përgjigj e përgjigjja a Tij është Kryqi i Krishtit: fjalë që është dashuri, mëshirë falje! Por edhe gjykim: Zoti na gjykon, duke na dashur! Kujtoje! Të gjykon, duke dashur! Nëse e pranoj dashurinë e Tij, shpëtoj, nëse nuk e pranoj, dënohem: nuk më dënon Ai. Dënoj vetveten, sepse Zoti nuk dënon. Ai di vetëm të dojë e të shpëtojë. Të dashur vëllezër, Fjala e Kryqit është edhe përgjigjja, që i japin të krishterët së  keqes, e cila vijon të vërvitet kërcënueshëm rreth nesh. Të krishterët duhet t’i përgjigjen së keqes me të mirë, duke marrë mbi supe kryqin e vet. Si Jezusi!








All the contents on this site are copyrighted ©.