2015-03-27 15:58:00

Refugjatët nigerianë. Caritas Internationalis: gjendje katastrofike


Gjithnjë më dramatike, gjendja në Nigeri: janë 150 mijë, refugjatët në vendet fqinje e 800 mijë, të shpërngulurit e brendshëm, shumë nga të cilët,   të strehuar në kampet e afërta, vënë në dispozicion nga Kisha katolike. Të hartojë një plan veprimi e të krijojë një rrjet ndërmjet Karitaseve vendase e OJQ-ve është objektivi i një takimi, mbajtur dje e sot, pranë Selisë së Caritas Internationalis, në Pallatin e Shën Kalistit, në Romë. Ndërsa terrori e vuajtja e popullit nigerian kanë arritur kulmin, sipas denoncimit të atë Evaristus Bassey, drejtor ekzekutiv i Karitas Nigeria. Por cilat janë nevojat më urgjente të popullsisë, dy ditë para zgjedhjeve presidenciale e pas rrëmbimit të fundit të më se 400 grave e fëmijëve nga ana e Boko Haram? Në mikrofonin tonë, Moira Monacelli, koordinatore rajonale e Karitasit Italian për Afrikën perëndimore:

Përgjigje: - Janë nevoja të dorës së parë: nevoja në fushën e shëndetësisë, pra nevojë për ilaçe. Pastaj, në fushën e ndihmës së shpejtë, të strehimit, për njerëz, që kanë humbur pronat, kanë humbur gjithçka; nevoja, që kanë të bëjnë me higjienën, me ujin e pijshëm, posaçërisht në kampet e refugjatëve. Ka edhe nevoja për mbështetje psikosociale, për ta kapërcyer traumën, që të shkakton  braktisja e shtëpive me gjithçka ke krijuar një jetë të tërë. Grupet më të ligshta janë gratë e fëmijët. Karitaset lokale po punojnë me përkushtim pikërisht për t’iu përgjigjur këtyre nevojave të popullsisë vendase. Po ka edhe zona ku është tepër e vështirë të arrijnë ndihmat humanitare. Kujdesi kryesor është të strehohen të ikurit e, sidomos, të mos keqësohet më tej situata humanitare, të mos thellohet dhuna, në prag të zgjedhjeve. Ka shumë rëndësi të ndiqet evolucioni i situatës: jemi këtu, në këtë takim, për t’iu përgjigjur sa më mirë pikërisht nevojave të kësaj popullsie të dëmtuar rëndë, në një nga çastet më kritike për jetën e saj.








All the contents on this site are copyrighted ©.